Fshehja e identitetit familjar dhe gjenetik

Dinamika е ndryshimit shoqëror në kushtet e globalizmit ka ripozicionuar edhe relacionin e brendshëm familjar, fakt ky që ka ndryshuar traditën e strukturës familjare.  Kjo ka ndikuar që shumë çështje të rëndësishme etike dhe morale të ngriten në ruajtjen e sekretit të personave të rritur mirëpo duke mos llogaritur për kufirin e lirisë së njohjes së vërtetës nga ana e fëmijëve. Fokus i këtij shkrimi është çështja e fshehjes së prejardhjes familjare dhe gjenetike të fëmijëve të adoptuar dhe fëmijëve të zënë me metoda biomedicinale, aq më tepër kur kjo fshehje e së vërtetës është ngritur në nivel të normës imperative. Nga ana tjetër, është për t’u respektuar thyerja e tabu temave rreth adoptimit të fëmijëve dhe lindjes së tyre me metoda biomedicinale. Deri në një kohë shumë të afërt, në shoqërinë tonë ka mbisunduar fenomeni i marrjes e fëmijëve “në shpirt” nga të afërmit e gjinisë së gjakut (nga vëllau, motra, madje edhe nga vajza ose djali), të cilët kanë regjistruar fëmijën si të vetin dhe kanë luftuar me çdo kusht që t’ia fshehin të vërtetën rreth prejardhjes dhe prindërve biologjik. Këto raste, fatkeqësisht, kanë qenë shumë të shprehura, edhe atë me të vetmen arsye- mosinteresimi për të adoptuar fëmijë, prindërit e të cilëve nuk dihen, fëmijë të etnitetit dhe fesë tjetër ose fëmijë me aftësi të kufizuara. Në të shumtën e rasteve, janë marrë dhe dhënë fëmijë menjëherë pas lindjes, në mënyrë që fëmija më lehtë të pranoj dashurinë e prindërve të ri. Faktet flasin se zbulimi i të vërtetës, se ky fëmijë nuk është i lindur nga njerëzit me të cilët ka jetuar, ka ndikuar negativisht në zhvillimin e tij psiko-social. Fëmija, zakonisht ka ndryshuar sjelljen, duke mos arsyetuar veprimin e prindërve që e kanë lindur dhe e kanë “dhënë“. Në raste shumë të rralla këto fëmijë e kanë pranuar  në mënyrë të qetë faktin se janë të dhënë “në shpirt”.

Me zhvillimin e teknologjisë, veçanërisht asaj biomedicinale, në pamundësi të zënies së fëmijës në mënyrë natyrore, viteve të fundit është bërë “trend” fertilizimi in vitro, veprim ky që është për t’u respektuar në rastet kur kjo metodë mundëson zgjedhjen e problemit të infertilitetit të një çifti. Nga ana tjetër, metodat e reja të reprodukimit të qenies njerëzore sikur kanë zbehur  aktin  human të adoptimit, meqë shumica dëshirojnë fëmijën e tyre gjenetik.

Të dy këto veprime që plotësojnë mungesën biologjike për të pasur fëmijë, flasin për shkeljen e të drejtës së fëmijës për ta njohur të vërtetën rreth prejardhjes së tij.  Dhënia prioritet e të drejtave dhe interesave të prindërve (atyre juridik dhe biologjik) anashkalon dhe shkel të drejtën e fëmijës për të njohur identitetin e tij familjar i cili garantohet me dokumentet më të rëndësishme ndërkombëtare (Konventa e OKB-së për të drejtat e fëmijës, Konventa për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore si dhe Konventa evropiane për adoptim).

Sipas Ligjit për familjen të RM-së, pas themelimit të adoptimit të plotë, emrat e adoptuesve shënohen në librin amë të të lindurve, dhe ata llogariten si prindër të të adoptuarit që nga momenti i lindjes së tij. Në pajtueshmëri me këtë, të dhënat lidhur me prindërit biologjik mbahen si fshehtësi zyrtare. Në rastet kur marrëdhënia prindërore është themeluar me anë të adoptimit, vërtetimi ose mohimi i atësisë/amësisë nuk është i lejuar. Nga kjo aludon fakti se fëmija i adoptuar shkëput çdo marrëdhënie familjare por edhe juridike me prindërit biologjik; të drejtën e tij për përkujdesje prindërore e plotësojnë adoptuesit. Nga njëra anë, për një siguri dhe stabilitet familjar me adoptuesit, ky veprim edhe arsyetohet. Mirëpo, kur pjekuria e tij/saj psiko-fizike është e arsyeshme dhe stabile, dhe nëse fëmija shpreh interesim, nuk duhet t’i kufizohen informatat të cilat do t’i ndihmonin të kuptonte të vërtetën rreth prejardhjes së tij familjare.

Çështja e identitetit gjenetik, vjen në shprehje në rastet kur fëmija është i zënë me metoda biomedicinale, veçanërisht kur fertizilimi i tij është bërë me materiale gjenetike të donuara. Absurditeti në legjislacionin familjar dhe biomedicinal të RM-së qëndron pikërisht në fshehjen e të vërtetës së prejardhjes edhe në këto situata. Ligji për familjen, fëmijëve të zënë me metoda biomedicinale ua ndalon të drejtën e inicimit të procedurës për vërtetimin e atësisë/ amësisë, nga ana tjetër “Ligji për ndryshime dhe plotësime të ligjit për fekondim të ndihmuar biomedicinal” parasheh obligim ligjor për të gjithë personat  dhe institucionet e pëfshira në këtë proces që të dhënat rreth të gjithë pjesëmarrësve në këtë procedurë të llogariten si informacione të klasifikuara për mbrojtjen e të dhënave personale. Këto dispozita juridike gjithsesi meritojnë kritika, kryesisht për faktin se janë në kundërshtim me nenin 7 dhe 8 të Konventës së OKB-së për të drejtat e fëmijës e cila garanton të drejtën e fëmijës që të ketë informata për prejardhjen e tij gjenetike dhe identitetin e tij, si dhe në kundërshtim me nenin 8 të Konventës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore me të cilën garantohet E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare. Madje, para Gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut, janë paraqitur shumë raste pikërisht për shkak të shkeljes së kësaj të drejte nga ana e shteteve nënshkruese të kësaj konvente.

Ligji për familjen i RM-së ka shumë hapsirë për t’u reformuar dhe len mundësi për një iniciativë serioze rreth ndryshimeve dhe plotësimeve të tij, në drejtim të përfshirjes së parimit të interesit më të lartë të fëmijës edhe në marrdhëniet familjare dhe ato prindërore.  Parimi i respektimit të interesit më të lartë të fëmijëve përfshin edhe të drejtën e fëmijës për qasje tek informatat lidhur me prindërit e tij biologjik ose për prejardhjen e tij gjenetike. Kjo e drejtë duhet të ngritet në nivelin e të drejtave themelore, me atë që nëse fëmija DȄSHIRON dhe ka INTERESIM, t’i mundësohet qasja tek informatat lidhur me prejardhjen e tij, ndërkaq kur është fjala për fekondimin biomedicinal, pavarësisht nga e drejta për anonimitetin e donatorit, fëmija të ketë të drejtën e qasjes së informacioneve me karakter gjenetik. Mbrojtësit e idesë së ruajtjes së intimitetit, i bëjnë shtrirje horizontale të drejtës në privatësi të prindërve dhe të drejtës për anonimitet të donatorve të materialeve gjenetike. Mirëpo, duke mos anashkaluar të drejtën e asnjërit dhe duke mos u bazuar në paragjykimet morale dhe etike, gjithsesi e drejta e fëmijëve duhet të jetë në përparësi ndaj të drejtës së personave të tretë, gjithnjë në favor të realizimit të parimit të interesit më të lartë të fëmijës. Këto ndryshime dhe plotësime që vazhdimisht propozohen nga pjesa e shoqërisë që merren me shkencën e së drejtës familjare, duhet të sigurojnë një harmonizim të legjislacionit familjar me Konventën e OKB-së për të drejtat e fëmijëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button