Anijet luftarake ruse zbarkojnë në Filipine

Në kuadër të vizitës së vullnetit të mirë, anijet luftarake të Rusisë kanë arritur në portin e kryeqytetit të Filipineve, Manila, raporton Anadolu Agency (AA).

Në lajmet e shtypit lokal njoftohet se anijet luftarake në të cilat ndodhen edhe zyrtarë të Flotës Ushtarake Ruse do të qëndrojnë në Filipine katër ditë.

Kundëradmirali Eduard Mikhailov, zv/komandanti rus për Paqësorin, në një deklaratë në Portin Jugor të Manilas ka theksuar se janë të gatshëm t’i mbështesin Filipinet në luftën kundër terrorizmit dhe piratëve.

Duke theksuar se terrori dhe pirateria janë ndër problemet më kryesore, Mikhailov ka thënë se Rusia ka përvojë në luftën me këto probleme dhe se këtë përvojë mund ta ndajë me Filipinet përmes stërvitjeve ushtarake që mund t’i realizojë në të ardhmen.

Mikhailov ka bërë të ditur se në kuadër të vizitës do të takohen zyrtarët e Flotave Ushtarake të të dy vendeve, ndërsa vizita do të përfundojë me një stërvitje të përbashkët detare.

Sipas tij, Rusia dëshiron të organizojë stërvitje të përbashkët me pjesëmarrjen e Filipineve, Kinës dhe Malajzisë. Ai shtoi se siguria e rajonit është detyra e tyre kryesore.

Ndërkaq, presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte pas fitores në zgjedhje më 9 maj pati deklaruar se “Manila nuk do të mbështetet në qeverinë e Washingtonit, por do të zbatojë politika të pavarura”, duke i bërë madje thirrje forcave speciale amerikane në Mindanao që të tërhiqen.

Po ashtu, më 13 shtator Duterte theksoi se ushtria filipinase nuk do t’u lejojë shteteve të huaja të organizojnë stërvitje dhe të patrullojnë në afërsi të ishujve të kontestuar në Detin e Kinës Jugore.

Ai po ashtu ka thënë se Filipinet nuk dëshirojnë të ndërmarrin asnjë veprim armiqësor në rajonet që u përkasin shteteve të tjera. “Unë nuk dua të patrulloj aty me Kinën ose Amerikën, por unë vetëm dua të patrulloj në rajonet tona”, ishte shprehur Duterte.

Në një konferencë për media më 27 shtator, Duterte ka shprehur dëshirën për krijimin e partneriteteve tregtare me Kinën dhe Rusinë, duke vazhduar më tej se kjo gjë nuk do të ndikonte në marrëdhëniet me aleatin e vjetër, SHBA-të.

Nga ana tjetër, më 7 tetor, ministri filipinas i Mbrojtjes, Delfin Lorenzana kërkoi nga ushtria amerikane t’i pezullojë planet për stërvitje të përbashkët në Detin e Kinës Jugore.

Ai ka theksuar se 107 ushtarëve amerikanë që kanë marrë pjesë në aktivitetin e përdorimit të avionëve monitorues pa pilot kundër rezistuesve do t’u kërkohet të largohen nga jugu i vendit.

Lorenzana po ashtu ka thënë se edhe Rodrigo Duterte ka dhënë udhëzimin për ndalimin e 28 stërvitjeve që organizohen çdo vit së bashku me SHBA-të. Siç ishte shprehur Lorenzana, derisa kanë marrë qëndrim të caktuar ndaj politikave amerikane të sigurisë, është nisur zhvillimi i marrëdhënieve me Kinën dhe Rusië, kurse Duterte ka kërkuar nga ai t’i vizitojë Pekinin dhe Moskën për të zhvilluar takime në lidhje me pajisjet për mbrojtje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button