Me shkas për fushatë!

Në këtë shkrim më shtyu fushata për president në SHBA. Shumë kandidatë, demokratë, republikanë zhvilluan betejën për president. Gara është e hapur, transparente: dihet se sa fonde ka mbledhur Klinton e sa Tramp.E vendosur në optikën dhe analizën e kujdesëshme të publikut e medias, ata ishin të detyruar të shfaqnin të gjitha, ama të gjitha përmbajtjet e tyre prej njeriu e shtetari. Në debatet televizive, shkrimet e tyre apo të stafit të tyre, në takimet me publikun e gjërë kudo, që nga kishat e deri te universitetet e fermat anembanë vendit të tyre, del “lakuriq” personaliteti i tyre, merren vesh të gjitha pikpamjet që ata kanë që nga familja e deri tek arti i drejtimit të shtetit.

Kushdo mund t’i pyesë ata se ç’mendojnë për fenë, besojnë apo jo në zot, kujt feje i përkasin, ç’mendojnë për të drejtat e njeriut, për homoseksualizmin, rolin e grave në shoqëri, arsimin, shëndetësinë, pensionet, politikën e jashtme, organizimin e gjërave konkrete, si do ta bëjnë këtë apo atë tjetrën. Ndjekësi i zakonshëm i politikës mund të marrë vesh lehtë se kë kanë ata model të tyre nga paraardhësit, a lexojnë letërsi dhe cilin kanë autor të dashur, cili është sporti që kanë qejf e muzika që i relakson. Ata mund të dinë për familjet e tyre me të cilat ata dalin shpesh në takimet me publikun. Që të mos e zgjasim, u bëhet pra një tomografi e hollësishme e asaj që përmbajnë në bagazhin e tyre etik, kulturor, intelektual si edhe në rrafshin praktik të drejtimit të ekonomisë, politkës, çështjeve shtetërore etj. Po kjo a ndodh me politikanët tanë?!.

Ata hyjnë e dalin në politikë si “jerm” që s’kuptohen se ç’kanë në skutat e mendjes së tyre. Ajo që publiku ynë di për ta janë thashethemet e shumta. Dihen më së miri ato që ata kanë në bark: mish, peshk, biftek, karkaleca deti, verë të mirë, raki të veçantë, xhin, uiski e konjak francez, dihet ku i kalojnë darkat e drekat, batutat që kanë thënë nëpër restaurne e kazino, qofshin ato edhe skedina, ndonjë shaka me bodigardë, shofera e sekretare, dihet si janë shprehur për njerin apo për tjetrin, bizneset e lidhjet me bizneset që kanë, por nuk dihen kurrsesi se nga kanë ardhur në këtë fushë ku kanë marrë këtë të drejtë që kanë dalë të bëjnë emër, me ç’mendje kanë ardhur e çfarë synojnë, veç atyre të mirave që u sjell pushteti. Çdo fushatë zgjedhjesh në vendin tonë kalon si një tajfun shpartallues plot zhurmë, rrëmujë e batërdi dhe me gjithë “policët ndërkombëtarë” të trafikut që këshillojnë politikanët-shoferë të vënë rripin e sigurisë, të respektojnë këmbësorët e shenjat e trafikut, të mos ngasin makinat mbi shpejtësinë e lejuar apo të dehur dhe që ndonjëherë u vënë edhe gjoba për këto, shoferët-politikanë që zënë për ditë e për natë ekranet e televizioneve dhe kakofoninë e restauraneve apo kafeneve, nuk duan t’ja dinë fare. Populli voton për ta dhe nuk e di si e ke mendjen njeri e tjetri.

Por e di mirë ama se i cilës parti është njeri apo tjetri. Ky i gjori popull u mësua me këta parti dhe s’ka zot t’ja shkulë nga mendja se në një shoqëri të lirë e demokratike partitë janë grupime shoqërore pikpamjesh madhore për drejtimin e shtetit e shoqërisë, për këtë apo atë kurs zhvillimi dhe nuk të gjejnë punë apo shtëpi. Po a ka faj populli kur vetë mendësia e partive në Vendin Tonë është ajo e “Nënës Parti” famëkeqe?! Provoni që tu hiqni emrat në krye programeve të tyre dhe do t’i ngatërrojnë vetë kryetarët e tyre se kush është i njerit e kush i tjetrit. Për këtë amerikanët kanë një fjalë të buku: Bullshit!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button