Limaj: Prizreni s’e meriton të qeveriset me SMS

Lideri i “Nismës për Kosovën”, Fatmir Limaj, ka kritikuar nëpërkëmbjen që po i bëhet Prizrenit. Sipas tij, qyteti historik është më i papërfaqësuari në institucionet qendrore të vendit. Në tubimin gjatë të cilit është themeluar Këshilli Inicues, Limaj ka theksuar se Prizreni nuk e meriton të qeveriset nga restorantet dhe përmes të SMS-ve.

Sipas Fatmir Limajt, Prizreni ka traditë, prandaj nuk mund të shërbejë si një vend ku mund të shkosh për shëtitje, të ushqehesh, të bësh çfarë të duash dhe në mbrëmje të ikësh pa çarë kokën se çfarë ndodhë me prizrenasit, bën me dije “Zëri”.

“Prizreni më nuk mund të shërbejë si një rezervuar ose si strajcë ku merren shumë vota dhe të qeverisni me njerëz të cilët s’kanë lidhje me qytetin dhe kurrë s’kanë shërbyer për të. Prizrenasve askush më nuk guxon as t’i bëjë shantazh e as t’i frikësojë, sepse “Nisma” është këtu”, tha ai.

Limaj u tha prizrenasve që kanë traditë që të reagojnë, pasi dihet se nuk pajtohen me këtë gjendje, ndërsa tha se NISMA nuk do t’ua bëjë me gisht se kush duhet ta drejtojë qytetin, pasi këtë e dinë ata që jetojnë këtu, e të cilët nuk duhet të heshtin.“Kam një porosi për parapolitikën. Harrojeni Prizrenin. Nuk do të jetë çerdhja juaj. Tani Prizreni nuk do të jetë vendi ku fshehurazi nëpër restorante vendoset për fatin e këtij qyteti. Prizreni nuk do të qeveriset nga analfabetët. Nuk do të lejohet që grupe dhe individë të përcaktojnë si duhet të sillen me qytetarët”, tha ai.

Lajme të ngjashme

Back to top button