Çfarë duhet të mësojmë nga zgjedhjet në Amerikë?

Donald Trump, një person i cili bazoi fushatën e tij mbi frikën ndaj tjetrit, fitoi zgjedhjet ne Shtetet e Bashkuara te Amerikës. Shume pak njerëz dhe analistë prisnin që Trump të fitonte, kur u ngrita në mëngjes dhe pash rezultatet, nuk mund ta besoja. Si mundi një shtet kaq i avancuar si Amerika, të zgjidhte një njeri që do të turpëronte dhe disa nga liderët e rajonit? Zgjedhjet dhe rezultatet në Amerikë ofrojnë mësime për ne në Maqedoni, që po përgatitemi për zgjedhjet tona në dhjetor.

  1. Retorika e frikës është armë e rrezikshme. Trump përdori retorikën e frikës ndaj minoriteteve, emigrantëve dhe komuniteteve tjera të margjinalizuara si armë për të fituar vota. Përveç faktit që kjo strategji është e dëmshme në vetvete, poashtu ishte e dëmshme sepse hoqi vëmendjen nga politikat e kandidatëve. Kështu, votuesit nuk mundëm të zgjedhin mes politikave që atyre do t’u përshtateshin më së shumti, por në bazë të emocionit dhe frikës.

Në Maqedoni, kjo strategji nuk është e panjohur. Në secilën nga zgjedhjet e fundit VMRO-DPMNE ka përdorur këtë taktikë për të frikësuar votuesit maqedonas nga fqinjët e tyre shqiptarë, dhe po e bën këtë përsëri. LSDM-ja ka flirtuar me këtë strategji në zgjedhjet e fundit, por e ka braktisur në këto zgjedhje, edhe pse koncepti i frikës ekziston edhe tek ata, frika nga vazhdimi i të njëjtit pushtet. Tek partitë shqiptare, sipas meje te secila, me nuanca të ndryshme, akoma vazhdon kjo strategji, shqiptarët, sipas tyre, duhet të frikësohen. Në fakt, të gjithë qytetarët duhet të frikësohen, por jo nga njëri tjetri, por nga politikat e këqija.

Është shumë e rëndësishme që votuesit në Maqedoni të mos hutohen nga këto strategji dhe të ngulmojnë që përfaqësuesit e tyre t’u tregojnë se çfarë politika konkrete ata do të ofrojnë për të zgjidhur problemet e juaja jetësore. Mos u lejoni që të ju thonë se do të ju tregojnë mbas zgjedhjeve, apo vetëm të ju tregojnë që kanë politika por nuk kanë kohë ti shpalosin. Nëse doni të dini se a do të keni jetë më të mirë apo më të keqe gjatë 4 viteve në vijim atëherë pyesni tani, dhe vendosni në mënyrë të mirë-informuar se për cilën parti do të votoni. Ndoshta nuk do te doni të ndryshoni partinë që keni mbështetur gjithomë, qoftë kjo parti në pushtet apo jo, por kjo nuk do të thotë që ju, si votues, nuk mund ta shtyni partinë në drejtim që ju përshtatet ju dhe komunitetit tuaj, duke pyetur dhe duke kërkuar llogari dhënie.

  1. Urrejtja apo paragjykimet drejt grave apo grupeve tipike të margjinalizuara nuk është i dobishëm për askënd.

Një nga arsyet se pse nuk u zgjodh Hillari Klinton është pikërisht gjinia e saj. Shumë njerëz nuk mund të parafytyronin një grua në Shtëpinë e Bardhë. Shoqëria ka shumë paragjykime se si një grua duhet të sillet, dhe ndër to hyn modestia (mungesa e ambicies), urtësia (mungesa e zërit), dhe butësia ( mungesa e fuqisë). Nëse një grua nuk vepron kështu, atëherë ajo ngre dyshime dhe mosbesim. Është e trishtë që në shekullin e 21 këto besime akoma mbijetojnë në botë. Maqedonia poashtu ka paragjykime të ngjashme, që është një nga arsyet se kemi kaq pak ministre femra, apo më shumë deputete, me zor përmbushim kuotën e 30%. Shpeshherë jepet arsyeja se gratë nuk duan të jenë të kyçura ne politikë, apo sepse gratë nuk janë mjaft të përgatitura. Të dyja këto argumente janë të pa baza dhe të gabueshme, nuk është çështja se gratë nuk duan të jenë në politikë, ato duan por nuk kanë zgjidhje, apo duan por kanë frikë nga fjalët që do t’ju hidhen. Klinton ka marrë kritika nga mënyra se si vishet, tek mënyra se si ‘bërtet’ duke hequr fokusin nga fjalët që ajo i thotë. Së dyti gratë mund të jenë shumë më të përgatitura se burrat, por, për shkak të paragjykimeve se si duhet të veprojnë një femër, atom und të rrinë të heshtura. I njëjti princip mund t’u caktohet minoriteteve etnike, religjioze dhe seksuale.

Por pse humbasim të gjithë nëse gratë ose grupet tjera të margjinalizuara janë pre e këtyre paragjykimeve? Sepse ndodh ajo që ndodhi në Amerikë, apo e ngjashme. Në vend që të zgjidhet kandidat/ja me më shumë përvojë, me vision më të mirë, dhe me retorikë më të mirë, për shkak se është femër, zgjidhet alternativa. Në Maqedoni nuk kemi lidere partish femra për momentin, por mund të kemi më shumë ministresha dhe deputete, është e nevojshme që të inkurajohen gratë dhe të braktisen paragjykimet që të mund të arrihet potenciali i plotë demokratik dhe individual i shtetit dhe qytetarëve.

  1. Nëse doni ndryshim, mendojeni se çfarë ndryshimi doni. Një arsye tjetër se pse shumë njerëz votuan për Trumpin është fakti që ai sillej dhe ishte ‘ndryshe’ dhe se ai do të ‘ndryshonte sistemin’. Në Maqedoni jemi në një pikë ku poashtu njerëzit janë lodhur me sistemin dhe shumë kërkojnë ndryshim. Por Amerika tregon se sa e rrezikshme është nëse kërkojmë vetëm ndryshim, pa marrë parasysh se çfarë ndryshimi kërkojmë dhe se a është ky ndryshim i arritshëm. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme që ju si votues, ta mendoni se çfarë ndryshimi doni të shihni, dhe ti bindni paritë në të cilave ju doni t’ua besoni votën se ky është ndryshimi që ne duam. Por përsëri, koncepti i ndryshimit është kompleks, ndryshim për më mirë, apo për më keq (siç është rasti me Trump)? Ndryshim që më bën mirë vetëm mua, apo ndryshim që u bën mirë shumicës? Ndryshim me të cilin do të ishim krenarë, apo ndryshim me të cilin do të turpëroheshim? Votuesit, dhe jo vetëm politikanët, kanë përgjegjësi poashtu, përgjegjësi që të mendojmë lirshëm dhe në mënyrë të mirë-informuar për të ardhmen e tyre, si dhe përgjegjësi për të votuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button