Kandidati i RDK, Enver Osmani premton se do të jetë zëri i diasporës

Profili politik dhe jetësorë, i kandidatëve të diasporës shqiptare, shtrohet si një çështje që karakterizon interesin e mërgimtarëve shqiptarë me të gjitha tiparet e një fushate elektorale. Tendenca e diasporës për të njohur më mirë zërin që do t’i përfaqësojë në Parlamentin e Maqedonisë, ka shtuar angazhimin e kandidatëve për të shpalosur pikëpamjet e tyre, përballë një përvoje të re në të ardhmen.

Prezantimi i kandidatëve të diasporës, gradualisht po sqaron edhe dilemat, drojën dhe lidhshmëritë që deputeti i diasporës mund të krijojë me vendin e Origjinës.

Kandidati i  RDK-së për deputet të diasporës në njësinë zgjedhore 7 për Evropë, Enver Osmani,  është nga Debreshi i Gostivarit. i njohur në mesin e diasporës shqiptare në Zvicër, ai dëshiron të jetë zëri dhe ura lidhëse e diasporës me vendlindjen.

Zhvillimet politike në vend, pengesat burokratike për mërgimtarët, krijimi i një klime më të favorshme investuese në vendlindje, gjithmonë kanë tërhequr vëmendjen e Enver Osmanit. Këto rrethana kanë shtuar ambiciet e tij për tu angazhuar në politik.

Nevoja e diasporës shqiptare për të pasur zërin e saj në Parlamentin e Maqedonisë është e madhe, deklaron Osmani në një intervistë për albinfo.ch.

“Pozita ime si deputet do t‘u kishte ndihmuar jo vetëm qytetarëve jashtë vendit, po edhe sistemit të atjeshëm në thjeshtimin e procedurave burokratike, duke sjellë përvoja nga vendi ku jetojmë”, thotë Osmani. Ai vlerëson se  më shumë flitet sesa është bërë për diasporën.

“Është krijuar kjo përshtypje. Fatkeqësisht diaspora po bëhet faktor vetëm para zgjedhjeve. Është folur më shumë sesa është bërë për diasporën, por në realitet nuk shihen rezultate konkrete. Pikërisht ne duhet ta ndryshojmë këtë kurs të politikës së deritanishme me praninë tonë në institucionet e vendit”.

“Do të kishte qenë mirë që të ishte vetëm një kandidat i përbashkët shqiptar, por shtrohet pyetja, kush është i legjitimuar ta caktojë një të tillë. Kjo tregon se liderët tanë në Maqedoni nuk janë në gjendje për të gjetur një konsensus të përbashkët, në këtë mënyrë parashtrohet pyetja cili do të ishte institucioni që do të merrte një rol të këtillë. Këtë, për shembull, mund ta bënte Lidhja Shqiptare e Diasporës së Maqedonisë. Do të kisha propozuar ndoshta një debat mes kandidatëve, pse jo edhe me ata maqedonas, për të parë se kush është adekuat për të përfaqësuar interesat e diasporës në institucionet e vendit. Por, legjitimitetin do ta fitojmë pas zgjedhjeve nga votat e popullit. Mua këtë herë më ka nominuar subjekti politik nga Maqedonia, RDK”, thotë Osmani.

Lajme të ngjashme

Back to top button