Kryetarët e 10 komunave me shumicë serbe nuk e pranojnë ministren Jevtiq

Përfaqësuesit e dhjetë komunave me shumicë serbe në Kosovë në konkluzat e takimit të përbashkët të mbajtur në Zveçan, thonë se nuk e pranojnë emërimin e Mirjana Jevtiq në detyrën e ministres së pushtetit lokal në vend të ministrit të shkarkuar Lubomir Mariq, transmeton Koha.net.

Ata shprehën, siç thonë, ‘habinë e tyre me emërimin e Mirjana Jevtiqit për ministre të pushtetit lokal dhe me vendimin e saj që ta pranojë emërimin’.

“Vlerësojmë se zonja Jevtiq nuk ka asnjë legjitimitet dhe nuk e pranojmë emërimin e saj si dhe përjashtojmë çdo mundësi të bashkëpunimit dhe komunikimit me të”, thuhet në konkluzat e takimit të publikuara në kumtesë.

Kryetarët e dhjetë komunave me shumicë serbe mbajtën një takim të përbashkët me qëllim të, siç thanë, “harmonizimit të qëndrimit të përbashkët për shkarkimin e ministrit të pushtetit lokal, Lubomir Mariq dhe zëvendësimin e tij me Mirjana Jevtiqin”.
Nëpërmjet një kumtese ata thanë se “nuk i njohin dhe nuk i pranojnë më si përfaqësues të serbëve të Kosovës deputetët serbë në Kuvend”.

“Komunat tona ndërpresin çdo kontakt dhe bashkëpunim me anëtarët e Lëvizjes së Socialistëve në institucionet në të gjitha nivelet në Kosovë dhe Metohi, sepse kjo organizatë politike është protagonist kryesor në përpjekjen për të thyer bashkimin politik serb në Kosovë”, thuhet në konkluzat e kryetarëve të komunave me shumicë serbe.

Ata vlerësojnë se “sulmin mbi interesat kombëtare të serbëve në Kosovë dhe Metohi e kanë kryer deputetët serbë në Kuvendin e Kosovës në pajtim me kryeministrin Isa Mustafa” dhe me këtë, siç thonë, “e kanë humbur legjitimitetin dhe ne nuk i pranojmë më si përfaqësues të popullit serb”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button