Incident në Kuvend, humb ndjenjat deputeti Mima

Efektet e debateve të gjatë prej 10 orësh janë ndjerë edhe në radhët e deputetëve. Urdhri i ish-kryetarit të PD-së Sali Berisha për të kërkuar angazhim maksimal të deputetëve të PD-së në seancë plenare, ka sjellë edhe lodhjen e tyre, aq sa ka sjellë dhe rëndim të shëndetit.

Rreth orës 20:50 minuta, gjatë pushimit 5 minutësh, deputeti Mima nuk është ndier duke shfaqur probleme shëndetësore. Rreth orës 20:19 deputeti Florion Mima do të mbante fjalën e tij, ndërsa do të kishte edhe një reagim ndaj deputetit Braçe. Nuk do të kalonte shumë dhe deputeti Mima nuk do të ndihej mirë gjatë seancës.

Menjëherë është kërkuar ndërprerja e mbledhjes nga deputetët, ndërsa kreu i parlamenti Ilir Meta vendosi që të ndërpritet séance për të ndihmuar deputetin e PD-së. Në momentin që ka tentuar për të dalë jashtë, mësohet se deputetit Florion Mima ka humbur ndjenjat, por ka ndërhyrë stafi. Nuk do të vononte shumë dhe në Kuvend do të mbërrinin dy autoambulanca, ndërsa mjekët i dhanë ndihmën e parë Mimës brenda ambienteve të Kuvendit. Burime nga PD thanë se tensioni i ulët dhe uria kanë shkaktuar dobësi në shëndetin e Mimës. Të njëjtat burime bënë me dije se Mima ka ndjekur seancën prej disa orësh në Kuvend pa ndërprerje dhe pa pushim. Si duket kjo është reflektuar në orët e mbrëmjes në shëndetin e tij, transmeton shekulli. 

Seanca e djeshme kishte në rendin e saj projektligje të cilat ishin të aspektin ekonomik. Për pasojë deputetit Florion Mima I është dashur që të qëndrojë gjatë gjithë kohës brenda në sallën e Kuvendit për të ndjekur debatin midis mazhorancës dhe opozitës dhe për të dhënë konsulencën e tij ndaj grupit të PD-së. Edhe në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, deputeti Mima është një ndër më të rregulltit në ndjekjen e punimeve ndryshe nga kolegët e tij. I gjithë fjalimi prej 9 minuta i deputetit Florion Mima është shoqëruar me luhatje të zërit. Gjatë fjalës së tij në Kuvend ku diskutoi për ndryshimet në ligjin për Institutin e Sigurimeve Shoqërore, deputeti Mima me vështirësi ka arritur që të lexojë fjalimin tij në emër të grupit parlamentar demokrat. Madje gjatë 3 minutave të fundit, deputeti Florion Mima do të pinte disa herë ujë dhe do të lironte edhe krevatën, ndërsa mbështetej në foltoren e Kuvendit. 

Lajme të ngjashme

Back to top button