Kur shkruhet për konfrontime, lajmi nuk është i plotë pa palën tjetër

[Recension: Memedi për Zhurnal: Fadil Zendeli mund të garon vetëm si kandidat i BESËS dhe JO i RDK-së]

Gazetari, kur shkruan një lajm apo përmbajtje ku ka kontekst të mosmarrveshjes mes dy palëve, duhet të sigurojë qëndrimin e të gjithë subjekteve të përfshirë në një ngjarje apo proces për të cilin informon. Profesionistët e gazetarisë e kuptojnë që lajmi është i balancuar, vetëm atëherë kur të gjitha palët e prekura janë të përfshira. Gazetari e ka për detyrë të pyesë për qëndrim, e nëse njëra ose pala tjetër nuk përgjigjen ose injorojnë gazetarin, atëherë gazetari është i obliguar t’ia thotë publikut se ka pasur tentim për të marrë qëndrim.

Kryetari i Partisë RDK, Vesel Memedi në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve Zhurnal për herë të parë ka bërë publike se Fadil Zendeli përfundimisht do të del si kandidat i Lëvizjes BESA në zgjedhjet e 11 dhjetorit. Sipas tij tanimë nuk është diskutabile se kush e përfaqëson RDK-në, pasi Fadil Zendeli përfundimisht nuk i ka vulat e partisë, nuk është i regjistruar në Gjykatë dhe ai do të del për të garuar si kandidat i Lëvizjes BESA.

rdk_zurnal_memedi_zendeli_1


Linku deri te artikulli origjinal:
 Memedi për Zhurnal: Fadil Zendeli mund të garon vetëm si kandidat i BESËS dhe JO i RDK-së

Data dhe koha e publikimit: 28.10.2016
Data e recensionit: 30.10.2016
Recensues: Adrian Keirmi

Lajmi që po recensojmë përfshin elemente që parimisht mund të konsiderohen si të mjaftueshme për ta botuar, dhe sigurisht se përmban informacion për ta kategorizuar si me interes për opinionin. Shpeshherë mediat botojnë qëndrime dhe reagime të subjekteve politike si tekste më vete dhe kjo është në rregull. Mirëpo, kur kemi kontradikta apo akuza të ndërsjella mes dy subjekteve, profesionalizmi i mirëfilltë do të nënkuptonte që në këtë përmbajtje, pasi që veçmë është konsultuar edhe një burim tjetër apo palë e tretë, të ishte prezent edhe subjekti i ‘sulmuar’, si peshë e cila i jep lajmit vulën e nevojshme për të qenë tërërsisht profesional dhe i balancuar. Kështu siç është, lajmi përcjell qëndrimin vetëm të një pale.

“Ligji është shumë i qartë se kush është i regjistruar në Gjykatë dhe kush e ka vulën, ai është legjitim për të garuar në zgjedhje. Nuk është asgjë diskutabile për shkak se edhe kalamajt e Fadilit e dinë se ai në zgjedhjet e 11 dhjetorit do të del si kandidat në listën e BESËS e jo të RDK-së. Kjo punë ka mbaruar njëherë e përgjithmonë”, ka deklaruar për Zhurnal, kryetari i RDK-së Memedi duke shtuar se për të gjitha mashtrimet e Fadil Zendelit është ngritur padi tek prokuroria publike në Shkup dhe Tetovë ndaj Zendelit për shkak se ky po manipulon në opinionin publik.

Në lajm nuk mund të vërtetohet, pasi që kjo nuk është thënë, vallë ka kërkuar autori qëndrimin e palës tjetër, e kjo për publikun mund të japë indikacione bazë se gazetari favorizon njërën palë, përkundër rregullave, të cilave duhet t’u përmbahet gazetaria. Një ndër parimet e profesionit gazetaresk është që të sigurohet distancë nga protagonistët e lajmit dhe të mos personalizohet çështja, për të cilën informohet.

Vesel Memedi thotë se Fadil Zendeli nuk përfaqëson RDK-në, por Zendelin e favorizojnë vetëm disa portale të Lëvizjes BESA. Ndryshe, sot zëvendëskryetari i KSHZ-së, Rexhep Prekopuca për Zhurnal ka sqaruar se partitë politike në Maqedoni mund ti dorëzojnë listat e tyre për deputet vetëm nëqoftëse këta lista janë të firmosura me vulën e partisë, në të kundërtën nuk do të pranohen.

Pohimi i një pale të tretë, qoftë zyrtare ose jozyrtare, nuk mund të merret si qëndrim i cili konfirmon një çështje, në favor të palës së parë. Kjo gjë tentohet të thuhet brenda dhe mes rreshtave në pasuesin në vazhdim. Pavarësisht se personi i nënshkruar si nënkryetar i KSHZ-së e flet të vërtetën, “lufta” është mes dy liderëve, e jo e dy liderëve me institucionin.

I pyetur se cila listë e partisë shqiptare RDK do të pranohet nga ana e KSHZ-së, Prekopuca i përgjigjë se do të pranohet vetëm ajo listë për deputet e cila përmbanë vulën oficiale të partisë të dhënë nga Gjykata. Ai është kategorik se KSHZ ka rregullat e veta dhe në asnjë mënyrë nuk toleron që ndonjë parti politike këto rregulla ti shkelë “Ai udhëheqës i cili i ka vulat oficiale të partisë RDK, ati do ti pranohet lista në KSHZ si subjekt politik. Në KSHZ ka rregulla dhe duhet të zbatohen. Nëse nuk ka vulë oficiale të partisë natyrisht se nuk mund të pranohet lista”, ka deklaruar për Zhurnal, zv.Kryetari i KSHZ-së, Rexhep Prekopuca.

Mbase për gazetarin nuk bën punë qëndrimi i subjektit të apostrofuar në titull, por në këtë rast edhe qëndrimi i Lëvizjes Besa, e cila përmendet në tekst, do të ishte me interes për publikun dhe elektoratin. Vlerësuar në aspektin profesional, çdo palë e cituar ose e theksuar nga një palë tjetër, meriton të drejtën e prononcimit rreth akuzave, komenteve apo qoftë edhe sugjerimeve.

 


Ky recension është përgatitur në kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky recension është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button