Përtej urrejtjes!

Po lexoja disa komentime për emrat e shqiptarëve ortodoksë në Maqedoni, por nga sarkazma më vinte që të vjell! Sipas teorive të tyre, unë që kam emrin Naim duhet të jem patjetër arab pasi është emër apo fjalë arabe. Jo vetëm unë po 90% e shqiptarëve në Maqedoni kanë emra (apo mbiemra) arab, që logjikisht i bie që arabët të jenë komuniteti i dytë më i madh në Maqedoni në këtë rast!!! Pa dashur të komentoj arsyet se përse shqiptarët në Maqedoni e kanë pasur të ndaluar të vendosin emra shqip, sidomos familjet që kanë sakrifikuar për atdheun (ku sipas asaj që më është thënë mua, unë biri i një të dënuari politik më është mohuar emri  tingëllues në shqip për shkak të veprimtarisë  së babait tim), duhet të dimë se askush nga ne nuk është pyetur se si duhet ta kemi emrin apo çfarë emri pëlqejmë të mbajmë, ndërkaq mbiemrat deri para 20 viteve na ka vendos vetë sistemi (se përndryshe malësorët kanë pasur o mbiemër shqip o latin), njëkohësisht në varësi të sistemit (gjatë sundimeve të fundit jo-otomane) janë bashkangjitur edhe prapashtesat ov, viç dhe ski, ku ende ka shqiptarë nga të gjitha komunitetet fetare me këto prapashtesa!

Për këtë shkak nuk e shoh të arsyeshme pse të identifikojmë emrat arabë apo bullgarë me përkatësinë etnike apo origjinën e individit. Jam plotësisht i vetëdijshëm se emra krishterë apo myslimanë nuk mund të ketë, pasi ndryshe, Zoti do të zhdukte të gjithë emrat e njerëzve të popujve tjerë. Sot mes shqiptarëve të lirë ka edhe njerëz me emra italian, gjerman, francez, persian, turk, grek  etj. dhe ky fakt aspak nuk më habit, pasi që nuk jetojmë as në sundimin otoman, as në sundimin bullgar apo serb por jetojmë në shekullin 21.

Padyshim që nuk janë shqiptarët të vetmit në Maqedoni që kanë emra arab apo bullgar, ekzistojnë me dhjetëra komunitete tjera.

Ashtu si bullgarët mysliman kur pranuan islamin, pranuan edhe emrat arab! Sot ka edhe  nga ata që i thonë vetes shqiptar. Ka edhe figura publike të njohura bullgare myslimane (edhe me tiparet fizike) që sot flasin në emër të shqiptarëve në Maqedoni. Ndoshta sot ky panik bëhet nga ata që kanë frikë nga origjina e tyre.

I gjithë ky debat i panevojshëm dhe dramatik lindi për të kënaqur egon dhe trurin pervers të disa individëve. E aq më i trishtueshëm është fakti se këtë debat nxitës, përplot urrejtje patetike dhe që vjellë vrer lind pikërisht nga njerëz që hiqen për intelektual, të pavarur, “mendjendritur” dhe liberal, të cilët pretendojnë se e dinë mirë historinë e popullit shqiptar. E kuptueshme, pasi marrin guximin të flasin dhe shkruajnë para publikut.  Në të kundërtën, nuk do ta kishin këtë guxim të shpërndarjes së (pa)dijes.

Dhe kur mendon se nuk mundesh të gjesh diçka më keq për të mbyllur të gjithën këtë histori,  shqiptarët jo-mysliman sunit në Maqedoni si ata ortodoks, bektashi dhe katolik vazhdojnë të jenë më të diskriminuarit në vend. Na pëlqen ose jo fakti se hiqemi si tolerant, ata diskriminohen dhe “urrehen” nga vet NE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button