Listat e hapura do t’i kishin ulur “telashet” e liderëve të partive politike

Afrimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare nxjerr edhe njëherë në pah mangësitë e sistemit zgjedhorë në Republikën e Maqedonisë dhe nevojën e ndryshimit të saj në mënyre imediate për shumë arsye. Gjatë përpilimit të listave për kandidatë gjatë javës së kaluar nga partitë e ndryshme politike menjëherë dolën reagimet e para apo më mire thënë pakënaqësitë dhe frustrimet e kandidatëve potencialë për deputet të cilët kanë pritur të jenë në listat për deputet e që nuk janë. Dimë që në sistemet proporcionale me lista të mbyllura votuesit votojnë partinë dhe ky sistem u jep përparësinë kandidatëve të cilët janë të renditur në krye të listave. Realisht këtu praktika tregon që përcaktimin dhe renditjen e kandidatëve e bëjnë krerët e partisë.

Në njërën anë kjo paraqet siklet për liderët deri sa të bëhet përcaktimi se kush do të jetë në krye ndërsa nga ana tjetër kandidatët e përzgjedhur duhet që gjatë tërë mandatit të ndjekin linjën që përcakton kreu partiak dhe gjatë gjithë kohës të jenë të dëgjueshëm. Me një fjalë u kufizohet hapësira e lire si deputet që të mere iniciativa individuale për të cilët mendon se do të jetë e dobishme për shoqërinë dhe rrethinën nga i cili vjen deputeti. Por edhe në rast se shikojmë punën e deputetëve të deritanishëm nga një pjesë e konsiderueshme e tyre kemi një pasivitet të skajshëm ku qytetarët pastaj shprehin dëshpërimin e plotë nga dhënia e besimit të tyre. Më e keqja është që gjatë gjithë këtyre cikleve zgjedhore kemi fenomenin e riciklimit të po të njëjtave kuadro të cilat emërohen nga krerët partiak dhe nuk vijnë si rezultat i meritokracisë dhe kualiteteve personale me të cilat do ti shërbejnë popullit. Dhe në start kemi defekte që vërehen në formë të hapur, defekte të cilat gjatë këtyre 26 viteve kanë qenë të dukshme dhe për të cilët asnjëherë deri më tash nuk është marrë iniciativë që të ndryshohet. Kjo ka mundur të bëhet në shumë raste e sidomos gjatë procesit të negociatave në Përzhino. Një ndër pikat e marrëveshjes duhej që doemos të jetë ndryshimi i sistemit zgjedhor ku do të kalohej nga sistemi proporcional me lista të mbyllura në sistem proporcional me lista të hapura.

Me këtë ndryshim asnjëra nga partitë politike nuk do të kishte humbur. Edhe pse liderëve partiak do të ju kishte rënë roli gjatë hartimit të listave mirëpo nga ana tjetër do të ishte lehtësuar përgjegjësia dhe asnjë nga struktura partiake nuk do të kishte treguar gishtin gjatë përzgjedhjes së kandidatëve. Përkundrazi kjo formë e sistemit zgjedhorë mundëson përforcim të kapacitetit partiak në të cilën në mes anëtarëve të partisë që pretendojnë të jenë deputet do të ketë garë cilësore brenda frymës së demokracisë brendapartiake.

Në rast se shikojmë nga prizmi i votuesit do të ishte më i kapshëm ky sistem duke pasur parasysh se do të votojë/rrumbullakojë kandidatin për të cilin vlerëson se do ta përfaqësoj në mënyrë të denjtë në parlament. Dhe për punën e tij do të kërkojë llogaridhënie drejtpërdrejtë nga po ai deputet.

Kandidatët që do të kishin pretenduar të jenë deputet do të merrnin rolë më aktiv dhe përgjegjësi shumë më të madhe në krahasim me sistemin e mbyllur. Fillimisht kandidatët do të përgatitnin fushatën gjegjësisht programin me të cilin do të dilnin para votuesve për ta kërkuar votën e tyre. Gjatë dhënies së premtimeve nuk do të ketë fryrje pompoze për realizime spektakulare të projekteve që deri më tash i kemi dëgjuar dhe që asnjëherë nuk janë realizuar. Do të ketë kujdes më të madhe se çfarë premtohet se llogaridhënia është e drejtpërdrejtë dhe votuesit në zgjedhjet e radhës do ta japin dënimin për mos plotësim të po të njëjtave premtime.

Këto zgjedhje prap do të kalojnë me sistemin e vjetër dhe prap ndoshta do ta kemi të njëjtin riciklim që e kemi hasur në zgjedhjet e kaluara. Deputet jo produktivë të cilët paraqiten në kuvend vetëm për të plotësuar normën e marrjes së rrogave mujore që u takon. Për ndryshimin e këtij sistemi e vetmja më e zëshme nga partitë politike doli LSDM’ja të cilën kryetari i saj Zoran Zaev deklaroi që hapi i parë pas konsitutimit të qeverisë do të ishte ndryshimi i sistemit zgjedhorë dhe kalim nga lista të mbyllura në të hapura me qëllim të rritjes së kualitetit të kuadrove që do të jenë përfaqësues të popullit në parlament. Edhe pse duhej që ky “problem” të zgjidhej sa më pare pse jo edhe me konsensus nga gjithë partitë politike parlamentare, prap ky paralajmërim do të kishte me qenë një fillim i përmirësimit të reprezentimit kualitativë në dhomën e përfaqësuesve të popullit në Republikën e Maqedonisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button