Planet e NATO-s alarmojnë Rusinë

Moska zyrtare po i bën presion NATO-s që të shpjegojë planet e saj për rritjen e pranisë së saj ushtarake në Evropën lindore, ka bërë të ditur ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

“Ne jo vetëm që presim përgjigje, por përgjigje të bazuara tërësisht dhe në respekt të rregullave që ne kemi rënë dakord”, ka deklaruar Lavorv.

NATO ka deklaruar se do të përforcojë praninë e Aleancës në Evropën lindore pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, si dhe ka ndërprerë bashkëpunimin civil dhe ushtarak me këtë të fundit.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen ka deklaruar se avancimi i Rusisë për të kontrolluar Krimenë përbën kërcënimin më serioz për sigurinë e Evropës dhe madje për një brez të tërë.

Në një samit të mbajtur në Bruksel, Aleanca shprehu shqetësimin e saj për praninë masive të trupave ushtarake ruse në kufirin lindor me Ukrainën, për shkak të frikës së një pushtimi eventual.

Agjencia për Sigurinë e Aviacionit Evropian ka paralajmëruar gjithashtu për “rrezik konkret” të cënimit të të drejtave ndërkombëtare të fluturimit mbi Krime dhe u ka rekomanduar linjave ajrore që ta shmangin këtë hapësirë.

ASAE deklaroi se synimi i deklaruar nga Rusia për të marrë nën kontroll trafikun ajror mbi gadishullin e aneksuar ka çuar në destabilizimin e situatës.

Aktualisht krerët e NATO-s po shqyrtojnë një seri opsionesh, përfshirë atë për ngritjen e bazave të përhershme ushtarake në shtetet Baltike, për të garantuar sigurinë e vendeve anëtare në Evropën lindore.

Veprimet e Rusisë në Ukrainë kanë shkaktuar shqetësim në Estoni, Lituani dhe Letoni, të gjitha vende anëtare të Aleancës, që më parë kanë qenë pjesë e Bashkimit Sovietik gjatë kohës së luftës së ftohtë me Perëndimin. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button