Janë publikuar 100 kompanitë më të suksesshme në vitin 2016 të OEMVP-së (VIDEO)

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP) sot i shpalli 100 kompanitë më të suksesshme nga radhët e anëtareve të saj në vitin 2016. Oda e bën zgjedhjen për herë të gjashtë përmes katalogut që përmban analiza të potencialit të kompanive në bazë të kritereve për qarkullimin e tyre vjetor, fitimin dhe numrin e të punësuarve.

Sipas zgjedhjes së bërë, mes firmave më të suksesshme këtë vit janë “Neptun”, “Dauti Komerc”, “Bas Tuti Fruti”, “Kiper Market”, “Pofiks”, “Trim”, “Alma M”, “Instalacia”, “Prince Enterprajs”.

Sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore Nebi Hoxha, kompanitë edhe krahas krizës ekonomike dhe politike dhe kërkesës së zvogëluar kanë arritur t’i mbajnë pozitat në top 100.

“Pasi që jemi dëshmitarë të krizës politike dhe ekonomike e cila mbizotëron në vend problem kryesor për shumicën e biznesit tonë është vështirësia për mjete financiare. Të gjitha bizneset vitin e kaluar u ballafaquan me kërkesë më të vogël, si në tregun e brendshëm ashtu edhe atë të jashtëm. Megjithatë shumica e kompanive të kualifikuar në top 100 arritën t’i mbajnë pozitat e tyre mes 100 më të mirëve madje dhe nga viti i kaluar”, tha Hoxha.

Ai vlerësoi se kompanitë kanë demonstruar ndryshime, vizion dhe udhëheqje konstruktive.

“Të dhënat statistikore tregojnë se qarkullimi i 100 kompanive më të mëdha është mbi 622 milionë euro me neto fitim që arrin deri 36 milionë euro. Numri i të punësuarve është rreth 5.000. Ky është tregues për zhvillim të këtyre kompanive në pajtim vendimet e mira të menaxhuesve të tyre”, tha ministri i Ekonomisë Driton Kuçi.

Rezultatet pozitive të këtyre kompanive, theksoi Kuçi , janë konfirmim për përcaktimin ndaj politikave ekonomike për zhvillim pa marrë parasysh gjendjen e komplikuar politike dhe pasigurinë e firmave për vendosje.

Në shpalljen e kompanive morën pjesë ministrat e Financave Kiril Minoski dhe i Drejtësisë Valdet Xhaferi, njerëzit e parë të Odës Ekonomike të Maqedonisë, Lidhja e Odave Ekonomike, Oda Ekonomike Maqedoni-Bullgari, ambasadorë.

Lajme të ngjashme

Një koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button