Institucionet e Kosovës më të rrezikuara nga sulmet terroriste

Kosova është e rrezikuar nga sulmet e mundshme terroriste, por ka një vigjilencë të madhe të organeve të rendit për parandaluar akte të mundshme terroriste dhe nuk ka vend për panik, thonë ekspertë të sigurisë, transmeton REL.

Sipas tyre, Kosova, në këtë fazë, ka kapacitete të mjaftueshme për t’u përballur me ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin që shpie në terrorizëm, si dhe për aktet konkrete të mundshme terroriste.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, drejtuesi i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Florian Qehaja, thekson se Kosova është një territor i vogël dhe numri i qytetarëve që kanë shkuar në Siri dhe Irak apo individë që bashkëpunojnë më këto grupe është i menxhueshëm, në kuptimin e sigurisë.

Që nga rasti i parë i shkuarjes së shqiptarëve të Kosovës në luftën në Siri dhe Irak, në vitin 2012, e deri më tani, janë regjistruar mbi 300 luftëtarë nga Kosova që kanë shkuar në atë zonë.

Aktualisht, rreth 70 qytetarë nga Kosova, vlerësohet se ndodhen në këto vende, ndërkohë që nga viti 2013, Policia e Kosovës ka hapur hetime për mbi 200 persona. Sipas shënimeve zyrtare, janë arrestuar 119 persona dhe deri tash janë dënuar 35 prej tyre.

Profesori i Sigurisë Kombëtare në Kolegjin ISPE, Burim Ramadani, thotë për Radion Evropa e Lirë se rreziku më i madh në Kosovë është nga përhapja e ideologjisë së ekstremizmit të dhunshëm që shpie në terrorizëm.

Autoritetet e sigurisë në Kosovë së fundit kanë arritur të parandalojë sulme terroriste të planifikuara dhe të sinkronizuara që të ndodhin në të njëjtën kohë, jo vetëm në Republikën e Kosovës, por edhe në rajon.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button