Haradinaj pritet të lirohet sot

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili po mbahet i arrestuar në Francë, pritet të lirohet sot.

Sipas shefit të Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, Haradinaj pritet te lirohet sot rreth orës 13:00 nga ndalimi që i është bërë nga autoritetet franceze.

Ai ka thënë se Haradinaj është duke u mbajtur në një stacion policor. “Lirimi i Haradinajt pritet të ndodhë sot rreth orës 13:00″, tha Lekaj.

Sipas tij, Haradinaj ka qenë duke udhëtuar me familje kur u arrestua.

“Për ne është e papranueshme që një lider i partisë, luftëtar i lirisë, të ketë kaq shumë probleme”, ka thënë Lekaj në KTV.
Ndërkohë agjencia e lajmeve Reuters, shkruan se ish-kryeministri i Kosovës dhe kreu i partisë opozitare AAK, Ramush Haradinaj nuk do lirohet sot.

Sipas agjencisë së lajmeve, lideri opozitar pritet që të enjten në mëngjes të paraqitet para organeve të drejtësisë në Francë ku edhe do të shikohet nëse Haradinaj akuzohet për çështje të njëjta për të cilat është shpallur i pafajshëm nga Tribunali i Hagës.

“Burime tona raportojnë se Franca do të refuzojë kërkesën për ekstradim të Haradinajt, sidomos për faktin nëse është ndjekur për arsye politike”, shkruan Reuters.

Haradinaj ishte duke udhëtuar me pasaportë diplomatike kur ai u ndalua nga autoritetet franceze.

Në qershor të vitit 2015, Haradinaj ishte arrestuar në Slloveni dhe ishte liruar vetëm dy ditë pas arrestimit, pas presionit të madh diplomatik.

********

Euronews: Haradinaj po udhëtonte me pasaportë diplomatike

Televizioni evropian euronews ka raportuar për arrestimin e liderit të AAK-së Ramush Haradinaj.

Kosova ka bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të ish-kryeministrit të saj Ramush Haradinaj, pas arrestimit të tij nga ana e policisë franceze, raporton euronews.

Ai është arrestuar në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia në vitin 2004.

Haradinaj ishte komandant gueril gjatë 1998-99 luftës në Kosovë dhe Serbia e konsideron atë një kriminel lufte për rolin e tij në udhëheqjen e kryengritjes në ish-provincën së saj, raporton ky televizion.

Theksohet se Haradinaj i cili po udhëtonte me pasaportë diplomatike, është gjykuar dhe liruar dy herë në gjykatën e OKB-së në Hagë për krime lufte, transmeton KosovaPress.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button