Ndotja alarmante e ajrit, temë diskutimi në Qytetin e Shkupit

Në objektin e Këshillit të Qytetit të Shkupit, me ftesë të kryetarit Koce Trajanovski, kryetarët e komunave nga rajoni i Shkupit mbajtën takim mbi ndotjen e ajrit ambiental në rajonin e Shkupit, ku të pranishëm ishin edhe ekspertë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas përfundimit të takimit, Koce Trajanovski tha se në takim është diskutuar për disa çështje dhe disa masa për zgjidhjen e mundshme të cilat siç tha ai, do t’i parashtrojnë edhe te qeveria qendrore dhe institucionet kompetente, me qëllim që të zvogëlojnë ndotjen e ajrit.

“Apeloj që të gjithë bashkërisht të punojmë në zgjidhjen e kësaj sfide. Apeloj tek qytetarët, kolegët e mi të komunave, Qytetin e Shkupit, qeverinë qendrore, si dhe të gjithë organet tjera kompetente të angazhohemi dhe të punojmë në mbrojtjen e ajrit ambiental në Qytetin e Shkupit”, tha Trajanovski.

Trajanovski po ashtu apeloi për uljen e kostos së ngrohjes, subvencionimin e rrjetit të ujit të ngrohtë në ndërtesat me energji termike, subvencionimin e blerjes së biçikletave, përfshirë edhe ndaljen e përdorimit të qymyrit dhe çdo lloj produkti të drurit për ngrohje.

Ai theksoi se në takim është diskutuar edhe për gazifikimin e qytetit të Shkupit, për të cilën u shpreh se: “Shpresoj se me formimin e qeverisë së re, urgjentisht duhet të publikohet tenderi i ri për gazifikimin e qytetit të Shkupit, duke marrë parasysh atë se dështoi tenderi i mëparshëm për gazifikimin e rajonit të Shkupit”.

Trajanovski theksoi se ndotës më i madh i ajrit në qytetin e Shkupit është amvisëria me 32 për qind, pastaj trafiku me 20 për qind, pluhuri i krijuar në rrugë dhe nga aktivitetet ndërtimore 19 për qind, industria 18 për qind, kripërat sulfate 7 për qind dhe kripërat nitrate 2 për qind.

Ditëve të fundit, orëve të mëngjesit në qytetin e Shkupit prania e grimcave të dëmshme kancerogjene PM10 në ajër është shënuar shumë më e lartë nga niveli i lejuar. Shoqëria civile, e cila po ashtu ka paralajmëruar protestë për të mërkurën e ardhshme kundër ndotjes së ajrit, konsideron se Shkupi është një ndër qytetet më të ndotura në Evropë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button