Mali i Zi nuk mund ta ndihmojë Kosovën për liberalizimin e vizave

Kosova duhet ta ndërtojë fillimisht pozicionin e vet karshi demarkacionit, para se të kërkojë nga Mali i Zi që ta ndihmojë atë në tejkalimin e bllokadës së krijuar rreth ratifikimit të marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare, thonë njohës të së Drejtës Ndërkombëtare dhe analistë politik, transmeton REL.

Fillimisht, ishte kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ai i cili i drejtoi një shkresë Podgoricës zyrtare. Përmes kësaj letre, ai i kërkonte një lloj favori Qeverisë së Malit të Zi, përkatësisht që Podgorica t’i drejtohej Bashkimit Evropian me kërkesën që liberalizimi i vizave për Kosovën të mos kushtëzohet me demarkacionin e kufirit ndërmjet dyja shteteve.

Kurse të dielën, me nismën e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, në Shkodër të Shqipërisë, u realizuar takimi ndërmjet Mustafës dhe homologut të tij nga Podgorica, Dushko Markoviq.

Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti thotë se nismat diplomatike janë të mirëseardhura. Por, ai nuk beson që kjo çështje zgjidhet përmes takimeve të tilla, nëse Prishtina zyrtare nuk e formëson fillimisht pozicionin e vet, duke përfshirë pushtetin dhe opozitën karshi demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

“Nëse kemi përfundimisht qëndrimin që ne demarkimin e kemi bërë në mënyrë të duhur, atëherë duhet ta procesojmë dhe ta miratojmë në Kuvend. Në të kundërtën, nëse kemi dëshmi që demarkimi është bërë në mënyrë jo të duhur, atëherë duhet që sërish të ulemi në bisedime, t’i prezantojmë faktet e reja dhe me Malin e Zi të gjejmë një konkluzion të përbashkët”.

“Mendoj që opsioni i dytë bie nga kombinimi, sepse ne ende nuk e kemi të qartë dhe nuk e kemi fillimisht pozicionin tonë të brendshëm si Kosovë karshi kësaj çështjeje”, ka thënë Afrim Hoti, për Radion Evropa e Lirë.

Ratifikimi i demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, nga Komisioni Evropian, i është vënë kusht Kosovës për liberalizimin e vizave. Aktualisht, marrëveshja e arritur për shënjimin e vijës kufitare po kundërshtohet ashpër nga opozita dhe një pjesë e deputetëve nga partitë në pushtet, me pretendimin se ajo i ka humbur Kosovës një pjesë të territorit buzë vijës kufitare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button