Berisha: 22 Marsi, kushtrim për të gjithë, të ngrihemi

Ish-kryeministri Sali Berisha u ka uruar demokratëve 22 marsin, duke e cilësuar si ditën e parë të lirisë dhe dinjitetit, ditën që me votën e lirë u rrëzua diktatura e regjimit hoxhist dhe nisi ndërtimi i sistemit demokratik. Kjo ditë, sipas tij, është apel që të ngrihemi dhe të shpëtojmë Shqipërinë. 

Mesazhi

 “Në 22 vite, ne ende nuk jemi aty ku e meritojmë, por jemi vite dritë larg asaj kohe. Sot Kosova është e lirë dhe e pavarur, Shqipëria është anëtare e NATO-s, afër marrjes së Statusit të vendit kandidat për në BE dhe renditet tashmë në grupin vendeve me të ardhura të mesme të larta. Por sot, përsëri vendi ndodhet në një udhëkryq të vërtetë. Si asnjë vend tjetër, ekzekutivi i vendit drejtohet nga një i sëmurë psikik, i mjekuar për vite e vite për sindrom bipolar dhe që me energjinë e tij negative rrënon çdo ditë këtë vend. 22 Marsi është një kushtrim, është një apel për të gjithë ata që e duan këtë vend, të ngrihemi për të shpëtuar Shqipërinë nga shpërthimet i një njeriu të sëmurë rëndë që di vetëm të rrënojë  dhe mashtrojë shoqërinë tonë”, shprehet Berisha. Mesazhi mbyllet me fjalët: “Edhe një herë Gëzuar 22 marsin, ditën e bardhë, ditën e parë të demokracisë!” 

Basha: Fitore e dritës mbi errësirën

 Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e ka cilësuar 22 Marsin, si ditën e fitores historike të demokracisë. Duke uruar shqiptarët, Basha është shprehur se integrimi i Shqipërisë në instancat e Bashkimit Europian është misioni hyjnor i Partisë Demokratike. Ai shkruan se, “22 marsi 1992 shënoi fitoren e dritës mbi errësirën. Shqiptarët rikthyen sytë drejt perëndimit dhe nisën rrugëtimin europian dhe euro-atlantik. Sot jemi anëtarë të NATO-s, Kosova është e pavarur dhe shqiptarët lëvizin të lirë në mbarë Europën. Integrimi i plotë i Shqipërisë në Europë është misioni hyjnor i Partisë Demokratike që e nisi këtë rrugë me 22 mars 1992!” Këto qëndrime të Bashës dhe Berishës vijnë në kuadër të 22-vjetorit të mbajtjes së zgjedhjeve të para pluraliste, ku Partia Demokratike u shpall fituese./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button