KUSH JEMI NE?

Ne jemi njerëz me identitet të fshehur nëpër grumbuj letrash të instancave të cilat i ka mbuluar pluhuri, njerëz që s’e kemi mbrojtjen e askujt, por jemi edhe njerëz të cilët vrapojmë nëpër mitingje e tubime të pafundme vetëm për një vozitje falas, për një sanduiç të pasigurt dhe, eventualisht, edhe për një safë jogurti.

Te ne varen shpresat e partive politike para zgjedhjeve dhe atëherë na ofrohen krejt të mirat e kësaj bote. Neve na harrojnë posa të numërohen votat nëpër zyrat e vrugta të shkollave të vjetra që caktohen si vendvotime.

Ne jemi ata të cilët e mbajmë barrën e varfërisë që na e ka sjellë privatizimi bashkë me dorën e zgjatur që vepron nëpër tenderë dhe shërbejmë për kalkulime për të bërë strategjinë e tyre për të mbetur amshueshëm në kolltuk.

Ne jemi ata që kurrë nuk kërkuam llogari për politikanët që na premtuan  gjithçka e nuk na bënë asnjë çerdhe për fëmijë, nuk na bënë shkolla të mjaftueshme, nuk bënë thuajse asgjë për të hapur vende të reja pune dhe për ta penguar zbrazjen e fshatrave e qyteteve tona nga rinia.

Ne jemi ata që harrojmë çdo debakël politik e ekonomik të qeverive dhe të gjitha shtizat që thyhen mbi shpinën tonë duke na e thyer vazhdimisht kurrizin. Ne jemi ata që falim çdo padrejtësi kolektive dhe që çdo padrejtësi individuale që na bëhet e marrim për diçka të rëndomtë, thuajse është kjo ndonjë kokërr molle që këputet degët e na bie mbi kokë rastësisht, krejt rastësisht.

Ne jemi ata që nuk e ngremë zërin për tregtinë me njerëz që bëhet, duke i sjellë gratë e mjera nga Shqipëria për t’i martuar pleqtë e katundeve të harruara maqedonase e serbe.

Ne jemi ata që nuk kujdesemi për ecuritë e paqarta që ndodhin në jetën tonë fetare ku ndërhyjnë hajlazë të ndryshëm nga lindja e perëndimi që përmes fesë të na bëjnë vegla për manipulime politike e kriminale.

Ne jemi ata që nuk reagojmë për gjyqësinë që është bërë grumbullues problemesh e jo zgjidhës problemesh.

Ne jemi ata që heshtim për faktin që burgjet e Maqedonisë vazhdojnë të jenë plot me të burgosur politikë shqiptarë dhe për faktin se të gjithë ata që kanë mbajtur me vite burg politik e kanë dalë të pafajshëm pas mbajtjes së burgut nuk janë dhënë as kompensime material e as morale, madje. Ne jemi ata që nuk kërkuam të dënohen ata që burgosin njerëz të pafajshëm vetëm pse janë shqiptarë.

Ne jemi ata që heshtim kur ndërtojnë hidrocentrale mbi fshatrat tona duke na bërë dëme të pariparueshme të ambientit dhe duke e shkatërruar peizazhin.

Ne jemi qytetarët shqiptarë të Maqedonisë që na trajtojnë si minoritet edhe pse nuk jemi të tillë, ne jemi njerëz për të cilët nuk jepen subvencione për zhvillimin e kulturës dhe të arsimit në gjuhën tonë shqipe, që s’kemi kurrfarë mbështetjeje material për vjeljen dhe studimin e materialeve të trashëgimisë kulturore kombëtare, ani se me Kushtetutë dhe me Marrëveshjen e Ohrit ne duhet t’i kemi këto të drejta. Ne jemi ata që na trajtojnë si numër në sallën e kuvendit dhe e presin energjinë tonë që ta shndërrojnë në monedha dhe në fuqi pushteti për nevojat e tyre.

Ne jemi qytetarë të rendit të dytë mbi të cilët ushtrojnë amatorizëm politik, me përzierje dhune, partitë tona që vijnë në pushtet.

Ne jemi njerëz të thjeshtë.

 Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button