Provat tregojnë se Astrit Dehari është vetëvrarë

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit informon opinionin publik se Prokuroria Themelore në Prizren ka pranuar sot raportin e autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, për të ndjerin Astrit Dehari. Nga raporti i autopsisë rezulton se vdekja e të ndjerit Astrit Dehari ka ardhur si pasojë e asfiksisë mekanike (mbyllja ose bllokimi i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes), si pasojë e dëmtimeve të vetshkaktuara, të cilat kanë qenë të shoqëruara me gjakderdhje të jashtme, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim zyrtar nga Prokuroria e Shtetit bëhet e ditur se pas një hetimi gjithëpërfshirës dhe të plotë dhe pas pranimit të raportit të autopsisë Prokuroria fillimisht ka ftuar përfaqësuesin ligjor të të ndjerit Dehari dhe prindërit e tij, për ti njoftuar me rezultatet e hetimit.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, në konferencën për media të mbajtur sot ka shprehur rezultatet e analizave toksikologjike për barna e droga, të kryera gjatë autopsisë dhe pas saj, rezultojnë të jenë negative.

Kryeprokurori Hoxha ka bërë të ditur se nga qendra e paraburgimit në Prizren, është sekuestruar DVR-i i kamerave të sigurisë, i cili gjatë procesit të ekzaminimit ka rezultuar se nuk ka ndërhyrje dhe xhirimi është autentik.

“Gjatë procesit hetimor, deri më tani janë marrë në pyetje 17 persona, nga të cilët janë ri-marrë në pyetje katër prej tyre dhe janë ekzaminuar të gjitha dëshmitë e sekuestruara nga vendi i ngjarjes, të cilat do t’ia dorëzojmë së shpejti përfaqësuesit ligjor të familjes Dehari. Nga dëshmitë e siguruara deri më tani, nuk është dhënë asnjë dyshim i mundshëm për ndonjë përleshje fizike apo probleme në mes të paraburgosurve dhe oficerëve me tani të ndjerin Dehari”, ka thënë Hoxha.

Ai ka bërë të ditur se nga monitorimi i kamerave të sigurisë nga hetuesit policorë, janë evidentuar të gjitha lëvizjet e të gjithë të paraburgosurve, duke përfshirë edhe Astrit Deharin dhe lëvizjet e oficerëve korrektues nga mëngjesi i ditës së vdekjes së tij, deri në mbrëmje dhe që në asnjë rrethanë nga ora 14:00 deri në ora 15:00 nuk është vërtetuar ndërhyrje apo lëvizje nga faktori i jashtëm në dhomën A3 ku është gjetur i ndjeri Astrit Dehari.

Hoxha bëri të ditur se në fazën e hetimeve nuk është gjetur asnjë provë apo dëshmi të mundshme se ka ndonjë ndërhyrje nga faktorë të jashtëm, që rezultojnë me lëndimin apo dëmtimin fizik të Deharit dhe që nuk ka asnjë person të dyshuar për vepër penale apo që mund ta ketë shkaktuar vdekjen.

“Pra të gjitha provat dhe ekzaminimet e kryera gjatë procesit hetimor demonstrojnë se ky rast ishte vetëvrasje”, tha Hoxha.
Astrit Dehari, aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje ishte arrestuar pas sulmit ndaj Parlamentit të Kosovës dhe vdiq përderisa ndodhej në paraburgim për 68 ditë në burgun e Prizrenit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button