Jeto e puno keq-autogoli, mendo e ëndërro bukur-liria!

Qasje veprës poetike të Fadil Currit:

AUTOGOLI I LIRISË, Kibiz, Shkup, 2016

Përmbledhja poetike: “Autogoli i lirisë” i Fadil Currit ka të bëjë me gjënë më të tmerrshme, nëse më lejohet të shprehem, me vetëvrasjen tonë kombëtare, psikologjike e kulturore. Këtë rrjedhojë apo gjen autogoli i lirisë” të Fadil Currit mund ta ndajmë në dy kahje apo drejtime ndjenjash: një, “autogoli” si ndjenjë e keqe, djallëzore, njerëzore; dy, “lirisë” si ndjenjë e lumturisë, bukurisë, hyjnores. Kjo argumentohet me anë të poezisë: “Elegji ikjes”: “Unë po ik nga uni e uni po ik nga unë”, apo “Dashuritë po ia lëmë urrejtjes për veten kur nuk do të jemi” fq.16. Këtë përkapje origjinale të përmasës poetike e shohim si tragjedi apo dramë kulturore, gjuhësore e shpirtërore, “I shtojmë kënaqësitë e popujve tjerë me farën e suicidit tonë”, (po, aty). Kjo njohje poetike shpreh pasqyrimin e autogolit të vetëvetes sonë, ndaj unit tonë dhe nëpërmjet vetëvrasjes së lirisë sonë primordiale tragjike, arrin shkallën e depresioneve, sëmundjeve bipolare dhe sëmundjeve të tjera fizike , psikike, kombëtare, kulturore e shpirtërore.

Ç’do të thotë “Autogoli i lirisë” për vet autorin dhe ne si lexues e vështrues?

Kjo do të thotë jetë e vështirë psiko-fizike, imagjinative, dramatike e tragjike, artistike e poetike, jetë e vetëvrasjes apo autogolit të lirisë sonë.” Autogoli i lirisë” kuptohet si problem i madh historik, po dhe filozofik që ka të bëjë me kohën e vetëmbytjes së përhershme, me realitetin e botës së jashtme. Liria, autorit, nuk i duket e shëndetshme, po sëmundje paraagonike, i duket ikje: “Edhe nga vetja po ikim me litar në fyt, or i fundit mik!”, (poezia:“Elegji ikjes, fq. 17). Në përgjithësi, si nga aspekti kombëtar e patriotik, poashtu edhe kulturore e artistike, liria, për Fadil Currin është sëmundje, patologji, neurozë që na dërgon drejt vetëvrasjeve kulturore: “Poetët kanë nisur të bëhen të gërditshëm/Kur për një plesht vere e djegin jorganin dimrit/I zemërohen kopshtit jetim, shajnë atdheun tim…”.( poezia:”Vetëvrasja e metaforave”, fq.27) Autori “lirinë” e do vetvetiu, si përvojë shpirtërore, tradicionale, kombëtare e letrare origjinale se vetëm kështu liria jonë do bëhet jetëdashuri. Vetëm me këto cilësi Fadil Curri i thotë “po” lirisë, dhe kjo do jetë një “po” pa kushte. Do t’i themi “po” gjthçkaje e nëpër kësaj “po”-je, te ne do të vinte liria e Fadil Currit. Nëse kjo “po” e lirisë, e dashurisë do të ishte konvencionale, e huaj, e huazur, një imitim pa vlerë, ajo do jetë vetëm mohim, një përgënjështrim i jetës, kulturës, lirisë apo “Faltores” së rrejshme të “dashurisë”: “U ka kaluar koha e besimit/riteve të mumieve grindavece/ për nxjerrjen e puseve/ në qiellin e fantazisë,/bile edhe të kërkimit të shiut/në EvGropën e vetgroposur me djallëzi”, (Faltorja e dashurisë, fq.84.)Pra, duke jetuar me anë të “riteve të mumieve grindavece”, do t’i trembemi jetës, e kjo do të na çojë deri në “autogolin e lirisë”, për të jetuar me ndjenjat e fajit, për të qenë të hutuar, pa ditur çfarë bëjmë e çfarë nuk bëjmë. Liria e huazuar e “fantAzisë” dhe e “EvGropës së vetgroposur” kurrë s’del nga kuadri i moralit, etikës dhe estetikës liridashëse, por bëhet liri e vetëvrasjeve tona politike, kulturore, kombëtare e fetare, poeti do që: “në vend të kasollës të falltoreve mashtruese”, “të ngrenë Faltoret e Dashurisë”. Poeti nuk do ikjen e tij nga e vërteta, liria, dashuria e poezia, se vetëvetiu të shkatërron e të mbyt, ai na “lë” një porosi poetike me anë të “dhjatës së kësaj jete me hirësi/për “t’ia kumtuar botës lajmin në përjetësi”,

“NA ISHTE NJË POET FATPRERË

QË JETËN E BËRI NË SHPATË

MBI VAR(R)G I MBETI HAPUR SYRI

PËR DASHURINË LËNGATË”.(Autogoli i lirisë, poezia: “Jetë nën shpatë”, fq.59.

Çelësin e përmbledhjes poetike “Autogoli i lirisë” të Fadil Currit mund ta gjejmë: “Jeto e puno keq-autogoli, mendo e ëndrro bukur-liria”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button