Bileta për ‘El Clasico’ deri në 900 euro

Real Madrid pret Barcelonën në ‘Santiago Bernabeu’ sot në derbin më të madh në botë të njohur si ‘El Clasico’. Gjigantët e La Ligës do t’i masin forcat për herë të dytë gjatë këtij sezoni, në duelin që shumëkush ka filluar ta konsiderojë si vendimtar për titull të kampionit, në rast se vendasit arrijnë të shënojnë fitore.

Skuadra e trajnerit Carlo Ancelotti udhëheq në tabelë pas 28 javësh me tri pikë më shumë se rivali i qytetit Atletico Madrid, dhe katër më tepër se kampioni në fuqi Barcelona që zë pozitën e tretë. Andaj, një fitore e Realit të dielën do t’i ngrit ata në shtatë pikë avantazh mbi katalanët dhe në pozitë mjaft të volitshme për të fituar titullin e kampionit.

Dhe, duke pasur parasysh rëndësinë e jashtëzakonshme të ballafaqimit, tifozët në ‘Santiago Bernabeu’ kanë reaguar shpejt duke blerë të gjitha biletat që kanë qenë në dispozicion, në një periudhë shumë të shkurtër, ka njoftuar e përditshmja sportive spanjolle ‘AS’.

Çmimi i biletave fillimisht ishte mes 70 deri në 340 euro, varësisht nga lokacioni në stadium. Mirëpo, ato janë ‘avulluar’ brenda ditës dhe në treg kanë mbetur edhe një numër i vogël i biletave, që nëpërmjet kanaleve të tjera të shitjes e kapin çmimin prej 300 deri në 900 euro. Për ata që së paku kërkojnë bileta nëpërmjet lidhjeve zyrtare ekziston edhe një fije shprese.

Në ditën e ndeshjes, nga ora 10 e mëngjesit, Real Madrid do t’i shesë biletat e atyre që mbajnë bileta sezonale por nuk do të përdoren për duelin në fjalë, që pritet të jenë një numër shumë i vogël duke pasur parasysh se pak kush mund të mos jetë i interesuar të ndjek një ‘El Clasico’. Bernabeu ka 83 mijë ulëse, me 65 mijë mbajtës të biletave sezonale.

Lajme të ngjashme

Back to top button