Afati i formimit të Qeverisë po afrohet, BDI e ka marrë “çelësin” në “pushim”?!

Kanë mbetur edhe 6 ditë, kur presidenti i shtetit të Maqedonisë Gjorgje Ivanov duhet t’i dorëzojë mandatin mandatarit apo partive që do të formojnë Qeverinë. Megjithatë në kampin politik shqiptarë, aty ku është “çelësi i formimit të Qeverisë” ende nuk janë sqaruar punët mirë, se kush me kë do të koalicionojë, shkruan Portalb.mk.

Partitë politike shqiptare nga qëndrimet e deritanishme kanë vlerësuar se nuk duhet shkuar në koalicion me VMRO-DPMNE-në, duke pasur parasysh retorikat nacionaliste të kësaj partie. Por të njëjtin qëndrim nuk e kanë theksuar në një takim të përbashkët.

Thirrësi i tentimit të parë për t’i ulur në një tryezë partitë politike shqiptare, Ali Ahmeti, premtoi një takim të radhës, por ky takim rezultoi të jetë takim në Tiranë, jo i thirrur nga Ahmeti por nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Ky takimi i pastër u pa vetëm nga fotoja, përndryshe përmbajtja e saj shumë e mjegulluar dhe e paqartë për opinionin. Informacionet për një dokument me pika unifikimi për partitë shqiptare mbeti vetëm në kornizat e spekulimeve.

Në tentim për t’iaqartësuar këtë gjendje, se çka po fshihet prapa dokumentit dhe ku mbeti fjala e dhënë për takime të radhës, redaksia e Portalb-it ka tentuar t’i kontaktojë partitë politike, protagonistë të takimeve.

Orhan Murtezani nga Lëvizja Besa për Portalb pohon se nuk kanë informacion nëse do të ketë edhe ndonjë takim mes partive shqiptare, duke bërë me dije se ata si Lëvizje BESA nuk lëvizin nga qëndrimi se Ali Ahmeti nuk ka kredibilitet të thërret takime të atilla.

“Ne do t’i përgjigjemi ftesës vetëm nëse ajo vjen nga Kryeministri i Shqipërisë ose ministri i jashtëm”, ishte decid Murtezani.

Në pyetjen tonë rreth dokumentit që u përfol nga takimi i Tiranës, ai mohoi se ekziston një i tillë.

“Aktualisht nuk ka asnjë dokument që të njëjtin ta bëjmë publik. Nuk kemi të bëjmë me asnjë fshehje, këto janë takime konsultative dhe miqësore. Nëse në të ardhmen do të ketë ndonjë vendim i njëjti do jetë publik dhe opinioni do të jetë i informuar me kohë”, përfundoi Murtezani.

Aleanca për shqiptarët, protagoniste e takimit të thirrur nga BDI dhe ai i thirrur nga kryeministri i Shqipërisë Rama, kanë qenë të pakapshëm për prononcim.

Kujtojmë qëndrimin e fundit të liderit të LR-PDSH-së Ziadin Selës, pjesë e Aleancës, të shpërndarë në rrjetin social “facebook”.

“Aleanca për Shqiptarët nuk komunikon me asnjë parti maqedonase për mundësinë e koalicionimeve për formimin e Qeverisë së re. Kryetari i LR-PDSH-së Ziadin Sela si pjesë e këtij koalicioni thotë se nuk ka komunikim me asnjë parti maqedonase, pasi që janë të angazhuar në unifikimin e spektrit politik shqiptar”.

Nga pamundësia për t’u përgjigjur në pyetjen e Portalb përfundojmë se edhe Bashkimi Demokratik për Integrim po vazhdon pushimet e fillimvitit në momente vendimtare për shtetin.

Do të ketë apo jo një takim të radhës, opinioni mbetet i painformuar derisa partitë vazhdojnë pushimet./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button