Gruevski “vonë” ka zbutur fjalorin, por mundet ta ‘duan’ shqiptaret tani?

Rezultati final i zgjedhjeve të 11 dhjetorit dhe mos ofrimi i asnjërës parti shqiptare për të formuar Qeverinë me Nikolla Gruevskin, ka bërë ish kryeministrin që të ndryshojë fjalorin e tij. Tashmë toni i tij i ashpër dhe i lartë është ulur dukshëm. shkruan Portalb.mk.

“Fotografia për ne, në lidhje me atë se jemi nacionalist është e shtrembëruar dhe e pavërtetë. Nën fjalën nacionalist ata duan të na tregojnë si shovinist, njerëz të cilët, përveç që e duan popullin e tyre duan t’u bëjnë dëm nacionaliteteve tjera, t’i urrejnë, duke mos u shikuar si njerëz dhe qenie njerëzore, por vetëm si pjesë e ndonjë komuniteti etnik”, thotë Gruevski.

Ai gjithashtu flet edhe për interesat shqiptare duke e ulur tonin në krahasim me atë të fushatës zgjedhore.

“Qëllimi im dhe qëndrimi i VMRO-DPMNE-së nuk është kundër shqiptarëve, por në drejtim të ruajtjes së tërësisë së shtetit. Edhe çdo shqiptar që jeton në këtë shtet, dhe jo diku tjetër, duhet ta dijë se ne jemi në anën e tyre, dhe jo kundër tyre”, ka veçuar Gruevski.

Por sa ky tentim mund ta ndryshojë qëndrimin e partive politike shqiptare që të mos bashkëpunojnë me Gruevskin? Analistët në deklaratat e tyre për Portalb vlerësojnë së ky reterim i Gruevskit ka prapavijë politike dhe i njëjti nuk është për t’u besuar.

“Kjo është formë e reterimit klasik në momentet kur nevoitet mbështetja e shqiptarëve në formimin e qeverisë së VMRO DPMNE. Të gjithë janë dëshmitarë për fjalorin e përdorur  gjatë fushatës së fundit zgjedhore ku kërkohej nga elektorati maqedonas prap 62 deputet që gjoja mos të shantazhohet nga shqiptarët. Gruevski ka pasur edhe vetë shumicë në të kaluarën por shqiptarët nuk e kanë shantazhuar, thjeshtë është kërkuar  bashkëqeverisje që do ti realizon kërkesat bazë të qytetarëve shqiptarë e që në fakt nuk janë realizuar”, deklaroi për Portalb politikologu Deniz Memedi.

Memedi porositë partitë shqiptare të mos lëshojnë pe në realizimin e kërkesave bazë të tyre.

“Këtë të gjithë partitë e kanë në platformat e tyre dhe me siguri pikërisht për këtë çështje është diskutuar edhe në Tiranë në takimin e fundit. Vlerësojë që partitë politike shqiptare tanimë e kanë marrë mesazhin nga elektorati i tyre dhe do të veprojnë konform asaj porosie”, theksoi Memedi.

Sipas profesorit universitar Nikolla Dujovski, Gruevski ka shpresuar në një rezultat final ndryshe nga zgjedhjet, ky ndryshim tani po ia imponon ndërrimin e retorikës.

“Këtë që e bëri tani nuk është asgjë më shumë se lajka ndaj një partneri abstract, sepse as BDI më nuk është ajo që ishte edhe VMRO në bllokun maqedonas. Fatin e njëjtë e ndajnë të dy partitë”, vlerëson Dujovski.

Analisti politik Selim Ibraimi mendon se së pari duhet një përgjigje më e qartë ndaj politikave të ish kryeministrit prej partive shqiptare BDI, BESA dhe LP-RDSH.

“Zbutja e retorikës i paraprinë përgatitjeve për fillimin e bisedimeve për formimin e qeverisë së re. As VMRO dhe LSDM nuk mund të formojnë qeveri pa partitë shqiptare. Tani gjithçka ka ngelur tek liderët e partive shqiptare të cilët dolën jo unik nga takimi i Tiranës për sa i përket kërkesave konkrete ndaj partnerëve maqedonas. Për BDI, qeverisja me VMRO pa kushte dhe platformë ka qenë e dhimbshme me pasoja për votuesit shqiptarë. Partitë tjera shqiptare që nuk kanë marrë pjesë në pushtet dhe që janë pjesë përbërëse e takimeve të Tiranës do të duhej të jenë më të saktë se cilin koalicion do të përkrahin pas datës 9 janar. Mangësitë duhet parë tek partitë shqiptare dhe ende vazhdojnë të ëndërrojnë se dështimi i mosnënshkrimit eventual të një dokumenti të dakorduar në Tiranë do të sillte që situatë të re politike duke favorizuar ish partnerët e dikurshëm të koalicionit. Ahmeti ka thënë se nuk do të të shkojë kundër vullnetit të popullit. Lëvizja Besa, të paktën nga ajo që deklarojnë përfaqësuesit në konferenca shtypi janë kundër ish kryeministrit. Kryetari i LR-PDSH Ziadin Sela po ashtu është kategorik se nuk do të hy në ndonjë kombinim ky do të jetë VMRO. Tani ngel që të gjitha thëniet ti shohim në vepra konkrete nga Ahmeti,Kasamai dhe Sela”, tha për Portalb Ibraimi.

Sipas tij, nuk duhet të harrojmë se edhe qeverisja me LSDM nuk do të jetë aq e lehtë për partitë politke shqiptare. “Zbutja e retorikës para filllimit të bisedimeve i ngjan të folurit e Livit antik”, përfundon Ibraimi.

Partitë politike shqiptare: Fjalori i zbutur i Gruevskit nuk na bën aspak përshtypje

Lëvizja Besa dhe Aleanca për shqiptarët janë deklaruar në lidhje me retorikën e fundit të ish kryeministrit Nikolla Gruevskit, por një reagim i ngjashëm ende nuk ka ardhur nga Bashkimi Demokratik për Integrim, parti kjo e njohur për partneritet me VMRO-DPMNE-në.

“Është e vërtetë se edhe në të kaluarën LSDM-ja ka qenë shumë antishqiptare dhe ne nuk e kemi harruar këtë. Por nuk i kemi harruar as viktimat shqiptare të kohës së Gruevskit. Shqiptarët e rastit së “Sopotit” dhe “Monstra” ende vuajnë si pasojë e qëndrimit antishqiptarë dhe Gruevskit dhe VMRO-së. Ne edhe më tej mbetemi në qëndrimin tonë se deklarata të tilla nga ana e Gruevskit dhe VMRO-së nuk na bëjnë aspak përshtypje dhe nuk na bëjnë ta ndërrojmë qëndrimin tonë ndaj lidershipit antishqiptar të VMRO-së dhe Nikolla Gruevskit”, u shpreh Orhan Murtezani, zëdhënës i Lëvizjes Besa.

“Aksionet policore, tërheqja zvarrë e shqiptarëve, fjalori i tyre barbar ndaj shqiptarëve, proceset e montuara politike, Monstra, gërmadhat e Lagjes së Trimave në Kumanovë, ngulfatja e perspektivës Euro Atlantike, janë shembulli më i keq i këtij ish kryeministri që duke dashur të bëhet ikonë e maqedonasve u shëndrua në lugat politik ndaj shqiptarëve”, njoftojnë nga Aleanca për Shqiptarët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button