Aty ku s’ka Zot, lejohet çdo gjë

Si mund një njeri i qytetëruar e besimtar të nënshtrohet përpara pushtetit të fuqisë dhe t’ia dorëzojë atij dy gjërat më fisnike me të cilat e ka shpërblyer Zoti, e që janë – e vërteta dhe liria ?

Kohëve të fundit, ndër ne po diskutohet për zvetnimin e vlerave morale qytetare dhe shumëkush pikërisht aty po e detekton shkakun e krizave të shumta që po e gllabërojnë shoqërinë. Një lament i përgjithshëm po dëgjohet nga të gjitha anët, të gjithë janë të trishtuar nga krimi, korupcioni, keqpërdorimi, mashtrimi dhe shantazhimi që janë bërë dukuri të përditshme, janë bërë diçka me të cilën po duhet doemos të jetojmë.
Por, krejtë gabimisht, thirrja për të ndaluar këtë rrënim të shoqërisë po ju drejtohet pikërisht atyre që po e gjenerojnë krizën dhe rrënimin. Pra, të gjithë po presim që shteti dhe politika do e bëjnë ndryshimin aq të nevojshëm që do duhej të kthente shpresën e humbur duke haruar se shtetin dhe pushtetin i krijojnë vetë ata që po lamentojnë.
Mjerisht, ne po e shikojmë e po e tolerojmë krimin pa e prishur fare rehatinë tonë , po ua mbushim vetëdijshëm xhepat mjekëve, gjykatësve dhe drejtorëve hajdutë për të na e kryer ndonjë punë që gjithsesi duhet ta kryejnë dhe për të cilën janë të paguar nga kontributet tona, po pranojmë të na shantazhojë e të na mashtrojë turlifarë rrugaçi që ne vetë e kemi vendosur në pozita të cilat as që ka mundur t’i ëndërojë.
Dua të them se vlerat morale nuk i krijon dhe nuk i kultivon shteti, sepse, morali është shumë më i vjetër se shteti dhe më i vjetër se morali është vetëm Zoti.Morali, botëkuptimet, qëndrimet dhe ndjenja jonë për drejtësi duhet të jenë diçka që është shtresuar në vetëdijen tonë sikundër edhe refuzimi për t’i shërbyer symbyllazi më të fortit. Vetëm aty ku s’ka Zot, njeriu mund të bën çka të dojë. Aty ku është Zoti, janë edhe rregulli, drejtësia, baraspesha, mosnënshtrimi përpara të keqes. Këto janë parimet bazë të Islamit.

Në kërkim të shtigjeve të lirisë

Dikush kishte thënë një herë se “realiteti dhe jeta e njeriut që diktohen nga pushteti dhe fuqia, shndërrohen në lavire të atij pushteti e të asaj fuqie…”. S’ ka dyshim që kjo thënie bartë në vehte një mesazh shumë të fuqishëm paralajmërues, por sa do që tingëllon frikshëm, ai në fakt ndihmon të gjejmë përgjegjen e duhur në bredhjet tona pas kërkimit të lirisë dhe të vërtetës.
Këtu sërish imponohet çështja e moralit dhe vetëdijes qytetare që në esencë ka brum të fuqishëm fetar. Si mundet një njeri i qytetëruar dhe besimtar të pajtohet me mundësinë që jeta dhe realiteti i tijë të bëhen lavire të kujtdoqoftë ? Si mund një njeri I qytetëruar e besimtar të nënshtrohet përpara pushtetit të fuqisë dhe t’ia dorëzojë atij dy gjërat më fisnike me të cilat e ka shpërblyer Zoti e që janë – e vërteta dhe liria ?
Ne më të moshuarit e mbajmë fortë mirë në mend një sistem në të cilin ligjin e përbënin një parti dhe udhëheqësit e sajë. Atëbotë nuk ekzistonte mendim publik por vetëm mendimi i pushtetarëve. Inisiativat qytetare, toleranca, mirësjellja, drejtësia dhe besimi konsideroheshin si diçka dekadente, si diçka që e rrezikonte ekistencën e shtetit. Njeriut të rëndomtë i krijohej iluzioni se ai është sundimtar i fatit të vetë. Dhe, u shemb ai sistem si një kullë letrash pikërisht pse kishte anashkaluar moralin qytetar,lirinë dhe të vërtetën, pse ishte ndërtuar mbi mashtrimin dhe gënjeshtrën që i kontrollonte fuqia.
Një çërek shekulli më vonë,ja ku po ballafaqohemi me diçka që në dukje është tjetërsoj, por që në esencë nuk dallon fare nga zymtësia gjysëmshekullore komuniste të cilës iu nënshtruan gjenerata të tëra. Sipas disa mendimeve, shtigjet e lirisë e të të vërtetës sot janë edhe më të mjegulluara. Sot, sa për sy e faqe,kinse nuk anatemohen inisiativat qytetare, besimi, toleranca, drejtësia, por nuk po anatemohen as krimi, korupcioni, hajnia.

S’ ka ardhmëri pa ndryshime

Për të gjithë ata të cilët kanë apriori qëndrim negativ ndaj ndryshimeve e të cilëve nuk ju bën përshtypje gllabërimi i shoqërisë në të cilën jetojnë, nuk ka ardhmëri. Ata që mendojnë se shkëlqimi i rrejshëm, përmendoret dhe fontanat janë më të fuqishme se morali qytetar, janë të humbur. Ata që kujtojnë se gjatë debateve nuk duhet të thirremi mbi parimet fetare dhe intelektuale sepse për të dëshmuar diçka mjafton fuqia e pushtetit, nuk janë në tokë të bukës.
Të jetosh pa parime dhe pa principe morale, i sunduar nga keqbërës, do të thotë se ke humbur vullnetin dhe esencën tënde. Të besosh se disa “ligje evropiane” do e bëjnë jetën tënde tjetërsoj dhe shtetin tënd do e rradhitin në mesin e shteteve të civilizuara, është një mashtrim virtual. Sepse, në institucionet që do i zbatojnë ato ligje do jemi të ulur ne, ne që nuk e kemi të qartë –a jemi qytetarë të barabartë të shtetit ku jetojmë apo jemi figura shahu, mish për top, a çka dreqin jemi ?
Dikur, Fan Noli duhet ti ketë parë shqiptarët në ndonjë derexhe të ngjajshme sikur kjo e jona kur aq me trishtim këndonte “ Ku e lamë e ku na mbeti, vaj vatani e mjer mileti…” Njëqind vjetë më vonë,Fan shoqi, vatanin akoma e kemi për ta vajtuar dhe miletin të mjeruar sepse një shekull nuk përbën ndonjë diferencë për ne. “Të palarë e të paparë,të pangrënë e të panxënë, lakuriq e të dregosur,me trup e shpirt të sakatosur…” jemi edhe sot .
Zoti është gjithkund, por ja që disa po parapëlqejnë të jetojnë pa Zot. I tmershëm do jetë fundi I i atyre që po i lejojnë vehtes të luajnë me të vërtetën e që po e keqpërdorin lirinë e të tjerëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button