Rasti “Kumanova”, prezantohen fotot gjatë bastisjes së shtëpive e të akuzuarve, mbrojtja hedh poshtë akuzat

Prokurori Publik Naum Panovski i ngarkuar për rastin “Lagja e Trimave- Kumanovë”, sot në seancë gjyqësore ka vazhduar me prezantimin e provave material, të cilat Prokuroria i ka dokumentuar nga procesverbalet dhe foto-dokumentacionet e MPB-së gjatë bastisjes së shtëpive të të akuzuarve për logjistikë për rastin në fjalë, raporton Portalb.

Gjatë prezantimit të fotodokumentacioneve, në ndërkohë prokurori Panovski ka publikuar edhe disa fotografi nga kamerat e sigurimit në Pompën e benzinës “Lluk Oill”- Kumanovë, kur shihej një person duke mbushur benzinë me kovë, e që nga prokurori supozohet të jetë Irfan Lutfiu, i akuzuar. Prokurori fotografinë e lidhë me koktejet e mollotovit që janë përdorur nga grupi i armatosur. Sipas tij, benzina është blerë për atë qëllim.

Ashpër kanë reaguar avokatët mbrojtës duke e kujtuar prokurorin se akuza nuk mund të ngritet në supozime.

“Prokurori thotë se ‘sipas njohurive të tyre’ është Irfan Lutfiu. Do të thotë se është supozim. Personi në foto nuk është Irfan Lutfiu”, ishte decid avokati mbrojtës Asmir Alispahiq.

Alispahiq tha se për kësi rastesh ku kemi të akuzuar për vepra të rënda, si terrorizmi dhe organizimi terrorist, nuk duhet të përdoren terme si; sipas njohurive tona, por duhet të vërtetohet saktësisht.

“Klienti im nuk ka lidhje me këtë lëndë e as me atë që sot e publikoi prokurori”, kujtoi të njëjtën edhe para mediave avokati Alispahiq.

37 të akuzuar, po gjykohen për rastin “Kumanova – Lagjja e Trimave”, për ndodhitë e 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në Kumanovë.

Vitin e kaluar në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, një grup i armatosur është përleshur me forcat e sigurisë të Maqedonisë. Nga rasti në fjalë, u vranë 8 policë nga njësitet speciale dhe nga njësitet e veçanta të MPB-së, ndërkaq 4 të tjerë u plagosën. Ndërkaq, humbën jetën edhe 10 pjesëtar të grupit të armatosur. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button