Në panairin e librit…për një foto

Ishte dita e fundit! Qindra njerëz kishin vërshuar atë mbrëmje në panair. Pjesa përpara Pallatit të Kongreseve gumëzhinte pamatshëm nga “kliket” e telefonave. E njëjta panoramë paraqitej edhe brenda. Qytetarë të të gjitha moshave, kryesisht të rinj, por edhe ca zonja e zotërinj rreth të 40-ve, kishin vërshuar nëpër stendat e shtëpive të botimit. Radha ishte aq e gjatë saqë duhej të prisje qoftë edhe për të kaluar në skajin tjetër të ndërtesës.

“Më bëj një foto” më thotë dikush me frymën që i mbahej. Mundi i fotos së parë më shkoi dëm. Pasi e shkrepa, pashë që librin e mbante përmbys. “Këtë dua të ma bësh si pa mendje”, vijoi mëtej njeriu i mistershëm që rrufeshëm mu shfaq para syve dhe që po aq rrufeshëm u zhduk, pa thënë as faleminderit. Librat që plot dashuri mbante pak çaste më parë, rrëmujshëm i kishte hedhur mbi tavolinën e improvizuar, për të shkuar me shpejtësi drejt një stende tjetër. Kaq ishte libri për të. Një mjet zbukurues që paturpësisht njëhsohej me një “centro” që zakonisht shqiptarët vendosin mbi televizor apo tryezë. Më tej një frymor që pretendon se i bën të gjitha, jepte autografe dhe shkrepte foto për dashamirësit e librave të tij, të cilët i kishin premtuar se do të lexonin paragrafin e parë.

Vazhdoj më tej. Shpesh herë blicet e telefonave që shkrepën pambarimisht m’i vërbojnë sytë. Nisa të dyshoj për ato që kisha lexuar dhe mësuar. Lexuesin tradicional e dija njeri të thjeshtë, që parësore ka brendinë dhe jo dukjen, që nuk shqetësohet për të treguar se çfarë ka blerë, por se çfarë ka nxënë. Disa të tjerë, që në vend të telefonit mbanin një letër me një listë të vogël në dorë, kishin ngecur në mes të njerëzve dhe që pafajshëm hanin edhe ndonjë bërryl fytyrës nga turmat që nxitonin për të bërë foto.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button