Mustafa përmbledh sukseset e sfidat në mesazhin e Vitit të Ri

Me një videomesazh u është drejtuar qytetarëve të Kosovës, kryeministri i vendit, Isa Mustafa me rastin e përfundimit të vitit 2016 dhe nisjen e 2017-s, transmeton Koha.net.

“Po e përmbyllim një vit të rëndësishëm për Republikën e Kosovës. Së bashku e forcuam shtetin tonë, e rritëm ekonominë, e ulëm papunësinë, u anëtarësuam në UEFA dhe në FIFA, miratuam Ligjin për Trepçën, morëm Kodin Telefonik, krijuam kushte për hapjen e fabrikave, avancuam raportet me NATO-n dhe me Bashkimin Evropian, miratuam një buxhet rekord mbi 2 miliardë euro e shumë të arritura tjera”, ka thënë Mustafa. “Andaj, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës ju shpreh mirënjohje për kontributin tuaj për shtetin, gjatë vitit 2016”, ka shtuar më tej ai.

Ka folur edhe për sfidat.

“Të dashur motra dhe vëllezër, Përkundër sukseseve evidente, Republika e Kosovës po përballet me sfida. Po punojmë pa pushim për lëvizje të lirë, për më shumë vende të punës, për arsim dhe shëndetësi më të mirë dhe për forcim të sundimit të ligjit. Viti 2017 është një mundësi e hapur për ne, që së bashku, t’i përkushtohemi edhe më shumë zhvillimit të vendit”, ka thënë Mustafa. “Është koha t’i lemë anash kundërshtimet dhe t’i kryejmë punët që i kemi në dorën tonë”, ka shtuar ai.

Ka përmendur edhe sukseset.

“Të nderuar qytetarë, Këtë vit, Majlinda Kelmendi fitoi Medaljen Olimpike në Brazil, duke na e zbardhur fytyrën para botës. Po ashtu, Nëna Terezë, u shenjtërua për veprat e saj madhështore në shërbim të njerëzimit”.

Sipas Mustafës, Kosova është ende kampione e optimizmit duke pas në vete potenciale të mëdha vullneti, pune e kreativiteti.

“Besoj shumë se në vitin 2017 do të kemi suksese, do të jetë vit i lëvizjes së lirë, vit i punës dhe i zhvillimit. Andaj, të punojmë me përkushtim dhe dashuri për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe për shtetin tonë. Urime nga zemra Vitin e Ri 2017! Zoti e Bekoftë Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj!”, ka thënë në fund Mustafa.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button