Dorëheqjet: Pas Thaçit cili e ka radhën? (VIDEO)

Përmes njoftimeve në rrjetet sociale mbrëmë kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi ka bërë të ditur se jep dorëheqje nga posti i kryetarit të partisë.  Një pjesë e ish-politikanëve beson se ky është akt i përgjegjshëm i Thaçit, ndërsa pjesa tjetër beson se pas dorëheqjes fshihet një taktikë e re e politikëbërjes. Gjithsesi ata presin që një akt të tillë ta bëjë edhe lideri i LR PDSH-së dhe ai i Lëvizjes Besa, të cilët publikisht kanë premtuar se do të japin dorëheqje nëse nuk do t’i fitojnë zgjedhjet e 11 Dhjetorit, shkruan Portalb.mk.

Ish-politikanët ndajnë mendime të ndryshme rreth dorëheqjeve të djeshme.

Sipas ish-nënkryetarit të RDK-së, Artan Dika, dorëheqja e Thaçit është taktika e tij për ta zgjatur jetë-gjatësinë e partisë, pasi ky i fundit tashmë është bindur se me mbetjen e tij në krye partia po fundoset. Sipas Dikës, Thaçi do të ndjek modelin e Sali Berishës i cili do të vendos në parti nga “prapaskena”.

Ndërsa sipas ish-kryetarit të DR-së, Imer Selmani, dorëheqja e Thaçit duhet parë si akt i sinqertë, pa prapaskenë manipuluese dhe si një akt i pritshëm pas rezultateve të dobëta në zgjedhje, veçanërisht në zgjedhjet e fundit. Sipas tij, PDSH-ja ka kapacitet dhe njerëz, të cilët mund të udhëheqin me partinë. Dhe kjo do të ishte një rifreskim jo vetëm për partinë, por edhe për gjithë skenën politike në vend. Gjithsesi sipas tij, duhet pritur epilogun e dorëheqjes, nëse do të pranohet ose jo nga organet e partisë.

Dorëheqja- akti i politikanëve të përgjegjshëm

I pyetur nëse akti i dorëheqjes së një lideri partiak pas rezultateve të dobëta në zgjedhje, dëshmon se po inkuadrohet vlera e përgjegjësisë dhe moralit në skenën politike në vend Selmani u shpreh:

“Ashtu duhet të jetë, ashtu është gjithkund në botën demokratike. Unë isha ndoshta i pari që e promovova atë vlerë, pastaj edhe Rufi Osmani. Tani të presim epilogun final të dorëheqjes së Menduh Thaçit.”

“Akti i dorëheqjes në përgjithësi është akt përgjegjësie, ndonjëherë është edhe akt i harxhimit të një alternative dhe pamundësisë së të pasurit efekt. Është akt për njerëzit që kanë përgjegjësi dhe që kanë moral në politikë. Fatkeqësisht politikanë të tillë ka pak andaj dhe nuk kemi pasur shumë dorëheqje të tilla” tha Dika për Portalb.mk.

Sela dhe Kasami premtuan publikisht se do të japin dorëheqje nëse i humbin zgjedhjet

Lideri i LR PDSH-së, Zijadin Sela e mori mbi vete përgjegjësinë për humbjen në zgjedhje, duke paralajmëruar se dorëheqjen do ta dorëzojë në Kongresin e jashtëzakonshëm të partisë që do të mbahet pas Vitit të Ri. Këtë ai e konfirmoi mbrëmë në emisionin 200.

Se do të ofrojë dorëheqje nëse nuk i fiton zgjedhjet e 11 dhjetorit deklaroi edhe lideri i Lëvizjes Besa në Debate zgjedhore 2016, në TV21.

Sipas Selmanit, rezultatet e partive që për herë të parë kanë garuar në zgjedhje  (LR PDSH dhe Lëvizja Besa) nuk janë edhe aq të dobëta.

“Në qoftë se shihet se kush duhet të japë dorëheqje atëherë sipas kësaj logjike duhet të japë dorëheqje edhe Ali Ahmeti edhe të gjithë liderët, për shkak se askush nuk fitoi” tha Selmani, “Por nëse liderët e dy partive kanë deklaruar publikisht se do të japin dorëheqje në rast se nuk do t’i fitojnë zgjedhjet, atëherë duhet ta mbajnë fjalën.”

Sipas Selmanit se a do të jep dorëheqje Kasami e Sela varet nga kapaciteti moral, kredibiliteti dhe besnikëria e secilit ndaj premtimit të dhënë publik. Por siç theksoi “Premtimi publik është një kontratë mes politikanit dhe qytetarëve, shkelja e së cilës do ta dëmtonte vetë politikanin”.

“Patjetër premtimi, fjala e dhënë të mbahet”-porositi Dika.

Sipas Dikës, Aleanca për Shqiptarët me statutin e saj parashikon shkarkimin e liderit të saj në rast se kjo parti nuk i fiton zgjedhjet. Megjithatë një gjë e tillë mund të rrezikojë ekzistencën e partisë, andaj mbetet të shikohet se cili do të jetë vendimi i anëtarësisë. Ai pret që lideri i Lëvizjes Besa të ofrojë dorëheqje nëse ka thënë diçka të tillë, pasi beson se është politikan i përgjegjshëm.

Ndryshe, pas Menduh Thaçit dha dorëheqje edhe kryetari i Degës së PDSH-së në Çair, njëherësh bartës i Listës së kësaj partie për deputet në Njësinë e parë zgjedhore, Idriz Orana.

lideri i partisë Demokracia e Re, Imer Selmani dha dorëheqje nga krei i partisë menjëherë pas  zgjedhjeve parlamentare të vitit 2011, për shkak të rezultateve të dobëta.

Pas tij, Rufi Osmani dha dorëheqje nga pozicioni kryetar i Rilindjes Demokratike Kombëtare. Kështu për shkak të rezultateve të dobëta në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2014. E bashkë me të dorëheqje dhanë edhe dy nënkryetarët, Artan Dika dhe Gikten Haziri si dhe Izet Zeqiri./Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Një koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button