Kosova bëhet me kod telefonik
Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, kryenegociatore në Dialogun e Brukselit ka deklaruar se sot është arritur Marrëveshja për kodin telefonik shtetëror të Kosovës, mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Sipas komunikatës nga kryeministria, Tahiri, siguroi se gjatë gjithë procesit të negociatave për telekomin që kanë zgjatur rreth gjashtë vite, delegacioni i Republikës së Kosovës i ka mbrojtur fuqishëm interesat e shtetit, ka mbrojtur marrëveshjen për telekom dhe planin aksional, që janë në pajtim të plotë me Ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
“Republikës së Kosovës do t’i caktohet nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve (ITU) kodi shtetëror telefonik +383, i cili do të administrohet nga ARKEP dhe institucionet e Kosovës do të kenë përgjegjësinë për implementimin e tij”, ka thënë tutje Tahiri.
Në kuadër të zbatimit të kësaj marrëveshje, Serbia obligohet t’i dërgoj letër ITU-së me të cilën pajtohet që ITU t’ja alokoj kodin telefonik Kosovës, dhe ky obligim duhet të realizohet me datën 3 dhjetor 2016.
Kosova obligohet që të jep një lejim të përkohshëm dhe të kufizuar për telefoni mobile për një kompani të re mts.d.o, kompani kjo e regjistruar sipas Ligjeve të Republikës së Kosovës. Ky lejim i përkohshëm dhe i kufizuar brenda infrastrukturës aktuale të telefonisë mobile është në përputhje me pikën 4 të Marrëveshjes së Telekomunikacionit të vitit 2013. Kësaj kompanie do t’i ndahen resurse të mjaftueshme frekuencore për të mbuluar zonat që aktualisht mbulon në territorin e Kosovës gjatë kohëzgjatjes së licencës së përkohshme dhe të kufizuar. Për më tepër, operatori në fjalë do të jetë i kufizuar edhe në numrin e përdoruesve (konsumatorëve) që mund t’i ketë gjatë periudhës së autorizimit të përkohshëm. E njëjta kompani, do të autorizohet edhe për operim në telefoninë fikse bazuar në ligjet e Kosovës. Të gjithë operatorët ilegal që kanë vepruar pa licencim në Kosovë do të shuhen. Do të largohen të gjitha kodet ekzistuese (381,377, 386) dhe do të përdoret vetëm kodi shtetëror i Kosovës 383 për thirrje ndërkombëtare. Ndërsa gjatë një periudhe tranzitore deri në implementim të kodit shtetëror të Kosovës, do të përdoret numeracion i dyfisht.
Marrëveshja për telekomin dhe zbatimi i saj do të mundësoj të vendoset rendi dhe ligji edhe në fushën e telekomit dhe nuk do të ketë më asnjë operim ilegal në sektorin e telekomit në të gjithë territorin e vendit.