Ahmeti: Syri nuk na dridhet nga macet që përpiqen të na rrezojnë lisin

Pavarësisht se përpiqen do mace ta rrëzojnë lisin e madh që simbolizon BDI-në, a keni dëgjuar ndonjëherë që macet të rrëzojnë lisin? Absolutisht kjo nuk do ndodh, sepse rrënjët tona janë të lashta, të thella, ne i bëjmë ballë çdo stuhie dhe nga çdo stuhi që goditemi dalim edhe më të fortë dhe të guximshëm që deri në fund ta shpijmë amanetin e brezave të tërë. Janë këto fjalët e liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti sonte në Konventën e kësaj partie në Shkup, transmeton Portalb.

“Lot gëzimi në Maqedoni u derdhën kur u legalizua Universiteti i Shtetëror i Tetovës i cili u themelua me gjakun e bijëve dhe bijave më të mirë. Ju jeni ajo vulë që e legalizuat këtë lule të dijes. Aty ku bëheshin planet më ogurzeza shqiptare, aty ky bëheshin plane për të pre e gri shqiptarë, në kazermën e Kumanovës vendosët USHT-në, në Dibër e Kërçovë. Ju dhe vula juaj e bëtë të paprekshme atë shqipe që valëvitej në hapësira iliro-dardane” tha Ahmeti.

Ai ndau qeverisjen e BDI-së në dy decenie. Në decenien e parë të pas Marrëveshjes së Ohrit, sipas tij, BDI është përpjekur maksimalisht ti nderojë të gjithë ata që dhanë jetën për ëndrrën që shqiptarët të jetojnë të lirë, të jenë zot në të dhe me tapi në vend të vet. 

“Tash po hyjmë në decenien e dytë të pas MO-së, një moment shumë i rëndësishëm i çështjeve politike, strategjike. Ne duam që mos të jemi jashtë radhëve, mos të jemi të vonuar, duam të rreshtohemi pranë të gjitha vendeve anëtare të NATO-s.” tha Ahmeti.

Ai tha se kurrë nuk duhet harruar ndihmën që e dhanë SHBA dhe BE për të përmirësuar padrejtësitë ndaj shqiptarëve dhe që BDI është në partneritet të fortë dhe serioz me to.

“Ne e debllokuam propagandën anti-shiptarë që bëhej në kancelaritë në Beograd dhe kahmos në botë, dhe e futëm çështjen shqiptare për një zgjidhje. Detyrë e drejtpërsëdrejti e jona mbetet angazhimi për anëtarësim në BE dhe NATO dhe jam i bindur se ky moment do të vjen.” tha Ahmeti.

Mësojmë se në Konventën e BDI-së, prezent ishte edhe Imer Selmani, ish kryetari i partisë Demokracia e Re.  

Lika: “Për t’u ngjit në maje të kodrës duhet përgjakur këmbët”

“Ne marrim përsipër që të realizojmë të drejtat e gjithë shqiptarëve në Maqedoni si dhe të shkojmë më shpejt në BE dhe NATO. Ajo që kemi kaluar bashkë ishte një triumf i përbashkët dhe unë shpresoj se ajo që do bëjmë në të ardhmen do të jetë një triumf edhe më i madh. Shpresoj që ta kishim kuptuar idenë e kryetarit tonë për të lëvizur në atë drejtim për t’i thënë jo cilësdo strukturë e cila pretendon se ky shtet e kjo tokë është e tij dhe nuk është e gatshme për të nda të mirën dhe të keqen bashkë. Po e citoj edhe shkrimtarin Faik Konica që ka thënë se për t’u ngjit ne maje të kodrës rruga nuk është e shtruar me lule por është e shtruar me therra e deri në maje të kodrës këmbët të bëhen gjak. Andaj dua t’iu them funksionarëve dhe deputetëve të cilët do të shprehin interesim në të ardhmen, të punojmë shumë”, tha Hazbi Lika, kandidat për deputet nga zona zgjedhore numër 6.

Xhaferri: Vota juaj do të bëhet detyra jonë

“Na kanë ngritur përpara një mure që duhet ta rrëzojmë. Bashkimi është forca jonë. Kështu ka qenë dhe kështu do të jetë. Vota juaj bëhet detyra jonë. Përparimi dhe zhvillimi janë ëndrra jonë. Shqiptarët i përkasin këtij shteti. Shteti i përket vlerave perëndimore. BDI është vula që i vë nënshkrimin çdo suksesi dhe jemi të përgatitur për çdo sfidë”, tha Musa Xhaferri, bartës i listës zgjedhore numër 5.

Mehmeti: Kërkojmë 25 deputet për të vulosur identitetin shtet-formues shqiptarë

“Këto zgjedhje nuk janë zgjedhje për njërin ose tjetrin opsion politik te shqiptarët, por janë zgjedhje ndërmjet dy koncepteve politike për ardhmërinë e Maqedonisë. Dikush po kërkon 63 mandate kundër shqiptarëve këtu në Maqedoni. Kjo thirrje është për të vedijësuar maqedonasit se fuqia politike e shqiptarëve po sfidon modelin e vjetër të organizimit të shoqërisë së shtetit. Shqiptarët duhet të kuptojnë shumë drejt këtë thirrje.  Ne nuk kërkojmë 25 deputetë kundër askujt, ne kërkojmë këta deputetë për shqiptarët, për të vulosur identitetin shtet-formues të shqiptarëve dhe për të ardhmen evropiane të shqiptarëve. Bashkë më mirë, bashkë më të fortë, bashkë për Evropë. Bashkimi ka filluar, pasi sonte marrin pjesë edhe përfaqësues të lartë të DR-së”, tha Ermira Mehmeti, bartëse në njësinë zgjedhore numër 1. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button