Parlamenti i BE ‘lë në baltë’ Snowdenin

Parlamenti Europian ka hartuar një raport për shkallën dhe impaktin e përgjimeve në masë. Por nuk pati konsensus për amendamentin që i jepte azil Edward Snowdenit.

Një raport i Komitetit të Lirive Civile të Parlamentit Evropian ka dënuar mbledhjen sistematike të të dhënave personale për çdo lloj përdorimi, përveç atij për siguri. Teksti i prezantuar të hënën në Bruksel dënon “mbledhjen sistematike të të dhënave personale”, duke shtuar “se lufta kundër terrorizmit nuk mund të justifikojë përgjimin sekret në masë.”

Raporti përmblodhi hetimet e Parlamentit Evropian për përgjimet në masë të qytetarëve të Bashkimit Evropian nga NSA dhe shërbimet sekrete të shteteve anëtare të BE, raporton Deustche Welle.

Që prej shtatorit të vitit të kaluar u zhvilluan 15 seanca dëgjimore. Parlamenti Evropian do të duhet të aprovojë raportin në sesionin e 12 marsit në Strasburg. Por sërish është në varësi të vendeve anëtare nëse do të venë në zbatim propozimin e Parlamentit të BE. Axel Voss, nga kristiandemokratët gjermanë thotë se shpreson që vendet anëtare të kenë kurajën e duhur për ta trajtuar çështjen dhe të zbatojnë ndryshimet e nevojshme.

Komiteti nuk ra në konsensus sa i përket amendamentit që i siguronte azil ish-kontraktorit të NSA, Edward Snowden. Pjesëtarë të ekologjistëve dhe liberalëve gjermanë kanë kërkuar që BE t’i sigurojë atij azil, por konservatorët janë skeptikë. Voss tha se BE-ja nuk mund t’i sigurojë atij azil, sepse një gjë e tillë bëhet vetëm në nivel kombëtar. Jan Philipp Albrecht kritikoi disa nga kolegët e tij, të cilët votuan për ta ‘lënë në baltë’ informatorin Edward Snowden. “Unë mendoj se nëse Parlamenti Evropian thotë se dokumentet që ai bëri publike janë të rëndësishme për ne në Evropë, atëherë parlamenti duhet t’u kërkonte vendeve anëtare ta përfshinin atë në mbrojtjen e dëshmitarëve”, tha Albrecht. Deputetët kanë ftuar Edward Snowden të dëshmojë.

Ai ka rënë dakord, por ka refuzuar të përgjigjet në lidhje direkte me video, për shkak se mund të zbulohet vendndodhja e tij. Ai do të japë dëshminë e tij të shkruar ose me video të regjistruar, në Strasburg më 24 shkurt ose më 6 mars në Bruksel. Raporti citonte gjithashtu edhe arrestimin David Miranda, partnerin e gazetarit të “The Guardian” Glenn Greenwald, i cili publikoi dokumentet e Snowden. Deputetët e Parlamentit Evropian thanë se arrestimi i tij, bashkë me trajtimin e materialeve të poseduara prej tij sipas Ligjit të Terrorizmit Britanik dhe kërkesën për gazetën “The Guardian” të shkatërrojë materialet, shihen si ndërhyrje serioze në të drejtën e lirisë së shprehjes dhe lirisë së medies.

Markus Beckedahl nga netzpolitik.org thotë se duhet të shikohet me kujdes roli i Britanisë në përgjimet e kryera. “Shërbimi sekret i një prej shteteve anëtare të BE, vazhdon të shkelë të drejtat themelore evropiane. Kjo është arsye e mjaftueshme për sanksione nga BE”, thotë Beckedahl. Përpara Komitetit të Parlamentit Europain nuk është dhënë asnjë dëshmi nga drejtues të lartë të shërbimeve sekrete. “Do të jetë interesante për të parë në të ardhmen se si ka qenë i përfshire shërbimi sekret gjerman BND. Ajo që dimë të gjithë është se shërbimet sekrete gjermane, janë partnerë me kolegët e tyre në SHBA dhe Britani”, kritikoi Beckedahl.

Lajme të ngjashme

Back to top button