FEJA DHE POLITIKA

 

Kohët e fundit tema e fesë është politizuar shumë edhe atë nga laikët dhe ata që më së paku e praktikojnë atë. Sot i zihet për të madhe dikujt pse e përmend Zotin, dhe kjo pengon mu atyre që deri dje as edhe nuk besonin në Zot, dhe që janë rritur dhe edukuar si ateista, të frymëzuar nga idiologjia e mëparshme marksiste leniniste.

Atyre edhe sot u pengojnë besimtaret dhe thonë se të jesh besimtar don të thotë vetëm të falesh në xhami apo të bësh namaz në shtëpi, dhe të mos përzihesh në punët e shtetit, ndërsa nga ana tjetër vetë aspak nuk besojnë dhe nuk i frikësohen hidhërimit të Zotit, kur i mbushin xhepat me djersën e huaj, kur ushqejnë familjet e tyre me votat e vjedhura, kur ua numërojnë kafshatat e bukës të tjerëve që patën fatin të punësohen gjatë mandatit të tyre, dhe atë ua nxjerrin për hundësh sa herë që duhet t’i thërrasin me zor nëpër tubime dhe t’i ‘shetisin’ me autobusa në çdo skaj të banuar me shqiptarë.

Nga ana tjetër, të tjerët thonë se e permendin Zotin prej respekti, sepse feja islame si çdo fe tjetër, na mëson që obligimi i besimtarit nuk është vetëm çështje ‘privatë’ e raportit individual me Zotin-pra të besh namaz, por është edhe obligim ‘publik’ i muslimanit që të bëjë vepra të mira, të jetë i dobishëm për familjen dhe shoqërinë, sepse kjo është rruga e tij, ndërsa e kundërta, të bësh vepra të këqija, të jetosh si parazit nga puna e të tjerëve, është rruga e shejtanit, rruga e Qoftlargut.

Edukimi familjar i një individi është ngushtë i lidhur me formimin e personalitetit dhe karakterit të një njeriu. Por formimi i personalitet nuk bëhet vetëm në rrethin familjar dhe shkollor, por bëhet paralelisht edhe me formimin dhe zhvillimin shpirtëror të tij, që lidhet edhe me mësimet dhe edukatën fetare që një person e fiton fillimisht në rrethin familjar, pastaj edhe në institucionet fetare apo me konsultimin e literaturës fetare në rrethin ku jeton.

Së pari, lufta ndermjet të mires dhe keqes është universale për të gjitha religjionet, dhe rrjedhimisht një njeri cilësohet si i mirë apo i keq varësisht prej veprave që i bën në të mirë apo të keq ndaj njerëzve të tjerë. Feja ka qenë gjithmonë rregullatori kryesor i ndërtimit të karakterit personal dhe personalitetit shpirtëror të një individi. Respekti dhe dashuria ndaj Zotit ka qenë gjithmonë udhërrëfyes për ata që dëshirojnë ta ndjekin rrugën e tij dhe të shijojnë mëshirën dhe shpërblimin e tij për këtë përkushtim.

Së dyti, për të pavendosurit dhe të pasigurtët në ndjekjen e rrugës së vërtetë, nëse nuk mjafton dashuria dhe respekti ndaj tij, ekziston edhe institucioni i frikës prej hidhërimit dhe ndëshkimit të tij për veprat e këqija që një individ është i prirur t’i bëjë, si paralajmërim i fundit për vetëdijësimin e atyre që hezitojnë në ndekjen e rrugës së tij.

Së treti, ka edhe të tillë qe u mungon dashuria dhe respekti ndaj Zotit, si dhe frika nga ndëshkimi i tij, por që e quajnë veten ‘ateistë’, dhe jo domosdoshmërisht janë të prirur të bëjnë vepra të këqija, nëse janë të edukuar dhe arsimuar drejt, dhe jetojnë në bazë të parimeve universale qytetare, si dhe jetojnë dhe punojnë në përputhje me rregullat dhe ligjet e një shteti. Andaj, këta njerëz figurën e Zotit e gjejnë në institucionin abstrakt të shtetit dhe ligjit të cilin duhet ta duan dhe respektojnë, dhe prej ndëshkimit të të cilit duhet të frikësohemi, nëse i shkelim ligjet e tij.

Këtu nuk përjashtohen edhe interesaxhinjtë të cilët shikojnë punën e vet, dhe janë përherë me pushtetin që e udhëheq ‘shtetin;, dhe u interesojnë vetëm interesat momentale, materiale dhe ekonomike dhe s’u bëhet vonë për interesat e të tjerëve apo për interesat e përgjithshme!

Së katërti, janë edhe jobesimtarët, që nuk besojnë në ekzistencën e krijuesit të tyre, dhe rrjedhimisht nuk besojnë edhe në ndalesat e tij dhe në rregullat e marrëdhënieve njerëzore që duhet të gjithë t’i respektojnë në mesveti. Në mungesë të rregullave fetare por edhe shtetërore ata janë të prirur që jetën ta bëjnë pa kufizime dhe ndalime, në shërbim të plotësimit të shfrenuar të të gjitha dëshirave personale, pa marrë parasysh se gjatë këtij rrugëtimi i shkelin dhe i dëmtojnë dëshirat e të tjerëve, se shkelin mbi jetët dhe fatet e të tjerëve, vetëm e vetëm që të ndërtojnë lumturinë e jetës së tyre, mbi fatkeqësinë e të tjerëve me çdo çmim dhe me çdo kusht.

Këta njerëz janë të prirur të vjedhin apo të vrasin, të fitojnë nga djersa e tjetrit, të gënjejnë dhe mashtrojnë secilin që u del përpara, ta kërcënojnë dhe shantazhojnë secilin që u bëhet pengesë në rrugën e tyre. Ata nuk turpërohen nëse bëjnë jetë të pamoralshme në dëm të shkatërrimit të familjes së tyre, dhe në dëm të shkatërrimit të autoritetit dhe prestigjit të familjes së ngushtë dhe të trashëgimtarëve te tyre. Ata bëjnë jetë të shfrenuar morale dhe materiale, pasi nuk kanë të ndalur në pasurimin e tyre të menjëhershëm dhe marramendës, duke shfrytëzuar djersën dhe mundin e të tjerëve, duke e ngrënë “hakun” e tjetrit dhe duke marrë nga kafshata e gojës së familjarëve dhe fëmijëve të të tjerëve.

Këtu bëjnë pjesë edhe misionarët e fesë, të cilët fitojnë në emër të keqpërdorimit të profesionit të predikimit te fesë, nga donacionet e ndryshme humanitare apo organizimi i udhëtimit të haxhilerëve, kur një pjesë të të hollave i ndalin për xhepat e tyre, etj.

Ky grup jo rastësisht identifikohet me politikanët, dhe jo rastësisht ky lloj i politikanëve kanë averzion ndaj permendjes së zotit, sepse ata tashmë e kanë bërë zgjedhjen e rrugës tjetër, apo e kanë humbur rrugën e tyre përgjithmonë.

Prandaj politikës i nevojitet feja si korrektues i sjelljes dhe ruajtjes së humanizmit dhe jetës së tyre shpirtërore! Politikani besimtar do ta vëndonte veten në shërbim të të tjerëve, dhe do të mund t’i tejkalonte të gjitha sprovat e privilegjeve që i jep pushteti, jo vetëm nga respekti dhe dashuria, por edhe nga frika prej hidhërimit nga keqpërdorimi i emrit të tij dhe nga rruga e devijuar, nga misioni i tij i shërbimit dhe jo sundimit të të tjerëve, pasi që edhe politika është një profesion si gjithë të tjerët, dhe ata që nuk e bëjnë si duhet punën e ngarkuar nga punëdhënësi-elektorati, herët ose vonë do të përballen me ndëshkimin e tij, njësoj si njerëzit e këqinj që një ditë do të përballen me ndëshkimin e zotit.

Prandaj, të shpresojmë që këtë herë Zoti të na udhëzojë të zgjedhim politikanë më të mirë, dhe pse jo edhe më besimtarë, të cilët së paku do të frigohen të na mashtrojnë dhe do të na shpiejnë në rrugën e vërtetë dhe të drejtë!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button