Si mund të shmanget influenca ruse në Evropën Lindore?

Në Ballkanin Perëndimor janë vetëm Shqipëria dhe Kroacia ato të cilat nuk i përkasin sferës së influencës së Moskës. Një çtensionim në raportet mes Perëndimit dhe Rusisë tani për tani nuk duket, për aq kohë sa nuk ka shenja për një kthesë në qëndrimet imperiale të Moskës.

Në Bullgari e në Moldavi kandidatët pro-rusë kanë fituar zgjedhjet presidenciale. Forcimi politik i Moskës në të gjithë rajonin kërkon një koncept të ri të BE-së dhe të NATO-s.

Rezultati i zgjedhjeve presidenciale në Bullgari dhe në Republikën e Moldavisë nuk është një ogur i mirë për Perëndimin. Megjithatë, këto zhvillime të reja politike nuk duhet të jenë befasuese as për vendimmarrësit në BE dhe as për ata të aleancës mbrojtëse të Atlantikut të Veriut. Një çerek shekulli pas rënies së Perdes së Hekurt gjithnjë e më shumë njerëz nga ish-blloku lindor janë zhgënjyer prej Perëndimit.

Shumë e shohin veten si të varur, si evropianë të kategorisë së dytë, vlerat e shumëpërfolura të përbashkëta si mirëqenie, demokraci e të drejtat e njeriut janë zbehur prej korrupsionit, pabarazisë dhe tarafeve të vjetra.

Entuziazmi fillestar për Evropën është pasuar prej zhgënjimit që janë kthyer në një tokë perfekte pjellore për tendencat populiste e nacionaliste.

Rafinimi i Putinit

Një kthesë totalitare në drejtim të Moskës – përveçse në Republikën e Moldavisë – nuk shtrohet për diskutim, megjithatë, në Evropën Qendrore dhe Juglindore prej kohësh gjërat po lëvizin. Çekia, Sllovakia dhe Hungaria ka disa kohë që koketojnë me Rusinë dhe me presidentin autoritar të saj Putin.

Nisur nga kritikat e vazhdueshme ndaj sanksioneve të BE-së kundër Rusisë për shkak të aneksimit të Krimesë dhe luftës në lindje të Ukrainës, qeveritarët në këto vende, qofshin socialistë apo liberalë, e kanë mbajtur të hapur opsionin e afërsisë me Moskën, pa vrarë mendjen për konsensusin në Bruksel. Edhe vendet sllavo-ortodokse të Ballkanit Perëndimor pavarësisht përpjekjeve për integrim në BE nuk duan të prishen me vëllain e madh në Moskë.

Putin me rafinim ka ditur që t’i shfrytëzojë këto varësi ekonomike, kryesisht ato në fushën e energjetikës për qëllime politike. Suksesi është i dukshëm: zgjedhjet fitohen gjithnjë e më shumë prej politikanëve miqësorë ndaj Rusisë. Brukseli ka qenë indiferent ndaj këtyre zhvillimeve. Çarja, që po përshkon BE-në, do të jetë e vështirë të riparohet. Nën këto kushte të reja shpejt do të shuhet zelli për integrimin evropian edhe në shtete kandidate.

Edhe në NATO gjendja nuk duket të jetë e qëndrueshme. Turqia po zhvendoset në drejtim të autoritarizmit dhe kërkon afërsinë me Rusinë. Presidenti i ri i SHBA-së, Donald Trump ka deklaruar ndryshime vendimtare. Evropa gjithnjë e më shumë do të duhet të mbështetet tek forcat e veta dhe duhet të marrë më shumë përgjegjësi mbi vete. Se si do të jetë kjo, askush nuk e di saktë.

Ndonëse ka konsensus në aleancë për forcimin e krahut lindor, jo të gjitha shtetet duan të bashkëveprojnë në të njëjtën masë. Vendet e Baltikut, Polonia dhe Rumania janë të vetmet shtete në lindje të Evropës, që janë të lidhura ngushtë me SHBA-në dhe përgatiten në mënyrë aktive ndaj ndonjë kërcënimi të mundshëm ushtarak prej Rusisë.

Shqipëria dhe Kroacia

Në Ballkanin Perëndimor janë vetëm Shqipëria dhe Kroacia ato të cilat nuk i përkasin sferës së influencës së Moskës. Një çtensionim në raportet mes Perëndimit dhe Rusisë tani për tani nuk duket, për aq kohë sa nuk ka shenja për një kthesë në qëndrimet imperiale të Moskës.

BE-ja dhe NATO-ja duhet të mësojnë një mënyrë të re të menduarit dhe t’u ofrojnë njerëzve në Rusi zgjidhje në mënyrë që pa e humbur prestigjin ato të shpëtojnë prej logjikës së vetë-izolimit që ndjek Putini.

Propaganda e mediave ruse duhet të çmitizohet përmes informacioneve dhe analizave objektive. Popullsia më në fund duhet ta kuptojë, që nuk janë sanksionet kundër Moskës, por demonstrimi agresiv i Putinit zanafilla e së keqes në rajon. Vetëm për të ruajtur pushtetin e tij, Putinit i duhet ta kuptojë që është më e mençur që ai të kthehet në tryezën e bisedimeve.

BE-ja dhe NATO-ja duhet të forcojnë gatishmërinë e tyre për kompromis dhe ta përçojnë atë në mënyrë bindëse në Rusi, në mënyrë që njerëzve atje t’ju sinjalizohet, që demokracia dhe bashkëjetesa paqësore mbeten qëllimi i përbashkët. Ky mesazh duhet të prezantohet bindshëm edhe “nga brenda”, për të shmangur polarizimin në Evropë. Nga Robert Schwartz

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button