Ja pse duhet të bashkohen partitë politike shqiptare!

Pas rezultateve preliminare të zgjedhjeve gjithandej flitet rreth një koalicioni të mundshëm të të gjitha partive politike shqiptare, respektivisht rreth një koalicioni gjithë-shqiptar. Qytetarët janë të ndarë në pritjet e tyre, ashtu që disa besojnë se ky bashkim do të ndodhë e të tjerët nuk besojnë një gjë të tillë. Gjithsesi, njohësit e çështjeve vlerësojnë se bashkimi i partive shqiptare nuk duhet t’i lihet në dorë vullnetit të liderëve të tyre. Një gjë e tillë është detyrim për ta, nëse vërtetë ndodhen në skenën politike për të mirën e popullit shqiptar. Në të kundërtën, jo vetëm që do të pësojë partia që do të refuzojë të bashkohet, por do të pësojë i gjithë populli shqiptar në Maqedoni, shkruan Portalb.mk.

Nazim Rashidi
Nazim Rashidi

Sipas gazetarit dhe njohësit të çështjeve politike në vend, Nazim Rashidi partitë politike shqiptare duhet të dalin nga euforia parazgjedhore, të shfrytëzojnë rastin për të mirën e shqiptarëve. Sipas tij, BDI-ja nuk duhet të injorohet nga partitë tjera shqiptare për shkak të numrit të mandateve të fituara, ndërsa BDI-ja nga ana tjetër është e detyruar të “ulë” hundën dhe të bisedojë me to.

“Të gjithë kanë thënë se janë për avancimin e çështjeve shqiptare, ja ku e kanë shansin” porosit Rashidi, “Fokusi dhe gjykimi duhet të jetë i bazuar në gjendjen faktike, ku shqiptarët mund të përfitojnë si asnjëherë më parë e jo të bëjnë kalkulime të vockla pa peshë”.

Sipas tij, votuesit shqiptarë kanë treguar një instikt të hatashëm balanci duke e amortizuar kështu Gruevskin dhe duke e bërë faktorin shqiptar më me peshë se çdo herë tjetër (edhe pse me më pak deputetë). Andaj partitë politike shqiptare duhet t’i përgjigjen me përgjegjësi situatës. Në të kundërtën, nëse partitë shqiptare do të formojnë qeveri me VMRO DPMNE-në, nuk do të humbin vetëm partitë shqiptare, por tërë populli shqiptar në Maqedoni.

Xhelal Neziri
Xhelal Neziri

Sipas gazetarit dhe analistit politik, Xhelal Neziri partitë shqiptare kanë përherë arsye të bashkohen rreth interesit të përgjithshëm, por në çdo rast interesat e ngushta personale dhe grupore janë pengesë.

“Në Maqedoni ka nevojë për bashkimin e partive, jo vetëm shqiptare, që do të mundësojnë funksionimin e institucioneve të drejtësisë dhe hetuesisë me qëllim që të pastrohet një herë e përgjithmonë me korrupsionin dhe krimin. Partitë duhet të bashkohen rreth një koncepti që do të garantonte barabarësi në të gjitha dimensionet, zhvillim dhe integrim në strukturat euro-atlantike” theksoi Neziri.

Megjithatë, sipas Nezirit, platformat janë bazë për bashkëpunimet parazgjedhore kurse numrat për ato pas-zgjedhore. Çdo bashkim apo përçarje sipas tij, nuk përjashtohet të ndodhë deri në formimin e qeverisë, por edhe pas kësaj.

LEXO: Ethet pas-zgjedhore: A do të ketë koalicion gjithë-shqiptar në Maqedoni?!

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button