Ja se çfarë presin partitë politike nga vizita e Venizelos

Partia shqiptare në opozitë, RDK e si vlerëson si hap pozitiv vizitën e shefit të diplomacisë greke Evangelis Venizelos në Shkup. 

“Kjo vizitë do të ndikojë pozitivisht në drejtim të zbutjes së qëndrimeve mes Shkupit dhe Athinës, nëse kemi parasysh faktin se këta politikanë nuk ishin të gatshëm as të takohen”, theksoi Naxhi Xhelili, deputet i RDK-së. 

Fakti që z.Venizelos vjen në funksion të dyfishtë, edhe të kryesuesit të BE-së edhe si Ministër i Jashtëm i Greqisë, sipas Xhelilit, është një mundësi e mirë që të dyja shtetet edhe Maqedonia edhe Greqia në të reflektojnë maturi dhe t’i japin një kahje pozitive zgjidhjes së çështjes së emrit. 

Nga ana tjetër partitë në pushtet ndajnë qëndrime të ndryshe rreth ardhjes së zyrtarit grek në Maqedoni. BDI-ja e konsideron si shumë të rëndësishme vizitën e ministrit grekë të punëve të jashtme Evangellos Venizellos, në Maqedoni. Por, VMRO DPMNE-ja porositi partnerin e koalicionit BDI-në se do të dëshpërohen nëse presin shumë nga vizita e Venizelosit.

“Konsiderojmë se është një vizitë e rëndësishme, pasi që ndodh pas shumë vitesh. Është një thyerje e mëtejshme e akullit në raportet ndërmjet dy vendeve fqinje. Vizita e Venizellos do të ngroh raportet mes Maqedonisë dhe Greqisë, që është një parakusht i rëndësishëm për tu ulur në tavolinë, dhe për të gjetur një zgjidhje për kontestin i cili domosdo kërkon zgjidhje në periudhën që vijon”, tha Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së. 

“Vizita e Venizelosit nuk është e parëndësishme, por e njëjta do të jetë si kornizë pa fotografi, sepse paradoksi dhe hipokrizia greke ndaj eurointegrimeve qëndron në atë se për perspektivat e integrimit në Maqedoni do të flet përfaqësuesi i shtetit që bllokon këto perspektiva. Në kushte të rënies së rejtingut të partisë së tij, vështirë se Venizellos do të bënte diçka që e pret një pjesë e opinionit në Maqedoni dhe BDI-ja. Kush pret shumë nga vizita e Venizellosit, do të dëshpërohet ditën e nesërme pas ikjes së tij”, deklaroi Antonio Milloshoski, deputet i VMRO DPMNE-së.

Nga ana tjetër këtë vizitë nuk deshën të komentojnë partitë në opozitë, LSDM-ja dhe PDSH-ja. Nga partia e Zaevit thanë se nuk duan të paragjykojnë vizitën e Venizelosit prandaj qëndrimin e tyre do të bëjnë të ditur vetëm pas përfundimit të të gjitha aktiviteteve të Venizelosit në Shkup. Ndërakq,  partia e Thaçit, vendosi të hesht dhe të mos jap asnjë koment. 

Vizita e Venizelosit është e para pas 10 vitesh e një zyrtari të lartë grek në Maqedoni./Portalb 

 

Lajme të ngjashme

Back to top button