Goliotoki im

Goliotoki im,

Goliotoku im, është nofka për ishullin më të mramë në rendin pasues modern të syrgjinimit bashkëkohorë.  Është, pseudonimi i një vend-arresti me fasada ngjyrash të zbehura, që “u ka dalë boja” deri në transparencë.

I rrethuar qark e tërthorë me hendek të thellë dallimesh të shpikura me shorte fatëkeqësishë e mundësishë të pabarabarta deri në kërdi banale, ishulli, zbarkohet nga kohë zotimesh të absurdeve e neverishë në sfonde syprinash me kufizime qenësie.

Aty brenda , ndodhesh me porosi të listave nga vullnete të tjetrit. Ishulli i lemerive, i ndërtuar enkas, është koncept objektesh imanente për mbushje të oborreve për alibi të palaçove ! Brenda, këtyre gardheve meskine me kordinata të limiteve paradoksale, jehojnë vargoj refrenesh kakofonik të korrit të korbave.

Goliotoku im, sot të paskësh, horizont të tërhequr zvarrë, nën një vijë-lakimi të rrethit vicioz.

Me zgjatime arqitekturash gri me efekte aristokracije të vonuar, kundërmon llahtari persekutuese nga të katër anët. Ndërkaq, hapësirat e jashtme janë nënmbulime labirintesh të pavërejtura, me orare perverse të lëvizjeve të përgjuara.

Goliotoki im, u gjend papritmas në epiqendër të shtatë detrave, me dallgë gurmane, falë talentit të shqisave të mimikrisë së dikatatorit shkurtabiq .

Goliotoku im, te paskësh qenë projekt i moçëm gjigant xhuxhësh, për oazë të rehatshme ndëshkimesh, në një kënetcë të vockël me iluzione bretkocash për mbathje, shumë larg syve koshient të ekzistencës.

Është alkatraz-imi më amatorë dhe meskin i pashalluqeve mesjetare, i rikonstruar sipas shablloneve të interpretimeve të blasfemive që vezirët mendje-asimiluar me “apendikse” të pareduktuara funksionale, ia lexonin diktatorit xhuxh` në vesh.

Është, bastioni i  fundmë i shpresave të këputura përballë mureve te reja kufitarë, me teknologji të glorifikuar gjembash me efikasitet të shtuar strategjik e perfeksionim meskin për beteja të shpifura për sakrilegje të erës së arratisjeve eksode.

Ujdhesa e qarqeve me fauna të egra predatorësh nga njëra anë dhe murret e paragjykimeve perfide të imazheve për perspektiva në anën tjetër, ia shtojnin namin prej ishulli të tmerrshëm. Ishulli i dikurshëm i behareve të kënduara pranverore, tanimë të qenka kuja e damkave acare, gjithandej ..?!

Gjithandej, gjëmojnë, pankartat e përmendjeve smirake për kanosje famoze identitetesh e autoktonishë dhe zhigosje të prushtë të numrit rendorë skllavërues në lëkurat e shpluara shpirtërore të dinjiteteve.

Kështjella drakulle e joshjes me hije errësirash të rastësive të imponuara me akuza përjashtuese e intriguese, Goliotoku im, lëngon i shtrirë  në pellgun e ujërave të ftohta, përreth soditjeve traumatike me pritje të dendura padurimesh, të shujtave të mbijetesës vrazhdë.

Goliotoku im, qenka ujdhesa e distancave me cikle motesh udhe, tejet  larg asaj toke që ma trashëguan në fillim të frymimit të qenies sime. Të qenka, ruina e shkatëruar e kalasë së besëlidhjes,  që në lindje,  tri herë ma kishin kënduar, në vesh të djathtë, kumbimin e ëmbël  të legjendës së saj.

Ishulli i izoluar me ndalesa të vizitave ç`mallëse dhe ishulli i zhbërjeve të rrepta  të nderimeve dhe dashurive të çiltëra të zemrave njerëzore. Gjithçka i nënshtrohej kontrollit të egër të moskalimit të dashamirësive të hapura dhe rigorozitetit barbar të uzurpimit të çdo shkëndije shprese që do synohej të futej brenda, si shpresë dite, muaji apo moti.

Aty ku tani, gjithçka aneksohej e grabitej, vidhej e rrënohej, me indiferencë legale, haptazi, e me transparencë injoranti, pa skrupull, pa pardon, pa turp, vetëm nën pretekstin e regullave të pashkruara të pushtetit të improvizuar të analfabetëve… ! Ah…ah…Goliotoki im !

Goliotoku im, aty ku sot asociohet sinonimi i normave hipokrite, simboli i jetëve të sosura në mashtrim, të jetë metafora e dënimeve të mendjeve të ndritura, me procese të montuara me dekretin e “mbretërve analfabetë”. Mbase, të jetë ujdhesa famëkeqe e zullumit mbi qenien e shpirtin e pafajshëm njerëzorë.

Goliotoku im, kjo gërmadhë nënshtrimesh e  vuajtjesh, poshtërimesh e përçnderimesh të sovranitetit të brezave me lozje fëmijësh, me këngë vashash, me garime çunash, me urata prindësh e bekime pleqësh, të qenka konvertim kadastre në “hapsanenë” e të tjerrave caqe e të tjerra misioneve.. !

Ky ishull i Ri, të ndodhej jo me pahir,  në mes ujërave të trazuara me dallgë të vështira jete. I shndëruar tanimë, në bastion të robërimeve të tmerrshme, në fortifikatë të kobshme të ëndrrave dhe ambicieve, shpresave dhe përkushtimeve . ishull- burgu i ri i afsheve të njoma të imagjinatave dhe vizioneve me bekim ardhmërie.  Ishulli i bishave  të zgjebura të ditës dhe shtrigave hermafrodite të natës.

Goliotoku im dikur ishte rrëfimi përallorë me fabulë  misterioze të  protagonizmit kolosal të asaj qenie bashkëkohore që kundrohet  me kultin e ikonës sotme  dhe po aq, historia mistike e kuriozitetit të ekzistencës  së djeshme deri në një bartje mishërimi të një legjende të koduar deri në psalm të së një nesërmeje..!

Goliotoku Im, duhej të ishte – Emëruesi i përbashkët i testamentit te dyllosur shpirtërorë të thesarit të trashëgimive të Lashtësisë hyjnore, përtej imagjinate,të shkrirë në ndriçim krenarie e sedre rrënjësh fisnore dhe  njëkohësisht ninulla sublime e imazhit  dhe kultivimit të Lutjes së Madhe nën dashurinë e amshimeve miqësore,të lashtë sa vetë jeta e toka.

Do të duhej të kishte mbetur, nahia e  amanetit të ngjizur fëmijnorë, tek pandehej ballë-lartësimi i “kujtdoqofshit”  në gjirin e shenjtë të lirisë “tejkrahinore” e “tejpersonale” – përtej kufijve mendorë e paragjykues në allatarin identifikues. Të vetmin alltar, që s`ia del pa mos fliju, për çdo natë nga një ëndërr dhe për çdo ditë nga një uratë vehteje..!

Mandej me sakrificë të përmotshme në ceremoni Feste e Vaji , me pakime dhe sht`ime , me zmbrapsje dhe hapërime këmbëngulëse;  me stemë të vulosur njerëzie në ballë drejt ishullit me sfida shkretirash, ku sizifi djerësonte tamlin e nanës, në tokën e përveçme me rrënjë që përcjellin gjer` n`vdekje….

Goliotoki im – Olimpi im i përditshëm hyjnor

Goliotoku im, ah Jerusalemi im

Goliotoku im – ah, Vendlindja ime…

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button