Tronditja e UÇK-së

Kosova u çlirua dhe më tej u pavarësua, jo pak prej meritave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ishte pikërisht lufta e UÇK-së, ajo e cila ktheu mbrapsht ushtrinë fashiste të Serbisë dhe vendosi zërin e popullit të Kosovës mbi çdo gjë. Ishte po lufta e UÇK-së, ajo e cila e bëri me dije represionin serb mbi Kosovën dhe mbi shqiptarët e Kosovës. Përmes luftës së UÇK-së, Kosova u njoh edhe ndërkombëtarisht, bota mësoi përmes medieve, se ndodhej një “Jeruzalem” në mes të Ballkanit, Kosova, e cila ishte duke u djegur prej ushtrive serbe.

Mirëpo, pas gjithë kësaj përpjekjeje të UÇK-së, e cila çliroi edhe popullin shqiptar të Kosovës prej falangave serbe, u bënë edhe disa gabime, në kohën që Serbisë iu dha një goditje e fuqishme nga ana e NATO-s, përmes bombardimeve. Këtë moment e shpjegon edhe shkrimtari Ismail Kadare në librin e tij “Identiteti evropian i shqiptarëve”. Kadare shkruan në këtë libër, se pasi Serbia u përzu nga Kosova prej NATO-s, disa persona nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës nisën të kryejnë krime ndaj popullatës serbe, civile. Kjo edhe në formë hakmarrjeje, ndaj gjithë kasaphanës, që serbët kishin kryer në Kosovë, ku krimet e tyre ishin të shumta, përfshirë vrasjet, dhunimet e përdhunimet. Duket se është ky moment, pra pak kohë pasi Serbia ishte përzënë nga Kosova prej NATO-s, kur janë kryer edhe disa krime. Janë pikërisht këta krime që janë duke u hetuar nga ana e Prokurorisë Speciale Ndërkombëtare. Akuza e parë e drejtpërdrejtë ka qenë e drejtuar për te lideri i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj.

Ky i fundit është ndoshta personi, që mundet të dëftojë më së miri faktin se Kosova u çlirua prej UÇK-së dhe “u pushtua” po prej Ushtrisë Çlirimtare. Mbi Limajn rëndon akuza e rëndë e krimeve kundër popullatës civile, tashmë prej një organi hetimor ndërkombëtar. Vetë Limaj e mohoi akuzën, duke thënë se ishte marrë disa herë i pandehur për këtë akuzë dhe se në asnjë rast nuk ishte provuar të kishte thyer ligjin, siç thuhet në pretence, në mënyrë të ashpër e të egër. Përtej Limajt, duket se viti 2017 do të jetë në Kosovë edhe ai vit, kur ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, triumfatorët e luftës së dikurshme, që u pasuruan përmes politikës pas luftës, do të kenë tërë kohës lepurin që iu fle në bark.

Kjo, sepse tanimë në Kosovë ndodhet një organ special, për të hetuar pikërisht krimet e luftës dhe të pas luftës. Tronditja e UÇK-së duket se ka filluar, ose më saktë e disa luftëtarëve të saj, që e keqpërdorën luftën çlirimtare për pushtet vetjak. Ata menduan se duke qenë se e çliruan popullin e Kosovës, kishin të drejtë të bënin ç’të dëshironin me atë popull, por se sa duket vështirë ta bëjnë këtë dhe këtë herë për shkak se në Kosovë ka mbërritur një trup gjyqtarësh ndërkombëtarë.

Kjo gjykatë duhet, pikërisht për t’i treguar faqe botës se Kosova nuk është shtet i dështuar dhe se s’mund ta marrin peng një grusht njerëzish, thjesht prej faktit se kanë mbi supe namin e luftëtarit të madh të lirisë së dikurshme. Ata mbrojtën lirinë në një kohë të vështirë, por parimet e tilla vështirë se i ruajtën pas luftës. Tashmë ka nisur shpërbërja e strukturës së pushtimit të popullit të Kosovës, i cili meriton lirinë e vërtetë, jo vetëm prej serbëve të dikrushëm me uniforma të ushtrisë e të milicisë, por edhe prej politikanëve të vet, që kanë pirë gjakun e popullit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button