Dilema dhe mistere politike midis shqiptarëve dhe maqedonasve

Me njëmbëdhjetë dhjetor 2016 u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni, të cilat, dorën në zemër, ishin më të qetat, më të kulturuarat dhe më të sigurtat nga ata zgjedhje  që ne mbajmë mënd deri më sot. Megjithatë, politikën maqedonase dhe atë shqiptare në Maqedoni, apo siç e quan bota – FIROM,  e përbëjnë një grup misteresh, pasi asnjëherë në këtë  republikë nuk ka pasur një politik të çiltër dhe të moderuar. Edhe pse nuk ka qenë gjithçka e zezë, sërish ka munguar drejtësia dhe transparenca. Premtimet e partive politike, qofshin ato shqiptare, qofshin ato maqedonase, gjithmonë ishin mashtruese dhe me premtime boshe. U shitën të gjitha gjigantet ekonomike të shtetit, të krijuara nga koha e socializmit, kinse për t’u zhvilluar shteti më shumë dhe ato para të grumbulluara u zhdukën pa dhënë llogari askush ndaj askujt dhe shteti gjithmonë funksionoi me borxhe marramendëse. Në vend se ato firma të zhvilloheshin sipas standardeve evropiane, ato i çuan në falimentim. Shumica e prefektëve të komunave që erdhën e shkuan, pas mbarimit të mandateve të tyre, i lenin komunat  me miliona euro borxhe. Arsimi është katandisur keq e mëkeq, duke kaluar nga një projekt në tjetrin, sipas fondeve të ndryshme që lëshojnë shtetet evropiane, ku bëhen larjet e atyre parave dhe arsimi, shëndetësia dhe ekonomia në tërësi, ka ngelur në udhëkryq. Pagat e mësuesve dhe të mjekëve u ngjajnë ndihmave sociale, hiç më shumë se sa subvencionet e evropianëve që japin për mirëmbajtjen e kafshëve shtëpiake! Pastërtia dhe ndotja e ambientit jetësor të bën të mendosh sikur jetojmë në  brendinë e Holokaustit. Prodhimet vendëse kanë rënie për çdo ditë dhe kësisoj u është zënë fryma, pasi qarkullimin e kanë deri në Kumanovë….Pikërisht kjo politikë misteresh e bën edhe  jetën tonë të përditshme jo të definuar qartë.

Edhe pse kaluan afër tre dekada me këtë “mister demokracie”, banorët e Maqedonisë jetojnë nën thundrën e një politike të fryrë edhe para faktorit ndërkombëtar edhe para masave të gjëra popullore, duke mbetur me shpresa të thyera sa e sa herë që vinin e shkonin zgjedhjet. Kësisoj, qoftë faktori politik maqedonas, qoftë ai shqiptarë, s’do mentë se të dyja janë tallur me popullin e tyre dhe me interesat e shtetit në tërësi. Këta dy popuj u varfëruan skajshmërisht, përveç një grupi njerëzish që ishin të veshur me petkun e pushtetit. Rina e shkolluar dhe e specializuar iku në perëndim, edhe atë, me qindra mijëra të rinj. Shëndeti i popullatës ka rënie deri në rrezikshmëri të frikshme. Rrogat me dekada nuk bëjnë ngritje, kurse çmimet e artikujve ushqimor dhe atyre jo ushqimorë janë më të larta se në perëndim. Shteti ka krijuar skenarë trishtuese deri në çmenduri, veçmas me burgosjet misterioze, duke dashur të promovojë forcë absolute, vetëm e vetëm të mbijetoj si i tillë.

Vet çështja e emrit të këtij shteti ende mbetet mister më vete, pasi që, me ç’thurjen e federatës jugosllave, të gjitha republikat e Jugosllavisë së atëhershme u njohën nga bota si të tilla, kurse Maqedonia ishte e vetmja nga ata që nuk iu pranua emri ndërkombëtarisht, të trashëguar nga Ish Jugosllavia e asaj kohe. Për këtë, vetë qeveria maqedonase e asaj kohe u pajtua që para botës të njihet si FIROM, me shpresë se një ditë do zgjidhej kjo enigmë. Kaluan 26 vite, gjoja demokraci, ende emri i shtetit paraqet një problem dhe  mister më vete dhe jep përshtypjen e një pushteti fantom. Kësisoj, këto pushtete që erdhën e shkuan, u krijuan dhe vepruan përmes spekulimeve misterioze, që bëri gjithçka të paqartë dhe sot gati se askush nuk di se nga udhëton shteti.

Në këto zgjedhje të fundit e të parakohshme, siç mundemi të pohojmë, duket se i ka ardhur fundi çdo fshehtësie. Misteri patjetër që do të dali sheshit! Zbulimin e këtij misteri po e realizojnë shqiptarët e ”moderuar”, të cilët, për këto zgjedhje të fundit, e morën anën e  LSDM-së, për të cilën edhe votuan. Kjo pjesë e shqiptarëve, siç duket, misterin e këtyre pushteteve gati e ka sjellë para aktit të kryer, pasi që, qoftë LSSDM, qoftë VMRO-DPMNE, thjeshtë janë të varura plotësisht nga partitë shqiptare për të formuar qeverinë e re. Kësisoj, me automatizëm preket misteri politik shqiptar dhe ai maqedonas, i mbështjellë me “lëkurën e djallit” për 25 vite rresht. Por, ky “djall” dhe ky mister i brendshëm mundet të shpërthej dhe të del për mejdani vetëm me bashkëpunimin e ngushtë dhe të sinqertë të të gjitha partive shqiptare. Bashkërisht t’i bashkojnë forcat, pasi programet e tyre partiake janë të përafërta dhe bashkërisht t’i definojnë qartë dy-tre pikat fondamentale që kërkojnë shqiptarët me dekada dhe vetëm atëherë largohet nga ky vend “djalli dhe misteri i plakur”. Në të kundërtën e kësaj që thamë, nëse ndonjëra nga partitë shqiptare do insistojë të bashkëpunoje me “djallin” dhe ende t’ia ruaj misteret e tmerrshme të këtij pushteti, atëherë edhe një pjesë e popullit do të bashkëpunoje me “djallin” tjetër dhe në pranverë do linde një “mister” i ri, i cili do t’i kundërvihet “misterit të vjetërsuar”, të cilin askush nuk e di se si do të duket, si do të veproje, por ai patjetër do të paraqitet.

Gjendja është tejet serioze dhe kërkon diplomaci të thellë. Analitikët e partive shqiptare duhet larguar fare nga egoja e tyre egocentrike dhe t’i përkushtohen realisht këtij fenomeni, duke u konsultuar me ekspertë të kësaj fushe, pasi kësaj radhe, pasojat, apo shpresat e popullit shqiptarë në Maqedoni munden të jenë historike. Nëse VMRO-DPMNE, apo LSDM-ja formon qeverinë pa kërkesat kolektive të shqiptarëve, siç kanë bërë deri më sot, misteri nuk do të ndërpritet dhe do të vazhdoje e keqja… Por, edhe nëse humbën pushtetin VMRO-DPMNE apo LSDM, lideri i tyre shkon si hero në mjedisin e turmave popullore maqedonase, pasi kanë njëmijenjë argumente për të arsyetuar heroizmin e tyre. Në të kundërtën, nëse partitë tona nuk e shfrytëzojnë këtë shans historik, atëherë do t’i mbuloje hija e zezë dhe  do bëhet e mundur që “misteri djallëzor“ të duket qartë dhe atëherë (nuk)dihet se në cilën theqafje do të shkojnë. Prandaj, shumica e populli shqiptarë në këtë republikë mendon kësisoj dhe është koha  e fundit që lidershipi ynë të ulet e të merret veshtë me urtësi shqiptare dhe vëllazërisht të mendojnë e të veprojnë si burrat, pasi është imperativ i kohës, është  momenti i duhur…

Të gjitha këto kërkesa të shqiptarëve janë të realizueshme dhe nuk paraqesin asnjë problem për shtetin, kuptohet, nëse ekziston vullneti i mirë politik. Realizimi i këtyre kërkesave, mendojmë se janë të realizueshme dhe të arsyeshme edhe para faktorit përparimtarë maqedonas, si dhe atij ndërkombëtar, të cilat paraqesin interes për vet shtetin e përbashkët të Maqedonisë dhe nuk ka arsye që dikush të tregohet i ndjeshëm nga realizimi i tyre, pasi çdokush e di mirë, se me këtë lloj politike forcohet shteti, forcohet besimi i ndërsjellë midis dy popujve, më fuqishëm do ndjehet bashkëjetesa dhe më e kapshme do të jetë edhe për faktorin ndërkombëtar, gjë e cila më shpejtë do i çeli rrugët e shtetit për integrimet e domosdoshme ndërkombëtare, që populli i pret me dekada e dekada. Në Të Kundërtën nuk shkruhet mirë për këtë shtet të përbashkët.

Nëse punët vejnë mbarë, apo thënë sipas parashikimeve tona, partitë shqiptare do të dalin të urtë, të pjekura politikisht dhe fitimtarë, jo para palës maqedonase, por ndaj kërkesave shekullore të shqiptarëve dhe me automatizëm u rritet dinjiteti bashkë me shqiptarët. Në të kundërtën, nëse sërish partitë tona përçahen edhe kësaj radhe dhe nuk do të tregojnë mençurinë e duhur, zemërgjerësinë vëllazërore, nga cilado parti qoftë, populli do ta ndëshkoj në zgjedhjet lokale të pranverës 2017, pasi ky popull ka filluar të kërkoj formulë të re, apo  të “kapet edhe për gjarprin”-siç thotë populli, vetëm e vetëm për t’i  zgjidhur hallet e veta dhe nuk do të lejojë asnjëherë të bëhet vasal i vasalit. Atëherë s’mbetet gjë tjetër, vetëm të presim dhe të shohim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button