Kavadari kërkon ndalimin e ezanit

Edhe pse ezani i xhamisë në Kavadar dëgjohet vetëm të premten – për namazin e xhumasë, një numër i madh i banorëve, të cilët jetojnë në afërsi të xhamisë, kanë përsëritur ankesat deri tek kryetari i Komunës, Aleksandar Panov, për shkak të, siç kanë thënë ata, “zërimit të fuqishëm, me të cilin thirren besimtarët për t’u lutur”, raporton portali Fokus.

Madje, ata kanë nënshkruar edhe peticion me të cilin kërkohet që hoxha mos tu bëjë thirrje besimtarëve dhe të mos thërrasë përmes zmadhuesit, “sepse fëmijët u frikësohen nga thirrja e tij e zëshme”.

“Nuk themi që hoxha nuk duhet të thërrasë, respektojmë të gjitha fetë, por që të ulet fuqia e zmadhuesit, ose të mos përdoret ai aspak, sepse në Kavadar ka numër të vogël të myslimanëve, dhe se nuk ka nevojë për zmadhues”, reagojnë një pjesë e qytetarëve, të cilët jetojnë në afërsi të xhamisë.

Përndryshe, hoxha u drejtohet besimtarëve vetëm ditën e premte, në namazin e xhumasë, ndërsa thirrja zgjatë jo më shumë se dy minuta. Për shfrytëzimin e zmadhuesit, ata kanë leje, ndërsa është bërë edhe kontroll nga institucionet kompetente. Nga Bashkësia islame kërkojnë mirëkuptim nga banorët e Kavadarit, dhe thonë se në një shoqëri multietnike, nuk duhet të pengojnë dallimet.

ALEKSANDAR PANOV: Kemi biseduar me përfaqësuesit e Bashkësisë islame dhe me hoxhën para disa ditëve, dhe së shpejti sërish do të mbajmë një takim, sepse reagimet ende po arrijnë. Në bisedime, ne së bashku kemi konkluduar se nuk ka nevojë për aq thirrje të zëshme, dhe u morëm vesh që zmadhuesi të përdoret vetëm ditën e premte, në një pjesë të caktuar të ditës

Kryetari i Komunës, Aleksandar Panov ka thënë për portalin Fokus se që para disa muajve, tek ai kanë arritur reagimet e para nga qytetarët që jetojnë në afërsi të xhamisë. Më herët ky problem nuk ka qenë prezent, por pas renovimit të xhamisë dhe vendosjes së zmadhuesit, një pjesë e banorëve të Kavadarit filluan të ankohen edhe për ezanin vetëm të premten.

“Kemi biseduar me përfaqësuesit e Bashkësisë islame dhe me hoxhën para disa ditëve, dhe së shpejti sërish do të mbajmë një takim, sepse reagimet ende po arrijnë. Në bisedime, ne së bashku kemi konkluduar se nuk ka nevojë për aq thirrje të zëshme, dhe u morëm vesh që zmadhuesi të përdoret vetëm ditën e premte, në një pjesë të caktuar të ditës. Edhe qytetarët janë pajtuar që kjo është në rregull. Planifikoj të takohem me Këshillin e xhamisë dhe me hoxhën, dhe që të shqyrtojmë mundësinë të ulet toni i zmadhuesit, të mos u shkaktohet dëm edhe besimtarëve, por edhe banorëve të tjerë të cilët jetojnë në afërsi të xhamisë”, thotë Panov për portalin Fokus.

Krahas qytetarëve, të cilëve u pengon thirrja e zëshme, ka edhe të atillë, të cilët thonë se aspak nuk kanë problem me dispozitat fetare të bashkësive të tjera dhe se në një shoqëri kulturore dhe bashkëkohore duhet të kihet respekt për të gjithë. Sipas statistikës, në Kavadar jetojnë 96.8 për qind maqedonas, 1.8 për qind romë, 0.6 për qind serb, 0.4 për qind turq, gjegjësisht më pak se 200 muslimanë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button