Shqiptarët e Malit të Zi pjesë e Qeverisë së Gjukanoviqit!
Koalicioni “Shqiptarët të vendosur”, i cili në zgjedhjet e 16 tetorit mori një vend në Parlamentin e Malit të Zi, arriti sot marrëveshje me Partinë Demokratike Socialiste të kryeministrit malazez Milo Gjukanoviq për bashkëqeverisje në Malin e Zi.
Marrëveshja u arrit pasi koalicioni shqiptar dhe Partia Demokratike Socialiste, që fitoi më shumë vota në këto zgjedhje, vendosën që qyteti i Tuzit me shumicë shqiptare në Malësi, të shpallet komunë e plotë dhe e pavarur deri në pranverë të vitit të ardhshëm.
Ndërkohë, deputeti i koalicionit “Shqiptarët të vendosur”, Genci Nimanbegu është zgjedhur nënkryetar i Parlamentit të Malit të Zi me mbështetjen e 42 votave nga 81 vota që ka Parlamenti. Zoti Nimanbegu e bëri në gjuhën shqipe betimin para deputetëve, transmeton Gazeta Blic.
Koalicioni “Shqiptarët të vendosur” përbëhet nga tre partitë politike shqiptare: Forca, Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Alternativa Shqiptare.
Pas bisedimeve me përfaqësuesit e pakicave, Partinë Boshnjake , Partinë Kroate dhe koalicionin shqiptar, mandatari për formimin e Qeverisë, Dushko Markoviq, pritet që në fillim të javës së ardhshme të shpallë zyrtarisht Qeverinë e re të Mal të Zi.