Abas kërkon debat për “dhënien fund të okupimit izraelit në Bregun Perëndimor”

Presidenti palestinez Mahmud Abas bëri thirrje për vendosjen e afateve kohore për përfundimin e okupimit izraelit në Bregun Perëndimor, pasi që Këshilli i Sigurisë i KB-së e miratoi Rezolutën për ndalimin e ndërtimit të lagjeve izraelite në këtë rajon.

“Rezoluta është themeli i negociatave serioze, që kanë për qëllim që t’i japin fund okupimit. Kjo e trason rrugën drejt konferencës ndërkombëtare paqësore, e cila do të mbahet nën patronatin e Francës”, deklaroi Abas në takimin me partinë qeveritare Fatah.

Abas shprehu shpresë se konferenca, e cila do të mbahet më 15 janar në Paris do të rezultojë me mekanizma ndërkombëtarë dhe me rend konkret dite, që do të ketë për qëllim “përfundimin e okupimit izraelit të Bregut Perëndimor dhe Jerusalemit Lindor.

Rezoluta u votua të premten, me 14 vota pro, derisa SHBA-ja votoi abstenim, por vendimi i saj që të abstenojë nga votimi e mundësoi miratimin e këtij dokumenti, që shkaktoi reagim të ashpër tek kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu.

Ministria izraelite e Punëve të Jashtme i ndërpreu të gjitha kontaktet me vendet anëtare të Këshillit të Sigurisë të KB-së që votoi për rezolutën me të cilën Izraeli dënohet për ndërtimin e lagjeve hebraike në territorin e Bregut Perëndimor dhe në Jerusalemin Lindor, që është nën kontrollin izraelit nga lufta në qershor të vitit 1967.

Me urdhër të Netanjahut, i cili njëkohësisht është edhe ministër i Punëve të jashtme, Ministria izraelite përkohësisht i ka kufizuar të gjitha marrëdhëniet me ambasadat e 12 vendeve nga Këshilli i Sigurisë që kanë misionet e tyre në Tel-Aviv, përveç se me Venezuelën dhe Malajzinë , të cilat nuk kanë marrëdhënie me Izraelin dhe SHBA-në.

Sipas diplomatëve izraelitë në Nju-Jork të cilët për CNN e njoftuan këtë vendim, janë suspenduar  lidhjet me ambasadorët e Britanisë së Madhe, Francës, Rusisë, Kinës, Japonisë, Ukrainës, Angolës, Egjiptit, Uruguajit, Spanjës, Senegalit dhe Zelandës së Re./MIA

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button