Shqiptarët duhet t’i thonë Gruevskit “JO!”

Ende pa nisur negociatat për koalicion të mundshëm për formimin e Qeverisë së ardhshme, pas zgjedhjeve të parakohshme të 11 dhjetori, opinioni shqiptarë në Maqedoni kërkon që të “izolohet” Nikolla Gruevski dhe partia e tij nga ana e shqiptarëve. Njohësit e rrethanave politike në vend porosisin se duhet thënë “JO!” këtij të fundit, i cili kurorëzoi fushatën e tij parazgjedhore me retorikë të spikatur nacionaliste, shkruan Portalb.mk.

Hani: Mesazhi i elektoratit shqiptar ishte i qartë!

Albert Hani
Albert Hani

Analisti politik Albert Hani, në deklaratën e tij për Portalb.mk vë në theks se populli shqiptar dha mesazh të qartë për atë se çka pret nga politikanët.

“Politikanët e zgjedhur nuk duhet të shkojnë kundër dëshirës së popullit dhe të përkrahin parti politike që i keqpërdor shqiptarët e Maqedonisë për tu pozicionuar më mirë në shoqëri. Edhe pse me më pakë mandate për deputetë në këtë përbërje të re të Parlamentit, pozita politike e shqiptarëve është tejet e lakmueshme. Nëse mençuria mbizotëron egon, politikanët e zgjedhur jo vetëm që formalisht mund faktorizohen, por mund që të kenë të drejtën e vetos në proceset vendimmarrëse. Tani dialogu i mirëfilltë ndërpartiak është më se i nevojshëm”, tha për Portalb Hani.

Hani kujton se për ta arritur këtë duhet që në sipërfaqe të dal individ, grup ose institucion që do ti ndërmjetësojë nevojat dhe interesat ndërpartiake, duke pas si bazë për dialog konsensusin për çështjet madhore me interes nacional shqiptar.

Arifi: Vota e shqiptarëve ishte e qartë dhe e zëshmë

Profesoresha universitare Besa Arifi
Profesoresha universitare Besa Arifi

Profesoresha universitare Besa Arifi, në kolumnën e saj të fundit për portalin NovaTV ka shkruar se votat shqiptare si qytetarë të këtij vendi e plotësuan kushtin e parë për ta rrëzuar regjimin, ishte publike, e përkrahën opozitën të udhëhequr nga LSDM.

“Vota e shqiptarëve ishte e qartë dhe e zëshme. Kushti i dytë duhet që tani të plotësohet. Këtë kusht duhet ta plotësojnë politikanët shqiptarë. Tani është radha e tyre. Ata duhet pa kompromis ta izolojnë Nikolla Gruevskin dhe VMRO-DPMNE-në dhe për asnjë kush, absolutisht për asnjë, të mos koalicionojnë me gruevskin. Me këtë akt, partitë politike shqiptare do të kontribuonin në ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe dhënies së përgjegjësisë për krimin e bërë”, shkruan Arifi.

Memedi: “Kamxhiku” për ta dënuar Gruevskin është në duart e shqiptarëve

Deniz Memedi
Deniz Memedi

Politikologu Deniz Memedi vlerëson se partitë politike shqiptare tash e kanë “kamxhikun” në duart e tyre dhe munden të i japin dënimin e merituar Gruevskit për retorikën shoviniste dhe politikat antishqiptare që e  ka bërë për gati 10 vite.

“Një tabllo ideale do ti kishte bashkuar gjithë subjektet politike shqiptare me qëllim të realizimit të kërkesave të popullit shqiptar. Mirëpo, kjo do të jetë shumë e vështirë duke pasur parasysh përvojën e situatës parazgjedhore ku partitë opozitare nuk arritën të gjejnë gjuhën e përbashkët për të shkuar me një listë të përbashkët në zgjedhje. Sidoqoftë, tash kemi një situatë të re premtuese, që partitë politike do t’i detyron vëmendshëm ti bëjnë lëvizjet e tyre nga shkaku se panë që elektorati dinë të vlerëson se kush duhet ta përfaqësojë në dhomën e përfaqësuesve dhe gabimi eventual do të jetë edhe më ndëshkues në zgjedhjet e radhë”, deklaroi për Portalb Memedi.

Saraçini: Partitë shqiptare kanë dhënë fjalën publikisht se s’ka koalicion me VMRO-në

Petrit Saraçini
Petrit Saraçini

“Vallë mendoni se mes partive politike të shqiptarëve, pas këtij mesazhi nga elektorati, do të ketë ndonjë që do të bëjë qeveri me Gruevskin dhe MVRO-në? Po ua them përsëri, çka s’bën vaki. Edhe pse, 2-3 ditë para zgjedhjeve, përfaqësuesit e katër partive/koalicioneve shqiptare, në televizion kombëtar, publikisht dhanë fjalën se nuk do të bëjnë koalicion me Gruevskin, nuk përjashtohet se është e mundshme që në mesin e tyre të ketë ndonjë të tillë që e bën edhe kalkulime të tilla “heroike””, theksoi për Portalb analisti politik Petrit Saraçini.

Megjithatë, shton ai, le të mos harrojnë partitë e shqiptarëve, po afrohen zgjedhjet lokale.

“Përveç kësaj, duke pasur parasysh rezultatet e zgjedhjeve të së dielës, është shumë e mundshme që së shpejti përsëri të kemi zgjedhje parlamentare. E çmimi i shërbëtorllëkut ndaj atyre që përjetojnë shqiptarët si “indianë”, në këto zgjedhje u doli shumë i lartë. Dhe ai do të rritet, në çdo cikël të ardhshëm zgjedhor”, përfundoi Saraçini.

Kujtojmë se Nikolla Gruevski, VMRO-DPMNE me megafonët e tij fushatën parazgjedhore e shfrytëzoi edhe për të mbjellë frikë ndaj elektoratit, duke i vlerësuar qëndrimet e shqiptarëve të rrezikshme për ardhmërinë e vendit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button