Nishani mesazh urimi Jahjagës në 6 vjetorin e pavarësisë së Kosovës

Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani ka uruar sot homologen kosovare, Atifehte Jahjaga me rastin e Festës së Pavarësisë së Kosovës. Nishani i ka drejtuar një mesazh urimi Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga me rastin e 6-vjetorit të Pavarësisë:

“E nderuar Zonja Presidente, Kam nderin dhe kënaqësinë e madhe që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’ju uroj përzemërsisht Ditën e Pavarësisë, Juve dhe gjithë popullit të Kosovës!

Më lejoni t’ju ripohoj, Zonja Presidente, angazhimin tim e të vendit tim, në  intensifikimin e vazhdueshëm të partneritetit strategjik të marrëdhënieve që karakterizon Shqipërinë dhe Kosovën, për t’i shndërruar ato në model rajonal, në të mirë të zhvillimit të dy vendeve tona, përmbushjes së aspiratave të përbashkëta eurointegruese, si edhe në ndihmë të kohezionit mbarëshqiptar.

Republika e Shqipërisë i gëzohet arritjeve të mëdha shtetkonsoliduese, angazhimeve rajonale dhe evropiane që Kosova ka përmbushur përgjatë këtyre gjashtë viteve modeste, si edhe garanton mbështetjen e vazhdueshme në vazhdimësinë e mëtejshme të përballjes së këtyre sfidave.

Duke ju shprehur konsideratën time më të lartë, si edhe dëshirën për t`Ju mikpritur së afërmi në Tiranë, ju lutem pranoni edhe njëherë, e nderuar Zonja Presidente, urimet e mia më të ngrohta e të sinqerta për këtë festë të shënuar mbarëshqiptare!”, thuhet në mesazhin e presidentit Bujar Nishani për Jahjagën./ Shqiptarja

    

Lajme të ngjashme

Back to top button