Rilindje me Besë, Zeqirja Ibrahimi

Në vijim mund të lexoni përgjigjet e Zeqirja Ibrahimit, kandidatit të koalicionit Rilindje me Besë në njësinë zgjedhore numër 1.

Ideologjia
Cilës ideologji i takoni?

Lëvizja BESA është parti konservatore. Në pikëpamje të kombit, familjes dhe religjionit, i përkasim të djathtës, ndërsa në pikëpamje të politikave shëndetësore, sociale, arsimore, kemi elemente të së majtës.

Politika tatimore
A jeni për tatim progresiv apo tatim të barabartë?
Jemi për tatim progresiv: ai që fiton më shumë të paguajë tatim më të lartë dhe ai që fiton më pak, të paguajë më pak.

Shëndetësi
Si planifikoni t’i mbani mjekët cilësorë në shëndetësinë publike? A jeni për zvogëlim të obligimeve financiare për specializantët, të cilët janë ngarkesë shumë e madhe për mjekët e ardhshëm nga zona të varfra dhe shkaktojnë diskriminim në bazë sociale në zgjedhjen e profesionit të atij lloji?
Për Lëvizjes BESA është shumë e rëndësishme që secili qytetar, pavarësisht të ardhurave, të ketë trajtim të barabartë shëndetësor. Prandaj ne synojmë që secili të ketë sigurim shëndetësor, ndërsa shëndetësia publike të mos dallojë për nga cilësia nga shëndetësia private. Ne synojmë që shëndetësia primare t’i ofrohet secilit qytetar kudo qoftë ai në vend. Ndërkaq, në aspekt të specializimeve, mendoj se duhet të bëhet një analizë më të hollësishme se për çfarë ka nevojë më shumë që të mund të mbulohen të gjithë nevojat e qytetarëve.

Integrimi i të rinjve
Si do veproni që të rinjtë të interesohen të qëndrojnë e të punojnë në vend dhe të kthehen ato që janë larguar nga vendi?
Për këtë duhet krijuar kushte të favorshme ekonomike, vende pune, që ata të mund të rrinë në vatrat e tyre. Për këtë do të mundësojmë zhvillim të mirë të sektorit privat, me biznese të vogla dhe të mesme, subvencionim nga shteti të bizneseve për të rinjtë nën 35 vjeç, ndërsa programi jonë ekonomik parashikon ulje të papunësisë së paku nga 24% në 23%, me çka do të hapeshin diku 40.000 vende pune.

Punë dhe politikë sociale
Cila është strategjia për qëndrueshmëri të fondit pensional? Sa duhet të jetë  paga minimale?
Për ne secilit qytetar duhet t’i mundësohet jetë e dinjitetshme, pa marrë parasysh a është pensionist, punëtor apo i papunë. Prandaj, as pensionet, as rrogat nuk guxojnë të jenë në disproporcion me shpenzimet mujore të një familjeje mesatare.

Të drejtat njerëzore
Barazi gjinore- Cili është qëndrimi Juaj për barazinë mes mashkullit dhe femrës në shoqëri dhe a duhet të paguhet njësoj si mashkulli ashtu edhe femra?

Mashkulli dhe femra janë të barabartë në detyrime dhe të drejta para shtetit dhe askush nuk ka të drejtë të ushtrojë asnjë lloj diskriminimi mbi baza gjinore.

AbortiA duhet të mbetet legal aborti dhe të rriten të drejtat e grave për të sjellë vendime të pavarura?
Aborti, për ne, nuk është çështje me të cilën duhet të merret shteti. Ajo është e drejtë e bashkëshortëve dhe ata janë përgjegjës për vendimin që e marrin. Natyrisht, si parti konservatore, jemi për natalitet të mbarë.

LGBTA duhet të kenë të drejtë martese homoseksualët në Maqedoni?
Si parti konservatore, jemi për familjen tradicionale shqiptare, që nënkupton martesë mes mashkullit dhe femrës.

Ambienti jetësor
Si duhet të ballafaqohet Maqedonia me ndotjen dhe a keni strategji për burimet e ripërtëritshme të energjisë? Nëse po, cila është ajo?

Maqedonia duhet t’i respektojë të gjitha konventat për mbrojtjes e mjedisit jetësor dhe në këtë nuk duhet lejuar asnjë kompromis. Ndërkaq, ne kemi strategji që, përmes riciklimit të mbeturinave, të krijojmë burime energjetike.

Religjion
A jeni fetar?

Kjo është pyetje shumë private dhe shumë relative. Si përcaktohet fetaria e dikujt dhe si përcaktohet se sa është apo nuk është dikush fetar?

Administratë
Cila është strategjia Juaj për administratën e stërmbushur? A do të angazhoheni që ta zvogëloni numrin e administratorëve? (Përgjigjuni në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të qartë!)
Administrata është e stërmbushur, por akoma nuk është arritur përfaqësimi i drejtë i barabartë i shqiptarëve në administratë. Ne jemi për arritjen e këtij përfaqësimi, ndërsa pastaj – përmes reformave në administratë: sistematizimit, pensionimit të parakohshëm etj. – vendi të arrijë në numrin e mjaftueshëm të administratorëve në vend.

PSP
A duhet të vazhdohet mandati i Prokurorisë Speciale Publike?
Patjetër. Ky është institucioni më kredibil në historinë e pluralizmit në Maqedoni dhe ne jemi shumë të interesuar që ai ta vazhdojë mandatin deri në zbardhjen e të gjitha raste të abuzimit me pushtetin dhe vendosjen e një drejtësie të besueshme për të gjithë. Përkëtë arsye ne kemi kërkuar dhe vazhdojmë të insistojmë edhe për Gjykatë Speciale, sepse gjykatat aktuale e kanë humbur besueshmërinë e qytetarëve në to.

“Shkupi 2014”
A duhet të rrënohen ose të dislokohen disa nga objektet e projektit kontrovers “Shkupi 2014”?

Nuk jemi për rrënim, por ka hapësirë që Shkupi të korrigjohet, duke ia shtuar edhe identitetin shqiptar, që i mungon këtij projekti. Natyrisht, aty ka plot statuja që mund të dërgoheshin në një Muze të Marrëzisë së këtij pushteti dhe qyteti të merret frymë lirshëm.

Qëndrimi personal
A do të hiqnit dorë nga shpenzimet për udhëtim, që të njëjtat të dedikohen për raste sociale?
PO.
A mendoni se dikush që është i dyshuar për vepra penale duhet të kandidohet në zgjedhje?
Nuk duhet të kandidohet në asnjë mënyrë.

Politika e jashtme
Rusia apo SHBA-të?
Pa asnjë dilemë: SHBA.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button