Partitë në Maqedoni nënshkruan “Kodeksin për zgjedhje të lira”

Në mungesë të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, dhe me vonesë prej gjysmë ore të kryetarit të VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevskit, krerët e të gjitha partive pjesëmarrëse në zgjedhjet e parakohshme parlamentare nënshkruan kodeksin për zgjedhje fer dhe të lira. Deklarata të tilla partitë kanë nënshkruar edhe më herët, por është hera e parë që një deklaratë e tillë nënshkruhet nën ombrellën e Komisionit Shtetëror Zgjedhor. Kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhore, Aleksandar Çiçakovski, hapi mbledhjen duke rikujtuar partitë se çfarë detyrimesh dalin nga ky dokument, njofton TV21.

“Me këtë kodeks, partitë politike, pjesëmarrësit në zgjedhje, obligohen dhe japin premtim njëri tjetrit, por edhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, se do të përmbahen dhe aktivisht do ti promovojnë principet e zgjedhjeve të lira dhe demokratike”, tha ai.

Edhe pse erdhi i fundit, kryetari i VMRO DPMNE-së nuk u përshëndet me asnjërin prej liderëve të partive. Sjelljen e tij kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev nuk e sheh si një paralajmërim se si do jenë zgjedhjet, por thotë se ajo është thjeshtë sjellja e tij.

“Besoj që nuk është një shenjë e cila paralajmëron diçka që do të ndodhë, por ajo është thjeshtë stili i sjelljes së Nikolla Gruevskit. Ja e shihni edhe kështu po përfundon mandati i tij”, tha Zaev.

Zaev shtoi se vetëm zgjedhje të lira dhe demokratike janë garanci për një ardhmëri të sigurt për vendin. Por nga VMRO-DPMNE nuk u prononcuan lidhur me nënshkrimin e kodeksit dhe vlerësimet e Zaevit. Nuk kishte përshëndetje as mes dy përfaqësuesve të subjekteve BDI dhe PDSH.

Nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti nënshkroi kodeksin në vend të kryetarit Ahmeti, i cili kishte informuar KSHZ-në, se për shkak obligimeve partiake nuk mund të jetë prezent.

“Pajtohem plotësisht se përgjegjësia më e madhe është tek partitë që janë pjesë e qeverisë, duke mos anashkaluar se drejt kësaj duhet të kontribuojnë të gjitha partitë që marrin pjesë në procesin zgjedhor”, theksoi Mexhiti.

Pesimizëm nga PDSH, pasi që sipas zëdhënësit të kësaj partie, Luan Tresi, ky dokument nuk do të respektohet.

“Kësi kodekse janë nënshkruar edhe para cikleve tjera zgjedhore. Atë që dua ta them se, partitë në pushtet asnjëherë nuk e kanë respektuar atë që e kanë nënshkruar. Vet fakti që këtu sot nuk ishte lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim flet edhe për qasjen të cilën ata e kanë në këtë proces”, tha Tresi.

Nga Koalicioni Rilindje me Besë dhe nga Aleanca për Shqiptarët bënë thirrje aktivistëve të vet që të sillen siç i ka hije një procesi zgjedhor demokratik.

“Ju bëjmë apel nga ky vend, të gjithë votuesve, përkrahësve dhe simpatizantëve të Lëvizjes Besa dhe të koalicionit Rilindje me Besë që të japin kontributin e tyre që këto zgjedhje të gjen zgjedhje të lira, fer dhe demokratike”, tha Bilall Kasami.

“Në radhë të parë do të kujdesemi që ne të sillemi në atë mënyrë me pjesëmarrësit e tjerë në zgjedhje. T’ju mundësojmë qytetarëve në mënyrë të lirë dhe demokratike të votojnë për atë parti për të cilën ata dëshirojnë”, tha Gëzim Ostreni.

Në nënshkrimin e këtij dokumenti ishin prezent edhe një numër i madh i ambasadorëve të huaj, përfshirë këtu edhe ambasadorin amerikan , Jess Bailey, i Britanisë së Madhe, Charles Garrett si dhe ambasadorët e Francës, Gjermanisë dhe Holandës. Përveç katër partive më të mëdha, këtë dokument e nënshkruan edhe të gjitha partitë tjera që të jenë pjesëmarrëse në këto zgjedhje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button