Të thuash “jo” është hapi i parë drejt lirisë

Mbi gazetarinë dhe ndyrësinë gazetareske në Kosovën e vitit 2016. Dhe disa porosi për vitin 2017.

Pushteti të korrupton. Në çdo sistem. Të rrallë janë ata politikanë që e dorëzojnë pushtetin vullnetarisht. Për këtë kërkohet presioni i mediave. Parakusht për një presion të tillë janë mediat e pakorruptuara dhe të pavarura ekonomikisht. Në rrethana të tilla mund të ketë gazetarë që kanë një mision: shpalosjen e së vërtetës në interes të publikut të gjerë. Për t’ua hequr maskat politikanëve të korruptuar kërkohet guxim. Pa marrë parasysh a shkruani një koment që të lë pa frymë, a hulumtoni një skandal të madh apo portretoni një €gurë të ndyrë politike – për të gjitha këto duhet: guxim. Dhe shpirt i pakorruptuar.

T’i thuash jo joshjeve të llojllojshme të pushtetit është hapi i parë drejt lirisë. Këtë liri e mbron dhe e jeton vetëm ai që gazetarinë nuk e sheh si punë sa për të marrë një rrogë. Thënë shkurt, me fjalët e Victor Hugosë: «Ardhmëria ka shumë emra: për të dobëtit ajo është e paarritshme, për frikacakët e panjohur, për guximtarët ajo është shans».

Cila është e tashmja dhe e ardhmja e gazetarisë në Kosovë? Viti 2016 ka treguar se e tashmja e gazetarisë (me pak përjashtime lavdëruese) është e pashpresë, ndërsa ardhmëria do të jetë e zbehtë nëse mediat vazhdojnë të «kultivojnë» këtë nivel të neveritshëm, nëse funksionojnë duke distribuuar «statuse» të politikanëve të shpërndara më parë në Facebook – pa shtruar asnjë pyetje kritike, nëse skandalizojnë gjithçka, duke u përpjekur që prej prapanicës të stolisin një fytyrë të bukur publike, nëse titujt i shndërrojnë në karrem për klikime, ndërsa përmbajtja e lajmit është bosh. Ky vit ka treguar po ashtu se vjedhja gjakftohtë e lajmeve është bërë metodë e punës e shumë portaleve, përhapja e thashethemeve nga ana e shumicës së portaleve, por edhe mediave kinse «të etabluara» është shndërruar në strategji për beteja të ndyra politike, masakrimi i gjuhës shqipe ka marrë përmasa shqetësuese, gjuha vulgare në studiot televizive ia ka kaluar tashmë qymezeve më të fëlliqura provinciale, përkthimi në shqip pa asnjë kriter profesional i «lajmeve» të gazetave bulevardeske të Beogradit nuk i shërben fare informimit të publikut, por është propagandë falas për bërllokun e shtypur serb.

Ta ndëshkosh këtë sistem (politik dhe gazetaresk) me injorim – ky është sot dhe përherë hapi i vërtetë drejt çlirimit medial. Këtë përvojë duhet ta bëjë secili, sepse përvoja nuk trashëgohet. Thënë shkurt, me fjalët e Kurt Tucholskyt: «Asgjë nuk është më e rëndë dhe asgjë nuk kërkon më shumë karakter sesa të jesh në kundërshtim të hapur me kohën tënde dhe të thuash me zë të lartë: jo». Në rastin e Kosovës zgjidhja është e lehtë ose e rëndë (varësisht nga karakteri i gazetarit): ose je guximtar dhe lufton për të vërtetën, ose i bashkohesh «civilna zaštita» të sundimtarëve të Kosovës. Sepse «civilna zaštita» nuk ekziston vetëm në veri të Kosovës. Ekziston edhe «civilna zaštita» e «analistëve» politikë – përherë në shërbim të pushtetit, oligarkëve, tyxharëve të drogës dhe naftës, tregtarëve të dardhave dhe çokollatave (të prodhuara në Serbi).

Kush e godet këtë aleancë të lidhur mes krimit politik dhe krimit gazetaresk, do të sulmohet me fjalët më të egra. Madje ekziston rreziku të të shpallin shtrigë apo shtrigan shpirtzi. Këtij soji të kriminelëve ballkanikë shkrimtarja kroate Dubravka Ugreshiq para shumë vitesh i ishte përgjigjur me këto fjalë: «Sot, nga perspektiva ime nomade, ish-mjedisit tim, i cili më shpalli shtrigë, i jam vetëm mirënjohëse. Paratë për blerjen e fshesës i kam €tuar vetë. Dhe vetë po uturoj». Sepse: të thuash «jo» është hapi i parë drejt lirisë. Thoni «jo» të keqes edhe në vitin 2017. Vetëm kështu mund të pastrohet sistemi ekologjik – në politikë, në media dhe, mos të harrojmë, në mediat asociale. Sepse liria e shtypit nuk domethënë liri për të llomotitur secili që ka qasje në internet.

Cilësi apo kakofoni? I mbetet lexuesve të vendosin. Si gazetarët edhe lexuesit kanë të drejtë të kenë mendimin e tyre. Por asnjëra palë nuk ka të drejtë të ketë faktet e veta. Faktet janë për të gjithë – madje edhe në shoqëritë postfaktike. Detyrë e gazetarëve nuk është as trishtimi i publikut, as «argëtimi» me banalitete. Detyrë e gazetarëve të mirëfilltë është informimi i qytetarit, në mënyrë që ai të jetë në gjendje të marrë pjesë në diskursin publik dhe demokratik. «Nëse ju e blini New York Times, atëherë nuk blini risi – ju blini aftësi për të gjykuar», ka thënë me një rast kryeredaktori i gazetës amerikane Arthur Salzberger. Në kontekstin kosovar vlen: tregomë çka lexon, të tregoj çka je?! Vendosni vetë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button