Foto lajmi, zhanr që po keqpërdoret dhe venitet

“Të dëgjosh me qindra herë nuk është më mirë se sa të shohësh vetëm një herë.”

Zhou Chongguo

          Një burrë kalon një fëmijë nëpër gardh në kufirin Hungari-SerbI në Röszke, Hungari, 28 gusht 2015. © Warren Richardson, Australi

Në foto: Një burrë kalon një fëmijë nëpër gardh në kufirin Hungari-Serbi në Röszke,

Hungari, 28 gusht 2015. © Warren Richardson, Australi

Të gjitha mediat, në forma të ndryshme, kanë arritur një revolucion të jashtëzakonshëm sa i përket sofistikimit teknologjik të lajmeve si produkte finale. S’do mend, mediat nuk janë thjeshtë informative, ato kujdesen edhe për përmbushjen e kërkesave të tjera që mund të kenë audiencat, siç është edukimi, argëtimi, transmetimi i kulturës, e kështu me radhë. Megjithatë, të gjitha mediat me format të përgjithshëm, në mënyrë absolute, në asnjë moment nuk kanë preferuar që lajmin si kategori ta mënjanojnë, apo ta vendosin në plan të dytë në agjendën e programacionit të tyre. Mund të jetë lënë anësh çdo gjë tjetër, por lajmi ngelet aty me të njëjtin përfitim, jo vetëm ekonomik. Dhe, kur flasim për perfeksionimin e lajmeve, dashur pa dashur, na del përpara përdorimi i imazhit në to. Fotografia, qoftë ajo statike apo lëvizëse, ngelet një vlerë e shtuar në paketimin e lajmeve.

Fotografia e lajmeve si një medium i komunikimit, ka pësuar një rritje rapide në gjysmën e dytë të shekullit të XX-të, dhe sot lajmet mbështeten kryesisht mbi imazhet për të sjellë më bindshëm mesazhin në shtëpitë tona. CNN (Cable News Network), i cili ka filluar transmetimin në vitin 1980, në vitin 2003 ka arritur të transmetojë 2,592 fotografi të lajmeve në ditë apo 30 korniza (frames) në sekondë, 24 orë në ditë. Për më tepër, avancimet në fotografinë digjitale kanë bërë të mundur të dërgohen imazhe live nga disa fushëbeteja (vende lufte) në të njëjtën kohë, një inovacion që reporteri i BBC-së Rageh Omaar, në leksionin e tij “Shoqëria mbretërore e televizionit” (2003), e ka emërtuar si “Vrima e çelësit në gazetari”. (Maxine Lipson, 149)

Nga ana tjetër, nëse merret në konsideratë teknologjia që posedojnë portalet si një inovacion i epokës digjitale, do të shihni se ato janë të përqëndruar më tepër në pajisjet e vogla multimediale. Nuk është lënë asgjë mangët, nëse thuhet se telefonat celularë të tipit “smartphone” janë një “armë” e fuqishme e portaleve. Me një pajisje të tillë, punëtorët e informacionit mund të ndjekin pres-konferenca live, të realizojnë fotografi, të shkruajnë tekste, të editojnë video dhe të gjitha këto t’i ngarkojnë (apo upload-ojnë) dhe më pas t’i publikojnë në faqen e tyre brenda një kohe shumë të shkurtër, më të shpejtë se kurrë më parë. Derisa gazetarët e televizioneve dhe gazetave të arrijnë në redaksi për të shkruar lajmin, të njëjtin lajm, gazetari i portalit veçmë e ka bërë dhe botuar, shumë kohë më parë. Mbase jo në një format aq të kompletuar, por lajmi si i tillë është dhënë, ekskluziviteti ka mbaruar.

Kjo dinamikë, nga njëra anë, ka të mirat e veta, sepse nëpërmjet një kostoje minimale, arrihet maksimizimi i prodhimit të lajmeve. Sigurisht, nuk mungon as ana e dobët e kësaj praktike, që ka të bëjë me një ulje drastike të cilësisë së lajmeve, zallamahi të informacionit dhe një lloj “infobeziteti”, togfjalësh ky që e përdor drejtori i Mediave të së Ardhmes në Televizionet Franceze, Eric Scherer, në botimin e tij “A na duhen më gazetarët?”. Ky term buron nga dy fjalë, “informacion” dhe “obezitet”, pra një stërmbushje, por, pse jo, edhe një trashje (dembellëku) e informacionit online.

Në vijë të kësaj logjike, krahas fotografisë së gazetës apo televizionit, fotografia e lajmit të portaleve, sikur po pëson një lloj tjetërsimi. Jo për faktin se ka mungesë të përdorimit të fotografive, përkundrazi, ekziston një prezencë masive e këtij mediumi. Çështja është se ajo po keqpërdoret nga mediat e pakonsoliduara dhe nga individë, të cilët horizontin e fotografisë e kanë kufizuar vetëm në një dimension ilustrativ, shpeshherë duke e keqpërdorur apo manipuluar atë, e të mos flasim për heqjen e dimensionin artistik, si dhe të atij filozofik që bart fotografia në vetvete.

Mund të ketë disa shkaqe që ndikojnë në zvetënimin e vlerës së përdorimit të fotografisë në portale, por këtu po japim tre prej tyre që mund të konsiderohen si më shqetësues:

  • Mospërputhshmëria e fotografisë me artikullin – Në mungesë të fotografive autentike, shumë media gjatë publikimit të artikujve, shfrytëzojnë disa fotografi që nuk kanë ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me tekstin. Ato janë aty sa për të justifikuar “kushtin” multimedial, që e kërkon uebi si i tillë;
  • Përdorimi i fotografisë për manipulim – Disa portale dëshirojnë që fotografinë ta përdorin vetëm si karrem për të kapur “preun” e tyre, lexuesin. Për to nuk ka shumë rëndësi ndershmëria që duhet të kenë karshi publikut. Mjafton të realizohet një klikim më shumë në faqen e tyre. Zakonisht, nga këto manipulime bien brenda në grackë lundërtarët e rinj, anija e të cilëve akoma nuk është mjaftueshëm e fuqishme për të përballuar dhe pranuar në mënyrë kritike detin e rebeluar të kibernetikës;
  • Autorësia e fotografisë – koha digjitale, në kuptim të autorësisë, është ndoshta tragjedia më e madhe që mund t’i ketë ndodhur ndonjëherë komunitetit të autorëve të fotografive, e sidomos atyre që kanë shije më të hollë në këtë drejtim. Rrallëherë ndodh që të gjeni diku ndonjë fotografi të markuar, e cila përmban emrin e autorit apo kompanisë nga është marrë e njëjta.

Përveç këtyre fenomeneve që mbi të gjitha flasin për “ligjin e xhunglës” që po e dominon botën online, është evidente edhe një çështje tjetër që sulmon në mënyrë të drejtpërdrejtë cilësinë e mediumit – fotografi. Pikërisht në kohën kur rezolucioni i lartë apo “mega pixel” ka arritur majën, kreativiteti dhe funksioni komunikues i fotografisë si duket ka prekur fundin. Në këtë aspekt, ndikim më të madh ka pasur përdoruesi i zakonshëm, pa përjashtuar edhe organizatat mediatike, të cilat fotografitë më ordinere të mundshme i kanë shfrytëzuar për arritjen e numrit më të madh të klikimeve.

Pyetja që shtrohet është: A ka dritë në fund të tunelit? Pa dyshim se po.

World Press Photo Contest është një kompeticion global që vitin e kaluar u mbajt për të 59-ën herë me radhë. Në kuadër të kësaj ceremonie në garë ishin 82,951 fotografi të realizuara nga 5,775 fotografë të cilët vinin nga 128 vende të botës. Në fund u zgjodh edhe fotografia më e mirë për vitin 2015. Autori i kësaj fotografie është fotoreporteri australian Warren Richardson, ndërsa fotoja ka të bëjë me fenomenin e emigracionit të popujve të Lindjes  së Mesme të përfshirë nga konfliktet. Më konkretisht, fotoja paraqet një moment kur një refugjat sirian, foshnjën që ka në duar ia dorëzon një personi tjetër nëpërmjet një vrime të telave me gjemba. Fotografia është shkrepur gjatë kalimit ilegal të këtij refugjati në kufirin Serbi-Hungari. Kjo fotografi është emërtuar “Hope for a new life” (Shpresë për një jetë të re). (shih foton më lart).

Shpresë ka gjithmonë, edhe për rregullimin e tregut të fotografive në internet. Mjafton një përkushtim më i madh i zbatimit të ligjeve nga ana e shteteve dhe organeve kompetente, si dhe respektimi i normave etike mbi përdorimin e drejtë dhe të saktë të fotografive. Por jo vetëm kaq. Sa më e lartë të jetë përgjegjësia e secilit prej nesh, aq më i pasur dhe më i këndshëm do të duket ambienti virtual në kuadër të të cilit jemi të gjithë, e ku në fund të ditës, atë ambient e ndajmë së bashku me të tjerët.


Ky leksion gazetaresk është përgatitur në kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky leksion gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button