Temë serioze me trajtim joserioz

[Recension : Lëvizja BESA i keqpërdor fëmijët në tubime, shikoni se si i mbush sallat me fëmijë (FOTO)]

Në fushatat parazgjedhore në media po etablohet një prektikë shumë e ligë – akush nuk njeh askënd. As gazetari etikën e standardet, e as standardet dhe etika – gazetarin. Sigurisht se kur flasim për gazetarinë ose gazetarin në këtë formë, flasim për ata që e bëjnë gazetarinë për përfitime personale, e jo për ideale profesionale dhe për interesin publik ose të popullatës. Herave tjera kanë qenë dy tabore që kanë luftuar për votat e njëjta, kurse tani janë më shumë parti në kërkim të votës së njëjtë. Dhe kjo e bën luftën për “karrike” (edhe në përmbajtjet mediatike) akoma më të ashpër.

levizja-besa-i-keqperdor-femijet-ne-tubime-shikoni-se-si-i-mbush-sallat-me-femije-foto-tetova-sotLinku deri te artikulli origjinal: Lëvizja BESA i keqpërdor fëmijët në tubime, shikoni se si i mbush sallat me fëmijë (FOTO)

Data dhe koha e publikimit: 02.12.2016

Data e recensionit: 04.12.2016

Recensuese: Ferikan Iljazi

Teksti që po recensojmë me të drejtë ka ngritur një shqetësim serioz.  Po të ishte shkruar nga ndonjë medium që pretendon kredibilitet më të lartë, do ta kishim marrë me më shumë seriozitet. Por, duke analizuar shkrimet e këtij mediumi dhe anshmërinë që e ka, do të ja lejoj vetes të them se ky tekst është shkruar qëllimisht vetëm për të dëmtuar subjekt të caktuar politik dhe për të favorizuar ndonjë tjetër. Sepse, një tekst i tillë do të shkruhej ndryshe dhe në mënyrë shumë më  gjithpërfshirëse, sidomos nëse vazhdimisht i përcjellim lajmet me të cilat dëshmohet se ka edhe shumë tubime të partive të tjera ku janë prezent fëmijët (në të shumtën e rasteve në prani të prindërve të tyre).

“Lëvizja Besa ne pamundësi për të grumbulluar votues dhe në mungesë të përkrahjes, klasat e vogla në të cilat i mban takimet i mbush me fëmijë dhe disa pleq. Kjo dëshmohet edhe në fotot e siguruara nga Aktuale.mk nga një takim që është mbajtur në vendlindje e Kryetarit të kësaj partie, në Llërcë të Komunës së Zhelinës. Siç shihet edhe në fotografitë e siguruara, klasa është e mbushur me fëmijë që paraqet edhe shkeljen e Kodit Zgjedhor dhe keqpërdorim të fëmijëve në fushata zgjedhore”

Në fotografitë që janë prezantuar në tekst duken fëmijët. Por, përse atëherë nuk është munduar gazetari të kërkojë qëndrim nga partia e cila akuzohet për keqpërdorimin e fëmijëve? Për më tepër, përse jepen këso lloj kualifikimesh, kur përmbajtja informative, lajmi apo raporti, duhet të shërbejë vetëm për informim, e jo për komentim? Në përmbajtje mund të citohej ligji dhe të merreshin persona kompetent që do të flisnin për shkeljet e Kodit Zgjedhor, ligjeve dhe konventave që mbrojnë të miturit dhe fëmijët dhe kështu do të kompletohej tema “pa e njollosur” përmbajtjen dhe median me vlerësime personale. Por, ja që më e lehtë është që të jepen komente, se sa të jepet mund dhe kohë për marrjen e qëndrimeve të palëve të ndryshme.

“Avokati i Popullit para disa ditëve në një prononconim për media bëri apel që pjesëmarrësi në fushatë zgjedhore të mos keqpërdorin fëmijët në fushatat e tyre parazgjedhore, por me sa duket ky apel nuk ka arritur në veshët e udhëheqësisë së kësaj partie politike. Siç shihet edhe nga fotografitë në këtë takim ka qenë i pranishëm edhe vet nënkryetari i kësaj Partie, Adnan Azizi dhe në prezencën e tij janë keqpërdorur fëmijë për qëllime partiake”

Keqpërdorime të tilla (ashtu siç emërtohen në tekst) ka pasur edhe prej partive të tjera. Për shembull, mediat informuan se partia në pushtet nëpër tubime ka nxjerrë fëmijët e dëshmorëve të UÇK-së,  për poentim politik, që mund po ashtu të cilësohet si keqpërdorim, ndoshta edhe më i keq.

Avokati i Popullit, pas sa e sa kohë fushatë, doli në sipërfaqe dhe kritikoi keqpërdorimin e fëmijëve, gjë për të cilën organizatat e tjera për mbrojtjen e fëmijëve dhe ato që i monitorojnë zgjedhjet qëmoti kishin alarmuar. Duhet theksuar se reagimi i Memetit erdhi pas një sërë reagimesh të portaleve “proqeveritare” për keqpërdorimet e fëmijëve në fushatë, mirëpo duke theksuar në mënyrë selektive se keqpërdorim ka bërë vetëm një subjekt. E kritikat, edhe nga institucionet por edhe nga mediat, duhet të shkojnë në adresë të të gjithëve.

Sipas Kodeksit të Gazetarëve të Maqedonisë,

  • Gazetari nuk guxon të shfrytëzojë mediumin për publikimin ose fshehjen e informatave për përfitimin e të mirave për vetveten.
  • Ryshfeti, korrupsioni dhe reketi janë të gjëra të papërputhshme me profesionin e gazetarit.
  • Nuk guxon të lejohet që reklamimi dhe motivet tjera komerciale të kenë influencë mbi lirinë e informimit.
  • Duhet pasur dallim mes reklamimit dhe tekstit gazetaresk me ilustrim.

 


Ky recension është përgatitur në kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky recension është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button