Matematikat zgjedhore, zona numër 6

Konfiguracioni i zonës. Njësia numër gjashtë është njëherësh njësia me më shumë shqiptarë dhe me më shumë votues. Ajo shtrihet në pjesën veriperëndimore të Maqedonisë, nga fshatrat e Kërçovës në jug deri në kufirin me Kosovën në veri. Zona ka 11 komuna, prej të cilave 9 janë me shumicë shqiptare, ndërsa Rostusha dhe Jegunovca kanë shumicë maqedone.

Në bllokun politik shqiptar zona dominohet nga komuna e Tetovës nga e cila zakonisht dalin 32.000 vota shqiptare, e pasuar nga Gostivari me rreth 22.000. Më pas vijnë katër komuna të mëdha rurale me rreth 10.000 vota shqiptare secila: Vrapçishti, Bogovina, Zhelina dhe Tearca. Pas tyre vjen pjesa rurale e Kërçovës dhe në fund komuna e përzier e Bërvenicës dhe pjesa e Dibrës që gjendet në këtë njësi.

Me numrin e madh të votave dhe diversitetin e saj, zona 6 është më kompleksja për t’u analizuar në kampin politik shqiptar. Por nisur nga disa karakteristika lokale, për hir të kësaj analize atë politikisht mund t’a ndajmë në disa pjesë. Duke nisur nga jugu drejt veriut kemi: Kërçovën, Dibrën, Gostivarin, aksin Gostivar-Tetovë (komunat Vrapçisht, Bogovinë dhe Bërvenicë), komunën e Tetovës dhe trekëndëshin Tetovë-Shkup-Kosovë (komunat Zhelinë, Jegunovcë dhe Tearcë).

Si çdoherë, zona 6 përsëri është zona me më tepër votues dhe votuesi i kësaj njësie llogaritet më pak se ata të njësive tjera. Në fakt zona 6 i bën këto zgjedhje jolegjitime, sepse numri i votuesve të saj tejkalon 5% e paraparë me ligj. Këtë vit ajo ka 314.000 votues, 5.6% më tepër se mesatarja dhe 31.500 votues apo 11.1% më tepër se zona numër 3.

Zgjedhjet e mëparshme. Gjashtësha është zona që rregullisht nxjerr më tepër se gjysmën e deputetëve shqiptarë. Shqiptarët këtu përbëjnë mbi 70% të elektoratit. Por kjo zonë njëkohësisht është zona ku votohet më së paku. Dalja zakonisht sillet rreth 50%.

Numri i deputetëve shqiptarë që nxjerr kjo njësi varet nga dalja e shqiptarëve në zgjedhje. Në vitin 2008 janë fituar 16 deputetë shqiptarë, ndërsa në dy zgjedhjet e ardhshme nga 15. Fituese edhe këtu ka qenë përherë BDI.

Rezultatet nëpër vite:

  2008 2011 2014
BDI 56.300 49.300 62.800
PDSH 45.800 35.600 34.600
RDK 17.300 9.700
DR 3.000
PPD 5.800 260 380
BDSH 4.300 2.400

 

Deputeti i fundit në zgjedhjet e vitit 2014 është zgjedhur me 6.500 vota, por në zgjedhjet paraprake pragu ka qenë vetëm 6.000. Nëse ngel dalja prej 50% pritet që për një deputet të duhen 6.500 vota, për dy 13.000, për tre 19.500 vota, për katër 26.000, për pesë 32.500, për gjashtë 39.000, për shtatë 45.500 dhe për tetë 52.000. Numri i saktë i votave të duhura normalisht do të varet nga dalja në zgjedhje.

Matematikat e BDI. Në zonën 6 BDI hyn me tre përparësi që nuk i ka në zonat tjera. Së pari këtu nuk ka ndodhur ndonjë incident sigurie apo rast i montuar të llojeve të Kumanovës që do t’a kishte dëmtuar rëndë nga afër. E dyta në këtë zonë BDI ka pushtetin në nëntë komuna, që përveç pushtetit qendror i jep një fond shtesë votash nga të punësuarit në institucionet lokale dhe do të thotë se ka shtrirje në tërë zonën. E treta dhe më e rëndësishmja, në këtë zonë gjenden fshatrat e Kërçovës që votojnë pro-BDI-së në përmasa të papara kudo tjetër. Këto fshatra zakonisht i sigurojnë asaj avantazh prej 8-9 mijë votash që në start.

Nga ana tjetër zona 6 edhe më tej mbetet zona ekonomikisht më e varfër dhe më e anashkaluar në vend, fenomen që përherë shkon në dëm të pushtetit. BDI poashtu ka bërë gabime strategjike me listën e kandidatëve që ka propozuar në këtë zonë. Për shembull i vetmi ndryshim ndër pesë pozitat e para është zëvendësimi i deputetit popullor Hazbi Lika me figurën kontraverze Branko Manojlovski, në kurriz të degës së Tetovës. Në pozitat fituese nuk ka më asnjë kandidat nga Tearca, Zhelina, Bogovina, Vrapçishti e Bërvenica, e kjo mund t’i kushtojë shumë partisë në këto komuna të mëdha rurale. I pari kandidat nga dega e madhe e Tetovës ndërkaq vjen pas Branko Manojlovskit.

Anketat tregojnë se BDI nuk ka më shumicën e votave shqiptare dhe se realisht sillet rreth 40% të elektoratit shqiptar. Nëse në këtë zonë dalin rreth 100 mijë vota shqiptare ashtu si vitet e kaluara, atëherë BDI duhet të presë rreth 40.000 vota, pra të luftojë për deputetin e gjashtë.

Në të njëjtin konstatim mund të vijmë nga numri i deputetëve. Pasi përsëri pritet që kjo zonë të nxjerrë 15 deputetë shqiptarë, duke supozuar se BDI nuk ka më shumicën, një maksimum absolut i saj është shtatë deputetë, me çka të paktën tetë do të ngelin për opozitën. Për momentin ky duket skenari më optimist i BDI-së.

Përndryshe strategjia e BDI-së me siguri do të jetë të maksimizojë votat aty ku është më e fortë dhe të marrë sa më tepër që mundet gjithandej. Ajo pritet të ketë rezultat të shkëlqyeshëm në Kërçovë e Dibër dhe të marrë grumbullin e njëjtë votash në Gostivar. Intensiteti i përkrahjes pastaj bie nga Vrapçishti e tutje, sidomos në komunat rurale të Tetovës ku nuk ka asnjë kandidat në pozita fituese. Në Tetovë pritet përkrahje në malësi dhe diçka më pak në qytet. Sidoqoftë BDI duhet të ngelet e kënaqur nëse merr 40 mijë vota dhe gjashtë deputetë dhe e stërkënaqur nëse arrin deputetin e shtatë.

Matematikat e PDSH. PDSH përsëri do të kërkojë votat aty ku i ka patur përherë – në komunën e Tetovës. Me këtë strategji në mendje ajo ka ndërtuar edhe listën e deputetëve, ku tre kandidatët e parë vijnë nga Tetova, ndërsa të ardhshmit nga komunat rurale të saj. PDSH pra do të tentojë të maksimizojë votën në Tetovë dhe të marrë ç‘mundet në komunat tjera. Ndër to më fortë si duket qëndron në Tearcë, e pastaj diçka më dobët në Zhelinë e Bogovinë. Ajo ka anashkaluar totalisht rrethet e Gostivarit, Dibrës e Kërçovës, ku si duket gjithë strukturat e saj kanë kaluar te Aleanca.

Kjo politikë përjashtuese ndaj pjesëve tjera të zonës aspak nuk është naive siç mund të duket me të parën. Kryetari i PDSH Menduh Thaçi më mirë  se kushdo tjetër e ka kuptuar se partitë ngriten e bien në Tetovë dhe se përderisa ka vota në Tetovë nuk do të zhduket nga skena politike. Më tepër se lokalizëm, qasja e tij është krejtësisht racionale dhe matematikore. Vetë komuna e Tetovës zakonisht ka 32 mijë vota shqiptare, ndërsa së bashku me pesë komunat rurale që gravitojnë kah Tetova bëhen 65 mijë, edhe atë me dalje 50%. Të kesh gjysmën e këtyre votave do të thotë që t’i kesh pesë deputetë. Nëse nuk mjaftojnë për të fituar, koncentrimi në rrethin e Tetovës siguron se partia përherë mbetet gjallë në skenën politike.

Sidoqoftë paraqitja e partive të reja duhet t’ia kenë ulur dukshëm rejtingun PDSH-së edhe në Tetovë. Ajo duhet të mbetet e kënaqur nëse siguron të paktën një të tretën e votave opozitare, apo 20% të totalit, pra rreth 20.000 vota. Me këto ajo do të sigurojë tre deputetë, ndërsa me pak fat mund të atakojë edhe për të katërtin. Me kaq lartë-poshtë mbyllet rrethi i mundësive të PDSH-së në këtë zonë.

Matematikat e “Aleanca për SHQIPTARËT”. Pasi është parti e dalur nga PDSH-ja, pritej që strategjia e Aleancës të jetë kërkimi i votave aty ku i ka PDSH-ja, në Tetovë me rrethinë. Por Aleanca si duket ka zgjedhur strategji tjetër në këtë zonë: të nisë nga jugu drejt veriut, pra nga Gostivari. Dy nga kandidatët e dytë nëpër lista vijnë nga Gostivari dhe vetë koalicioni filloi dhe mbaroi fushatën në Gostivar. Për Tetovën ajo ka rezervuar vendet nga i treti deri në të pestin, ndërsa në pozitat fituese nuk ka përfshirë asnjë nga komunat rurale të zonës.

Me këtë strategji Aleanca do të tentojë të maksimizojë votat në Gostivar dhe rrethinë, duke mbledhur gjithçka ka patur PDSH-ja dhe pjesën më të madhe të RDK-së. Nëse në Gostivar e Vrapçisht Aleanca arrin të fitojë votat e dikurshme të PDSH-së dhe gjysmën e votave të RDK-së, ajo veçmë do t’i ketë rreth 10 mijë vota nga këto dy komuna.

Më tej nëse ka arritur të fitojë 30% të votave të PDSH-së në Tetovë me rrethinë Aleanca do t’i ketë 8-9 mijë vota tjera. Përveç tyre asaj i duhen të merr 500-1000 vota në Kërçovë, ku Aleanca duket se ka depërtuar më tepër se partitë tjera.

Aleanca sipas të gjitha gjasave i ka votat për dy deputetë. Nëse arrin të mbledhë 30% të PDSH-së në Tetovë me rrethinë ajo do t’i ketë tre deputetë, ndërsa nëse tejkalon këtë do të atakojë për të katërtin. Për të zgjedhjet përfundimisht do të vënë në test strategjinë e fokusimit në Gostivar, në vend të Tetovës, ku përherë ka qenë fondi më i madh i votave të PDSH-së.

Matematikat e “RILINDJE ME BESË”. Si gjithkund Besa si lëvizje e re është më e rënda për t’u lexuar. Në zonën 6 duket se ajo ka zgjedhur rrugën e kundërt nga Aleanca, pra nga veriu drejt jugut, pasi duket më e fortë në trekëndëshin Tetovë-Shkup-Kosovë, konkretisht në Tearcë e Zhelinë. Nga këto vende vijnë bartësi i listës Bilall Kasami dhe i pesti në listë Amir Elezi.

Në qytetin e Tetovës Besa duket diçka më e dobët, por gjithmonë duhet të kihet parasysh se fondi i madh i votave në qytet do të thotë që aty secila parti do të merr vota. Besa assesi nuk e ka anashkaluar këtë komunë, ku ka kandidatin e tretë dhe të katërt në listë. Ajo poashtu duket se ka shtrirje të mirë në aksin Tetovë-Gostivar, gjegjësisht në komunat e Bogovinës dhe Bërvenicës. Në Gostivar do të tentojë të fitojë sa më tepër vota nga RDK-ja, nëpërmjet kandidat të dytë të listës Fadil Zendeli.

Kur bëhet fjalë për numrin e votave, Besa mbetet mister më i madh në këtë zonë. Pyetja e vërtetë këtu është sa nga rreth 60 mijë votat e pritura opozitare të njësisë 6 do të shkojnë për Besën. Një anketë e vetme e bërë në këtë njësi tregonte atë të barabartë me PDSH-në dhe para Aleancës. Nëse rezultati është afër kësaj ankete atëherë ajo mund pa problem të sigurojë tre deputetë, madje të atakojë të katërtin. Nëse qëndron më dobët ajo megjithatë duket se do t’i të ketë të paktën dy deputetë.

Sido që të jetë mendoj se Besa mbetet e panjohura më e madhe e kësaj zone dhe është ajo që do të befasojë, qoftë për të mirë apo për të keq.

Rezultatet e mundshme. Nëse dalja te shqiptarët është e ulët, ka mundësi që numri i deputetëve shqiptarë të ulet në 14, përndryshe do të mbetet 15. Në të dy rastet numri i madh i deputetëve shqiptarë e bën shumë të vështirë prognozimin e saktë. Këtu më tepër se kudo tjetër do të ngriten apo bien partitë dhe këtu mund të ndodhin befasitë më të mëdha.

Prezenca e Kërçovës në këtë zonë bën që BDI të jetë në përparësi prej 1-2 deputetësh që në fillim. Këtu ajo përherë ka patur tetë ose nëntë deputetë, por kësaj rradhe sigurisht nuk do të ketë shumicën, që do të thotë se shifra prej shtatë deputetësh është një maksimum absolut. Nga ana tjetër mendoj se ajo pa problem do të sigurojë votat për pesë deputetë.

Dilema e vërtetë është si do ndahen 9 deputetët e tjerë shqiptarë të zonës. Si pikë startuese do t’a lëmë proporcionin 3-3-3, me mundësi që secila parti të bjerë në dy apo të ngjitet në katër. Me këtë përmbyllen mundësitë për rezultatin në njësinë gjashtë: pra 5-3-3-3, me opcione “plus minus një” për secilën parti. Çdo gjë më tepër apo më pak se “plus minus një” duhet të merret si befasi.

Çka të ndiqni natën e zgjedhjeve.

Dalja. Gjatë gjithë ditës vlen të ndiqen shifrat e daljes. Kjo zonë përherë ka dalje më të ultë, ndërsa sidomos problematike janë komunat më të pastra shqiptare si Zhelina, Bogovina e Vrapçishti. Çdo përqindje e daljes mbi 50% është lajm i mirë për opozitën dhe i keq për pushtetin.

Tetova. Komuna më e madhe shqiptare ka vota për secilën parti. Vlen të shihet cila do të kalojë 10.000 vota, me çka pozicionohet mirë për zgjedhjet lokale. Secila që bie nën 5.000 vota në Tetovë nuk i ka punët mirë as në këto zgjedhje, as në të ardhmen. Posaçërisht është interesante beteja PDSH-Aleanca, pasi tradicionalisht këtu gjendet grumbulli më i madh i votave për PDSH.

Gostivar dhe Vrapçisht. Këtu është interesante beteja BDI-Aleanca. Partia që do të kalojë 10.000 vota në këto dy komuna bashkë është në rrugë për rezultat të mirë. Besa dhe PDSH duhet të kënaqen nëse fitojnë 5.000 vota në të dy komunat bashkë. Përveç kësaj Gostivari do të tregojë se në cilën anë kanë shkuar votuesit e RDK-së; me Besën ose Aleancën.

Rrethina e Tetovës. Në komunat rurale të Tetovës, sidomos në Zhelinë e Tearcë, vlen të ndiqet numri i votave të Besës, sepse ajo rastin më të mirë për të fituar e ka pikërisht në këto komuna. Nëse don rezultat të mirë, ajo nuk guxon të jetë nën 2.000 vota në asnjërën prej këtyre komunave, ndërsa në Zhelinë e Tearcë duhet të tejkalojë 3.000.

Kërçova. Në Kërçovë vlen të ndiqet dalja dhe natyrisht përqindja e votave të BDI-së. A do të ngelet Kërçova bastion i pathyeshëm i saj, apo ndonjë parti si Aleanca do të shkëpusë numër të dukshëm votash në Kërçovë? Gjithçka mbi 1.000 vota për cilëndo parti duhet të konsiderohet sukses; gjithçka nën 6.000 për BDI-në paraqet dështim.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button